Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Sot (10 shkurt), në Hamamin e Daut Pashës, u mbajt promovimi i përmbledhjes “Nga Bukureshti në Prespë – Dëshmitë e një kohe: Maqedonia 2008 – 2018”, botuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni. Përmbledhja është botuar në tre gjuhë – maqedonisht, shqip dhe anglisht, dhe përmban tekste autoriale nga katërmbëdhjetë gazetarë, intelektualë dhe aktivistë të njohur qytetarë – Vasko Magleshov, Katerina Bllazhevska, Ljupço Popovski, Millka Smilevska, Vlladimir Milçin, Biljana Bejkova, Sefer Tahiri, Meri Jordanovska, Sashka Cvetkovska, Mençe Atanasova-Toçi, Dejan Azeski, Gordana Duvnjak, Iskra Novakovska, dhe Nazim Rashidi.

Përmbledhja është dëshmi për një kohë të pakohë, e cila do të mbahet mend si e errët në kujtesën kolektive të qytetarëve tanë. Këto janë vitet kur Evropa na etiketonte si “shtet i robëruar” dhe të cilat, nga kjo distancë jashtëzakonisht e shkurtër historike, do të mbahen mend si “kohë e humbur”.  Por, përmbledhja megjithatë nuk gjurmon pas kohës së humbur. Përmbledhja është këtu për ta ruajtur atë dekadë në kujtesën kolektive të qytetarëve dhe për të lënë gjurmë për një kohë që kurrë nuk duam të kthehet dhe të përsëritet. Autorët si shkrimtarë dhe analistë relevantë, të cilët, para së gjithash, me fjalët e tyre, e disa edhe me punën aktiviste, kanë marrë pjesë në procesin e demaskimit dhe çmontimit të politikave të regjimit që sundoi në Maqedoni gjatë periudhës që është në fokus të përmbledhjes “Nga Bukureshti në Prespë” janë dëshmitarë të asaj kohe.

Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, siç theksoidrejtoresha ekzekutive, Fani Karanfillova-Panovska, gjatë ekzistimit të 27 vjeçar, është e përkushtuar vazhdimisht që një pjesë të burimeve të saj t’i përdorë për të qenë një nga kronistët e rrallë, nëse jo edhe kronisti i vetëm, i historisë së re. “Prandaj, konsideruam se ishte shumë e rëndësishme, megjithëse nga një distancë e shkurtër kohore, të hedhim dritë, të përpiqemi të sigurojmë një rekurs maksimalisht të mundshëm objektiv për atë që nda ka ndodhur në dekadën e lartpërmendur” – tha Karanfillova-Panovska.

Gordan Georgiev, anëtar i Këshillit drejtues të Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni në promovim theksoi se Bukureshti 2008 – Prespa 2018 është një segment shumë i rëndësishëm historik. Nga njëra anë, Bukureshti dhe politikat pas tij shënuan fillimin definitiv të sundimit jodemokratik, të valëve të nacionalizmit, të populizmit dhe njollosjes së vazhdueshme të të gjithë atyre që mendojnë ndryshe. Nga ana tjetër, Marrëveshja e Prespës duhej ta shënonte fillimin e shpresave reale, të bazuara në nevojën për një shtet më të mirë, më demokratik, më të prosperuar, të integruar në BE. Megjithëse, nga këndvështrimi i sotëm, ekuacioni nuk është i qartë dhe rruga jonë drejt BE-së ende është e pasigurt, me ndihmën e kësaj Përmbledhjeje, pas një  distance më të madhe historike, brezat e ardhshëm do të mund të shikojnë prapa dhe ta vlerësojnë atë që është arritur dhe që nuk është arritur në këtë periudhë dhe të nxjerrin leksione dhe mësime të vlefshme.

***

Përmbledhja është në dispozicion edhe në formë elektronike, në maqedonisht, shqip dhe anglisht, në ueb-faqen e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

Versioni në gjuhën maqedonase

Versioni në gjuhën shqipe

Versioni në gjuhën angleze

—————————————————

11 Shkurt 2020