Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Intervistë me Xhorxh Sorosin për “De Telegraaf”

Sa do të zgjasë dëmi nga koronavirusi mbi ekonominë e eurozonës?

Më gjatë se sa që mendojnë shumica e njerëzve. Një nga problemet është se vetë virusi evoluon me shpejtësi dhe e ndryshon mënyrën se si i sulmon organet e njeriut. Kjo do ta vështirësojë zhvillimin e një vaksine të sigurt.

Ju propozonin emetimin e obligacioneve të përhershme. Pse ato do të ishin një zgjidhje më e mirë sesa obligacionet e koronës? Dhe cilat janë rreziqet nga emetimi i obligacioneve të përhershme?

Opinioni evropian dhe liderët e tyre politikë nuk janë të njohur me obligacionet e përhershme ose “konzollat” siç i quaj tani, por konzollat janë të njohura mirë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ato kanë një histori të gjatë në të dy vendet. Në Mbretërinë e Bashkuar, ato janë përdorur, ndër të tjera, për t’i financuar luftërat kundër Napoleonit dhe për ta financuar Luftën e Parë Botërore. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ata u futën në përdorim në vitet e 1870-ta.

Siç sugjeron edhe emri i tyre, prinicipali i një obligacioni të përhershëm nuk duhet të paguhet kurrë, por paguhet vetëm kamata vjetore. Një obligacion në vlerë prej 1 trilionë eurosh do të kushtonte 5 miliardë euro në vit, me një përqindje të supozuar të interesit prej 0.5%. Konzollat nuk kanë nevojë të shiten menjëherë, ato mund të lëshohen në këste dhe do të bliheshin menjëherë nga investitorët afatgjatë, siç janë shoqëritë e sigurimeve të jetës, të cilat kërkojnë për obligacione afatgjata që do të lidheshin me detyrimet e tyre. Ashtu siç tregjet do të njihen me instrumentet e reja, me kalimin e kohës transhet do të tërhiqnin më shumë blerës dhe përfundimisht obligacionet do të fillonin të sjellin edhe premi. Ky është një moment shumë i mirë për të emetuar obligacione afatgjata. Gjermania para do kohësh shiti një obligacion qeveritar 30-vjeçar me një përqindje negative të kthimit.

Fatkeqësisht, propozimi im për obligacione të përhershme u barazua me “obligacionet e koronës” dhe kjo e helmoi debatin. Këto dy gjëra nuk kanë asgjë të përbashkët. Obligacionet e koronës u refuzuar me vendosmëri, edhe atë me arsye të mirë, duke marrë parasysh se ato kërkojnë një shkallë të ndarjes së ndërsjellë që është thjesht e papranueshme. Kjo është arsyeja pse unë tani flas për “konzolla”. I vetmi detyrim i ndërsjellë është pagesa e interesit vjetor, i cili është me një vlerë pothuajse të parëndësishme. 5 miliardë euro në vit i sigurojnë 1 trilion euro që duhen urgjentisht, që paraqet raport jashtëzakonisht të ulët të shpenzimit dhe përfitimit prej 1:200! Kjo shkallë e shkëmbimit të ndërsjellë duhet të jetë lehtësisht i pranueshëm për shtetet anëtare që do të vepronin unanimisht ose përmes një koalicioni të atyre që janë të gatshme ta bëjnë këtë.

Është e kuptueshme që vendet e të ashtuquajturës Lidhje Hanzeatike, siç është Holanda, duan të ruajnë kontributin e tyre në buxhetin evropian në minimum. Megjithatë, tani ata janë të përballur me një zgjedhje: ata mund të vazhdojnë t’i kundërshtojnë konzollat dhe të pranojnë dyfishimin e buxhetit, ose mund të bëhen mbështetës entuziastë të konzollave dhe, nëse ato janë të suksesshme, ta rrisin kontributin e tyre në buxhet për 5%. Unë i bëj thirrje Ligës Hanzeatike dhe publikut holandez të shqyrtojnë se cilën alternativë e preferojnë.

A ka ndonjë problem ligjor që BE-ja të lëshojë obligacione të përhershme ose konzolla siç i quani ju?

Po ka, dhe ato duket se janë të pakapërcyeshme. BE-ja duhet ta ruajë vlerësimin e saj të kredisë – AAA, përndryshe obligacionet nuk do mund të shiten. Kjo kërkon që BE-ja të ketë “burime të mjaftueshme të veta” – taksa që mund të futen për t’i mbuluar shpenzimet për servisimin e obligacioneve. Futja e tatimeve është një proces i gjatë dhe i vështirë, sepse secili vend ka rregullat e veta dhe në disa prej tyre, siç është Belgjika, rregullat janë shumë të ndërlikuara. Procesi do të zgjaste disa vjet, dhe mu për këtë arsye thashë se pengesat ligjore janë në dukje të pakapërcyeshme.

