Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi reagon ashpër dhe shpreh shqetësimin e tij për njoftimet e fundit në rrjetet sociale nga përfaqësues të partisë politike “Levica” (E Majta) me thirrje për diskreditim të sektorit civil dhe me kërcënim për rifillimin e procesit të “de-sorosizimit”.
Sulmet ndaj shoqërisë civile dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut janë pasqyrim i sundimit të mëparshëm të vendit, kur organizatat e shoqërisë civile, si një nga kritikët më të zëshëm të qeverisë, shpesh ishin në shënjestër të dënimit dhe poshtërimit publik. Sa për kujtesë, procesi i atëhershëm i të ashtuquajturit “de-sorosizimi” çoi në një gjuhë intensive të urrejtjes në mediat sociale kundër aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe organizatave të shoqërisë civile, disa prej të cilëve kanë pësuar ngacmime fizike dhe kërcënime me vdekje.
Me çlirimin nga regjimi i kaluar, u çlirua edhe sektori civil. OShC-të dhe aktivistët e të drejtave të njeriut u ripërfshinë në proceset e hartimit të politikave dhe u bënë partnerë, por edhe si korrektorë të pushtetit për të kontribuar në demokratizimin e vendit. Andaj, njoftimet e liderëve të “Levicës” (“Së Majtës”) për rifillimin e persekutimit të organizatave të shoqërisë civile të quajtur “de-sorosizim”, padyshim hapin mundësinë e rindezjes së urrejtjes, dhunës dhe diskriminimit ndaj aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe diskreditimit të tyre publik si dhe për persekutim e përsëritur politik i aktivistëve nga ana e “Levicës” (“Së Majtës”) dhe nga ana e bashkë-mendimtarëve të tyre, gjë që e rrezikon drejtpërdrejt lirinë dhe demokracinë në vend si parime bazë për të cilat angazhohen organizatat e shoqërisë civile.
Për rikujtim, roli dhe rëndësia e sektorit të shoqërisë civile theksohet edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e vendit si komponent kyç i çdo sistemi demokratik. Gjithashtu, u theksua përfshirja e tij në përgatitjen e të gjitha ligjeve kyçe, duke përfshirë Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje.
Shoqëria civile ka kontribuar ndjeshëm në mundësimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, veçanërisht nëpërmjet ndihmës dhe mbështetjes që ajo ofron për kategoritë më të cenueshme të qytetarëve. Në fakt, organizatat e shoqërisë civile janë ende një faktor kyç në ofrimin e shërbimeve ligjore, sociale dhe shëndetësore për shumë grupe të cenueshme, të përjashtuara nga shoqëria dhe komunitete pakicë që nuk kanë qasje në këto shërbime në institucionet publike.
Gjithashtu, një nga rekomandimet e BE-së i referohet thellimit të bashkëpunimit dhe forcimit të dialogut aktual, veçanërisht në grupet ndër-parlamentare, të cilat më së shumti janë rezultat i përpjekjeve të sektorit të shoqërisë civile. Në fund, u theksua rekomandimi për autoritetet lokale për të vazhduar përfshirjen e organizatave lokale në hartimin e politikave dhe në vendimmarrje.
Prandaj, kërkojmë që përfaqësuesit e partisë politike “Levica” (E Majta) të ndalojnë përhapjen e informacioneve të pasakta dhe gjuhën e urrejtjes kundër sektorit të shoqërisë civile dhe delegjitimimit të saj, sepse duke e rrezikuar pozitën e sektorit të shoqërisë civile, i cili jo vetëm (që duhet) të marrë pjesë në përgatitjen e politikave dhe ta monitorojë nga afër zbatimin e tyre, rrezikohen drejtpërdrejt të drejtat e qytetarëve, sidomos të të margjinalizuarve në shoqërinë tonë.
Gjithashtu, kërkojmë nga Prokuroria Themelore Publike që të monitorojë nga afër gjuhën e urrejtjes lidhur me të ashtuquajturin “de-sorosizim” dhe të marrin një rol më aktiv në sanksionimin e tij për mbrojtjen në kohë të reputacionit dhe dinjitetit të organizatave të shoqërisë civile dhe të aktivistëve të të drejtave të njeriut.
Me respekt,
Anëtarët e Rrjetit për Mbrojtjen nga Diskriminimi:
Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni
HERA – Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim
Stacioni P.E.T.
Së bashku më të fortë
Koalicioni MARGJINAT
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut
Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë
Qendra për Mbështetje e LGBTI
HOPS – Opsione për jetë të shëndoshë Shkup
Rrjeti Kombëtar Zëri Kundër Dhunës
ESE Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave
—————————————————
30 Dhjetor 2021