Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Më 10 maj 2021, u mbajt një ngjarje virtuale për të prezantuar raportin nga hulumtimi mbi imazhin e Maqedonisë së Veriut në lidhje me kriteret politike dhe Kapitullin 23 – Gjyqësia dhe të Drejtat Themelore “Imazhi dhe realiteti – Maqedonia e Veriut 2020“ Fjalime hyrëse në këtë ngjarje mbajtën Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Fani Karanfillova-Panovska, si dhe Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq, e në këtë ngjarje folën edhe autorët e raportit.

Hulumtimi “Imazhi i Maqedonisë së Veriut” është konceptuar si një analizë e kornizës normative për politikat dhe proceset në lidhje me kriterin politik dhe Kapitullin 23 – Gjyqësia dhe të Drejtat Themelore, si dhe zbatimin e tyre adekuat që kontribuon në qëndrueshmërinë e përgjithshme dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Në kuadër të hulumtimit, përveç analizës së kornizës normative dhe zbatimit të saj, e me qëllim që të përcaktohet saktësisht imazhi i Maqedonisë së Veriut, monitorohen edhe qëndrimet dhe perceptimet e publikut profesional vendas, si dhe ato të publikut profesional në shtetet anëtare të BE-së.

Hulumtimi përdor 25 tregues nga fushat që kanë të bëjnë me kriterin politik dhe Kapitullin 23, të grupuara në dy dimensione: cilësia e demokracisë dhe qeverisja e mirë, të zbërthyera më tej në gjashtë ndryshore (procesi zgjedhor, qasja në informata dhe liria e fjalës, të drejtat civile dhe liritë politike, sundimi i ligjit, kapaciteti ekzekutiv dhe përgjegjësia ekzekutive). Vlerësimi për secilin nga indikatorët bëhet në një shkallë precize të notave nga 1 (më e ulëta) deri në 10 (më e larta), e strukturuar në mënyrë shtesë në katër kategori të qarta, duke përdorur një shprehje numerike për vlerësimin, si dhe një përgjigje përshkruese që e mbështet dhe e ilustron notën e dhënë. Në këtë mënyrë, dy autorë marrin pjesë në vlerësim (mr. Leposava Ognjanoska dhe mr. Simona Trajkovska) dhe koordinatorja-redaktuese (mr. Andreja Stojkovski). Si burim informacioni dhe vlerësim zyrtar kryesisht përdoret Raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, si dhe raportet e tjera ndërkombëtare për periudhën 2019-2020.

Në fazën e ardhshme të hulumtimit, u zhvilluan intervista me përfaqësues të gjyqësisë, gjyqtarë dhe prokurorë publikë, si dhe nëpunës shtetërorë të përfshirë në proceset kryesore të reformave në lidhje me kriterin politik dhe Kapitullin 23, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të komunitetit akademik të cilët i ndanë pikëpamjet dhe vlerësimet e tyre për secilin nga treguesit e identifikuar. Faza e fundit e hulumtimit e përfshiu përcaktimin e Imazhit të Maqedonisë së Veriut në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përmes intervistave me qytetarë të Bashkimit Evropian. Për këtë studim pilot, u përzgjodh Kroacia, ndërsa u organizuan intervista me një numër të madh të palëve të interesuara, krijues të mendimit publik, ekspertë të sektorëve dhe politikanë.

Hulumtimi tregon se madje në 12 nga treguesit e identifikuar situata reale në lidhje me kriterin politik dhe Kapitullin 23 në Maqedoninë e Veriut është më e mirë, krahasuar me imazhin që ka vendi në mesin e publikut ekspert vendas dhe atij kroat. Imazhi i vendit në mesin e publikut ekspert vendas është më i mirë për sa i përket 6 treguesve, krahasuar me situatën reale. Ndërsa, situata me imazhin e vendit në mesin e publikut ekspert kroat është më e mirë për sa i përket 7 treguesve, krahasuar me situatën reale. Situata reale është më e mirë për sa i përket imazhit që shteti e projekton në fushat e sundimit të ligjit dhe përgjegjësisë ekzekutive. Në dy fusha, qasja në informacion dhe liria e fjalës dhe kapaciteti ekzekutiv, imazhi që shteti ka në mesin e publikut ekspert vendas është më i mirë. Ndërsa, në sytë e publikut ekspert kroat, shteti qëndron më së miri për sa i përket procesit zgjedhor, përkatësisht të drejtave civile dhe lirive politike.

Nga kjo rrjedh se korniza ligjore-institucionale në lidhje me kriterin politik dhe Kapitullin 23 është kryesisht në përputhje me standardet evropiane, megjithëse në disa fusha, siç janë procesi i zgjedhjeve dhe financimi i partive politike, nevojitet një rishikim gjithëpërfshirës. Ritmi i reformës është shumë i ngadaltë, por vendi po rimëkëmbet nga problemet sistemike të identifikuara në raportin e vitit 2015 nga një grup ekspertësh të lartë, e po ashtu ka një klimë dhe presion të ri për të ndërmarrë reforma kryesore.

Hulumtimi u krye në kuadër të projektit “Observatori i BE-së” i zbatuar me mbështetjen financiare nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

Analizën e plotë mund ta gjeni këtu.

—————————————————

11 Maj 2021