Fondacionet e Shoqërisë së Hapur njoftuan se do të sigurojnë mbi 16 milionë dollarë për t’i mbështetur prioritetet urgjente klimatike që lidhen me pandeminë e COVID-19, me fokus në planet e stimulimit ekonomik të gjelbër, si dhe në pengimin e përpjekjeve të shoqërisë autoritare për ta zvogëluar mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Kjo paketë është pjesë e investimit prej mbi 130 milionë dollarë, e njoftuar javën e kaluar, me të cilën do të sigurohet zvogëlim i efekteve të dëmshme të shkaktuara nga koronavirusi në të gjithë botën.
Shkencëtarët tashmë një kohë të gjatë kanë paralajmëruar se ndryshimet klimatike në fakt janë një kërcënim i shumëfishtë, ato do të hapin pabarazi dhe padrejtësi të reja, por gjithashtu do t’i thellojnë edhe pabarazitë dhe padrejtësitë ekzistuese. Pandemia e COVID-19 i acaroi edhe më tej kërcënimet klimatike dhe e vendosi në fokus urgjencën për ndërmarrjen e aksionit të bazuar në prova, që do të ndihmojë në parandalimin e ndikimit katastrofal të kërcënimeve mbi shëndetin e njerëzve, mjedisin jetësor dhe ekonominë globale.
“Që në fillim, Fondacionet përballen me kërcënimet më të mëdha për shoqërinë e hapur,” thotë Aleksander Soros, nënkryetar i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur. “Kriza klimatike paraqet një rrezik ekzistencial për të gjitha komunitetet që ne i mbështesim. Kjo mbështetje financiare është vazhdim i përkushtimit tonë të vazhdueshëm dhe të përkushtuar për të drejtat e njeriut, drejtësinë sociale dhe barazinë”.
Në këto momente, kur, siç pritet, do të dalin pako të ndryshme stimuluese, plane për mbështetjeje financiare, por edhe programe për t’i mbështetur punëtorët, me qëllim të përballjes me pasojat e COVID-19, vendimet që do të merren, ose do të mundësojnë përparim dhe zhvillim në drejtim të një të ardhmeje gjithëpërfshirëse, të gjelbër dhe të drejtë, ose do t’i mbështesin praktikat e deritanishme shkatërruese që paraqesin kërcënim për të gjithë ne.
“Pandemia e COVID-19 i bëri reale dhe të dukshëm rreziqet e injorimit të shkencës dhe të provave shkencore. Bota po përballet me dy raste urgjente në të njëjtën kohë – krizën klimatike dhe pandeminë globale – dhe ato i thellojnë padrejtësitë racore, gjinore dhe ekonomike – thekson Patrik Gaspar, president i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur.
“Ne po përballemi me një periudhë në të cilën duhet të merren vendime të rëndësishme, të cilat do ta ndihmojnë shoqërinë të rimëkëmbet nga pasojat e pandemisë. Fondacionet e Shoqërisë së Hapur iu përgjigjën shpejt dhe me efikasitet sfidave, kryesisht duke i mbështetur punëtorët me të ardhura të ulëta, si dhe punëtorët që janë në vijën e parë të luftës kundër COVID-19, por edhe duke i mbështetur të gjithë ata që ndërmarrin hapa të guximshëm drejt të ardhmes së drejtë dhe të qëndrueshme” – theksoi Gaspar.
Ndihma financiare përfshin:
- 8,95 milionë dollarë për t’i mbështetur planet e stimulit të gjelbër ekonomik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë duke i luftuar dezinformatat dhe duke i mbështetur reformat që përqendrohen tek punëtorët me të ardhura të ulëta, punëtorët më të ekspozuar dhe demokracinë;
- 3 milionë dollarë mbështetje për mobilizim jopartiak, qytetar dhe për përfaqësim në nivel botëror me përqendrim në cilësinë e ajrit, por edhe në zvogëlimin e përdorimit të karburanteve fosile, mbështetje që do të sigurojë riorientim të përshpejtuar, të drejtë dhe efektiv drejt burimeve të rinovueshme të energjisë dhe drejt një shoqërie të qëndrueshme dhe të hapur; dhe
- 2 milionë dollarë mbështetje për aksionin ekzistues për ta parandaluar shpyllëzimin e shtuar në Amerikën e Jugut, që është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh zvogëlimin e masave të mbrojtjes së mjedisit gjatë pandemisë së COVID-19.
Burimi: Fondacionet e Shoqërisë së Hapur
—————————————————
23 Prill 2020