Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

“Koalicioni Rural” është një koalicion i përbërë nga 34 shoqata lokale, një partner i njohur i bujqve, me angazhimin kryesor për ta përmirësuar cilësinë e jetës në zonat rurale, arsimin, organizimin dhe veprimin e përbashkët të bujqve dhe ndikimin në politikat në nivel kombëtar dhe lokal, zhvillimin e barabartë rajonal, promovimin dhe forcimin e organizatave të shoqërisë civile. Ky koalicion gjithashtu ka një spektër të gjerë aktivitetesh, duke filluar nga aktivitetet në terren, e deri te monitorimi, ndjekja e rregullativës ligjore kombëtare dhe të BE-së, krijimi i dokumenteve për politika publike dhe ndikim. Barazia gjinore, përfshirja e pakicave etnike dhe e kategorive të cenueshme të qytetarëve janë tema të cilave Koalicioni gjithashtu u kushton vëmendje.

“Të drejtat themelore të njeriut dhe barazia gjinore – Sfidat për praktikimin në zonat rurale” është një projekt i implementuar nga “Koalicioni Rural”, që përqendrohet në gratë nga zonat rurale të pesë rajoneve të planifikimit (Rajoni i Pellagonisë, Pollogut, Jugperëndimit, Verilindjes dhe Juglindjes), të cilat e kuptojnë, por gjithashtu edhe kontribuojnë në procesin e anëtarësimit në BE duke i avancuar të drejtat e tyre dhe barazinë gjinore në përputhje me proceset e reformave nga Kapitulli 23.

Bujqësia dhe zhvillimi rural konsiderohen si një nga kapitujt më të gjerë, të cilave do të duhet kushtuar vëmendje e madhe kur do të fillojë procesi i negociatave, por gjithashtu është një kapitull shumë i ndjeshëm, i cili do të përfshijë mbi 170.000 ekonomi bujqësore. Duke pranuar se gratë në zonat rurale, veçanërisht ato që merren me bujqësi, nuk kanë të njëjtin pozicion dhe nuk i gëzojnë të njëjtat të drejta si bashkëqytetarët në zonat urbane, dhe as nuk i kuptojnë proceset e integrimit në BE në të njëjtin nivel, ky kapitull është ndërthurur, de fakto, edhe me temat horizontale, siç janë të drejtat themelore të njeriut dhe barazia gjinore.

Gratë fermere shumë më shpesh përballen me diskriminim. Një shembull është pamundësia për ta shfrytëzuar pushimin e lehonisë, pavarësisht faktit që si fermere të regjistruara paguajnë kontribute. Një shembull i diskriminimit me të cilin përballen gratë fermere rurale, është edhe rasti me Programin e Zhvillimit Rural, qëllimi kryesor i të cilit është të jetë një program kalimtar për IPARD-in dhe fondet e BE-së. Në fakt, vetëm gratë që jetojnë në lartësi mbidetare mbi 700 metra, të cilët janë të martuara, kanë të paktën një fëmijë, etj., mund të marrin mbështetje përmes këtij programi, i cili që në fillim i vë ata në një pozitë më pak të favorshme nga ato që nuk janë të martuara, që janë prindër të vetëm ose që nuk kanë fëmijë. Ajo që është gjithashtu alarmante është se gratë nga zonat rurale nuk janë të vetëdijshme për të drejtat e tyre dhe për këtë arsye nuk reagojnë ndaj masave diskriminuese të këttilla ose të ngjashme, gjë që i vë gratë rurale në një situatë vërtet të palakmueshme.

Me aktivitetet e planifikuara, të tilla si hulumtimi, analiza krahasuese, si dhe materialet informative, projekti do të përpiqet ta përcaktojë situatën reale në zonat rurale me të drejtat ekonomike dhe sociale të grave dhe të bëjë një krahasim me vendet anëtare të BE-së për shkallën e praktikimit të barazisë gjinore si pjesë e Kapitullit 23.

Në të njëjtën kohë, duke e njohur faktin se për të kontribuar në një proces të caktuar, është thelbësore që ai të njihet mirë, projekti do të përpiqet të informojë dhe t’i forcojë njohuritë e grave nga zonat rurale për ushtrimin e të drejtave të tyre dhe avancimin e barazisë gjinore në lidhje me Kapitullin 23. Të informuara dhe me njohuri dhe kapacitete të forcuara, gratë nga zonat rurale do të jenë të gatshme të japin një kontribut aktiv në procesin e ndërtimit të pozicioneve dhe qëndrimeve për ta avancuar barazinë gjinore në zonat rurale.

“Të drejtat themelore të njeriut dhe barazia gjinore – Sfidat për praktikimin në zonat rurale” është njëri nga 15 projektet e organizatave të shoqërisë civile të mbështetura nga FSHM-ja për zbatimin e aktiviteteve që do të kontribuojnë për ta kuptuar më mirë procesin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Për më shumë informata për punën e “Koalicionit Rural””, si dhe për aktivitetet e projektit, ndiqni ata në ueb-faqen e tyre dhe në faqen në Facebook.

—————————————————

2 Qershor 2020