Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Filantropi miliarder alokon 37 milion dollarë nga këto fonde në programe për të ndihmuar grupet e cenueshme në qytetin e Nju Jorkut.

Nga Shane Goldmacher

Përmes fondacionit të tij, filantropi miliarder dhe financieri liberal Xhorxh Sorosi ka ndarë 130 milion dollarë për të luftuar efektet e koronavirusit, nga të cilat 37 milion dollarë janë të dedikuara për të ndihmuar grupet e cenueshme në qytetin e Nju Jorkut, duke përfshirë familjet pa dokumente dhe punëtorët me pagë të ulët.

Organizata e z. Soros, gjegjësisht Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, ndan dy grante të mëdha për organizatat jofitimprurëse të lidhura me autoritetet e qytetit të Nju Jorkut, i cili është epiqendër e epidemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me më shumë se 10.000 vdekje për shkak të virusit.

Granti i parë do të sigurojë 20 milion dollarë për krijimin e një Programi të Ndihmës së Krizave për Emigrantët në partneritet me autoritetet e qytetit dhe ka për qëllim pagesa direkte të njëhershme në para deri në 20.000 familje emigrante, të cilat janë të përjashtuara nga programi i ndihmës federale, duke përfshirë edhe individë pa dokumente. Individët do të marrin nga 400 dollarë, ndërsa familjet nga 1000 dollarë.

Këto fonde do të menaxhohen nga një organizatë jofitimprurëse, gjegjësisht Fondi i Kryetarit të Komunës për Përmirësimin e Qytetit të Nju Jorkut dhe Administrata për Çështje të Emigracionit të Qytetit.

“Në këtë moment, ne duhet ta kuptojmë koston njerëzore të kësaj krize dhe të ndajmë një pjesë të investimeve tona për ndihmë direkte humanitare,” tha Patrick Gaspar, presidenti i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur.

Fondacioni gjithashtu i jep 15 milion dollarë organizatës jofitimprurëse Fondi i Qytetit të Nju Jorkut për Shkollat Publike në mbështetje të përpjekjeve të tij, të cilat përfshijnë nisma për mësimin në distancë dhe qendra të kujdesit për fëmijët për punëtorët në vijat e para të luftës kundër krizës. Një ndihmë shtesë prej 2 milion dollarësh është ndarë për grante për të mbështetur të pastrehët dhe përpjekjet për të zvogëluar popullsinë e burgjeve, midis të cilave virusi po përhapet në mënyrë agresive.

Z. Gaspar i përshkroi këto 130 milion dollarë si “investimin fillestar” i fondacionit.

Rreth gjysma e shumës së përgjithshme janë të dedikuara për Shtetet e Bashkuara, ndërsa gjysma për vendet e tjera. Fondacioni gjithashtu jep edhe 12 milion dollarë fonde për të lehtësuar pasojat në Atlanta, Çikago, Los Anxheles, Filadelfi dhe Uashington.

Fondacioni gjithashtu i jep 2 milion dollarë Fondit për koronavirus në kuadër të Aleancës Kombëtare të Punëtorëve në Familje, e cila i mbështet punëtorët në familje, të cilët e kanë humbur punën e tyre. 2.8 milion dollarë shtesë shkojnë si investim i fondacionit në platformën e Aleancës për të ndihmuar në lidhjen e ofruesve të shërbimeve me punëtorë të përkohshëm, të cilët përndryshe mund të lihen jashtë përpjekjeve të ndihmës.

“Vetë shtrirja e pandemisë ka ekspozuar ndarjet dhe padrejtësitë në botën tonë,” tha z. Soros në një deklaratë. “Pas krizës financiare të vitit 2008, e humbëm mundësinë për të krijuar një ekonomi më të drejtë dhe për të siguruar një rrjet social të sigurisë për punëtorët që janë themeli i shoqërive tona.”

Sot duhet ta ndryshojmë drejtimin dhe të pyesim veten se çfarë lloj bote do të dalë nga kjo katastrofë dhe çfarë mund të bëjmë për ta bërë atë më të mirë”.

Z. Soros po bashkohet me një numër filantropësh në të gjithë botën që kanë filluar të dhurojnë fonde për shkaqe që lidhen me lehtësimin e krizës së koronavirusit. Xhef Bezos, themelues i Amazon-it tha se do të sigurojë 100 milion dollarë për bankat amerikane të ushqimit.

Xhek Dorsi, drejtori ekzekutiv dhe bashkëthemeluesi i Twitterdeklaroi se po ndante 1 miliard dollarë për qëllime bamirëse, nga të cilat 7 milion dollarë janë paguar deri më tani për shkaqe që lidhen me koronavirusin.

Fondacioni Bill dhe Melinda Gejts e rriti donacionin e saj ndan 250 milion dollarë për shkaqe të ndryshme, duke përfshirë edhe për hulumtimin e vaksinës kundër koronavirusit dhe ndihmën për vendet në Afrikë dhe Azinë e Jugut.

Një pjesë e 130 milion dollarëve nga fondacioni i z. Soros shkojnë për qëllime që miliarderi i ka mbështetur dhe udhëhequr edhe më parë, duke përfshirë 9 milion dollarë për të luftuar “burgun e detyrueshëm dhe pataburgimin policor në mbarë botën”, duke iu referuar cenueshmërisë së grupeve të paraburgosurve ndaj kësaj sëmundjeje.

Z. Gaspar pranon se dhurimet e fundit janë pjesë e politikës që fondacionit i ka mbështetur prej kohësh. “Një fokus i fortë do të jetë në reformat sistemike,” tha ai, siç është lufta për të ulur nivelin e të burgosurve.

“Aktualisht, disa regjime në të gjithë botën po e përdorin koronavirusin në një mënyrë që e pengon demokracinë dhe fjalën e lirë,” tha z. Gaspar, duke shtuar se fondet do të përdoren për t’i luftuar përpjekjet e këtilla.

Burimi: New York Times

* Shane Goldmacher është raportues i politikës kombëtare dhe më parë ka shërbyer si korrespodent kryesor politik për Metro Desk. Para se të bashkohej me The Times, ka punuar për Politico, ku ka mbuluar tema që lidhen me politikën kombëtare republikane dhe fushatën presidenciale të vitit 2016. @ShaneGoldmacher

Fotografia: Në një deklaratë, Xhorxh Sorosi tha se pandemia “i nxori në shesh të gjitha ndarjet dhe padrejtësitë në botën tonë”. Autor: Lisi Niesner/Reuters

—————————————————

22 Prill 2020