Por, ka një zgjidhje. Tatimet vetëm duhet të autorizohen, ato nuk duhet të zbatohen. Autorizimi mund të bëhet brenda disa javësh, e jo për disa vjet. Pasi të autorizohen, BE-ja mund të kalojë menjëherë në emetimin e obligacioneve të përhershme ose konzollave. Obligacionet e përhershme kanë një avantazh të madh mbi obligacionet që kanë afat të caktuar të maturimit. Siç sugjeron edhe emri i tyre, principali nuk paguhet kurrë, por paguhet vetëm interesi vjetor. Siç thashë edhe më parë, kjo shumë është aq minimale sa që vendet anëtare do të pranonin me lehtësi ta paguajnë atë. Kjo duhet të jetë veçanërisht tërheqëse për Lidhjen Hanzeatike të udhëhequr nga Holanda. Kjo është arsyeja pse vendet e Lidhjes Hanzeatike duhet të bëhen mbështetës entuziastë. Në Gjermani, Angela Merkel është ende kancelare dhe ajo është personi i vetëm që mund ta mbivotojë establishmentin ordoliberal. Me mbështetjen e tyre, Samiti i BE-së, i cili pritet të zhvillohet më 27 maj, megjithatë mund t’i pranojë konzollat si një alternative tërheqëse për t’u marrë parasysh, por koha është shumë e shkurtër. Është e nevojshme të kuptohet dhe miratohet një instrument plotësisht i panjohur.

Çfarë do të ndodhë nëse zgjidhja juaj nuk pranohet?

Rrethanat e jashtëzakonshme kërkojnë masa të jashtëzakonshme. Obligacionet e përhershme ose konzollat janë një masë e tillë. Ato as që duhet të konsiderohen në kohëra normale. Por, nëse BE-ja nuk është në gjendje t’i konsiderojë ato tani, ajo nuk do të jetë në gjendje t’i mbijetojë sfidat me të cilat përballet aktualisht. Kjo nuk është një mundësi teorike, por mund të jetë një realitet tragjik.

Koronavirusi dhe ndryshimet e klimës nuk janë vetëm një kërcënim për jetën e njerëzve, por edhe për mbijetesën e qytetërimit tonë.

Bashkimi Evropian është veçanërisht i prekshëm, sepse bazohet në sundimin e të drejtës, e dihet se dhe rrota e drejtësisë ecën shumë ngadalë. Për dallim nga ajo, koronavirusi lëviz shumë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme.

Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet të emetojë obligacione të përhershme. Emetimi i obligacioneve, raporti i shpenzimeve dhe përfitimeve të të cilave është 1:200 hap një hapësirë fiskale jashtëzakonisht të madhe. Paratë që do të mblidhen nuk është e thënë të shpërndahen sipas të ashtuquajturit çelës fiskal, gjegjësisht sipas pjesëmarrjes së vendeve anëtare në BQE. Ato mund të shpërndahen në ato vende që kanë më shumë nevojë. Shumica e fondeve do të shkonin në vendet e jugut, sepse ato ishin më të goditurat, dhe në ato vende fondet do t’u ndihmonin njerëzve që kanë nevojë më të madhe dhe atyre që u nevojiten më së shumti, siç janë fermerët e paregjistruar. Një pjesë e kësaj tashmë po ndodh, por sasia e parave që janë të disponueshme për këtë qëllim duhet të rritet ndjeshëm.

Ju jeni një mbështetës i fortë i fushatës për mbetje në BE. Çfarë mund të bëjë BE-ja për të shmangur Begzit-in? Dhe a duhet ajo ta pengojë largimin e vendeve të tjera anëtare nga Unioni?

Nuk ka nevojë të qahet për qumështin që tashmë është derdhur. Por, çështja se si të parandalohen vendet e tjera të mos e ndjekin shembullin e Mbretërisë së Bashkuar është shumë e rëndësishme.

Unë jam veçanërisht i shqetësuar për Italinë. Mateo Salvini, kreu i partisë LEGA, angazhohet që vendi të largohet nga euroja dhe BE-ja. Për fat të mirë, popullariteti i tij personal u zvogëlua pas largimit të tij nga qeveria, por përpjekjet e tij po bëhen më të fuqishme. Çfarë do të mbetet nga Evropa pa Italinë? Italia ishte vendi me orientim më pro-evropian. Italianët më shumë i besojnë Evropës sesa qeverive të tyre, edhe atë për një arsye të mirë. Por, ata u trajtuan keq gjatë krizës së refugjatëve në vitin 2015. BE-ja i zbatoi të ashtuquajturat dispozita të Dablinit, me të cilat e gjithë barra u lihet vendeve ku kanë ardhur refugjatët për herë të parë dhe nuk ofroi asnjë shpërndarje të barrës financiare. Në atë moment, italianët vendosën të votojnë për partinë LEGA të Salvinit dhe Lëvizjen “Pesë Yjet”, me një avantazh të madh në zgjedhje. Para do kohësh, lehtësimi i rregullave për ndihmë shtetërore në favor të Gjermanisë ka qenë veçanërisht i padrejtë për Italinë, e cila tashmë ishte vendi i sëmurë në Evropë, e pastaj edhe vendi i goditur më keq nga KOVID-19.

Tingëlloni mjaft pesimist.

Përkundrazi. Për sa kohë që mund të propozoj ide të tilla si obligacionet e përhershme, nuk do të heq dorë nga shpresa.

—————————————————

26 Maj 2020