Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Sindikata e Pavarur Akademike (SPA) më 27.09.2019 (e premte) në Qendrën kulturore “Kino Kultura” organizoi një konferencë për shtyp ku i prezantoi rezultatet e fazës së parë të hulumtimit në kuadër të projektit “Transparenca dhe llogaridhënia financiare në arsimin e lartë dhe në shkencë në RMV”. Projekti është mbështetur nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni. Në konferencën për shtyp rezultatet e hulumtimit të tyre i prezantuan Prof. Dr. Mirjana Najçevska, dhe Doc. dr. Branimir Jovanoviq. Konferencën për shtyp e udhëhoqi prof. Maja Stevanoviq, kryetare e SPA.

Prof. Dr. Mirjana Najçevska i prezantoi konkluzionet e hulumtimeve të saj mbi disponueshmërinë e buxhetit të MASH-it, si dhe të analizës së realizuar për lexueshmërinë dhe qartësinë e tij në prezantimin e zërave individualë të buxhetit, të analizës së ligjeve për ekzekutimin e buxheteve dhe të analizës së rebalanceve të buxhetit që kanë të bëjnë me arsimin dhe shkencën.

Prof. Najçevska vuri në dukje se në praktikë buxheti i MASH-it formalisht është i disponueshëm në formën e tij përfundimtare, megjithatë, formalisht nuk janë të disponueshme fazat e ndryshme të krijimit të buxhetit. Pjesa më e madhe e të dhënave mund të merren vetëm përmes institutit: qasje në të dhënat publike. Për më tepër, formati në të cilin buxheti aktualisht u ofrohet qytetarëve në dokumentet zyrtare nuk mundëson kuptim të zërave/ndarjeve individuale, nuk ofron paraqitje të sakta me kuptim të qartë dhe nuk ofron shpjegim të shumave në tërësinë e tyre dhe në segmentet individuale. Sipas prof. Najçevskës që një buxhet të jetë ekonomik, efikas dhe efektiv në krijimin e tij duhet të përfshihen nevojat dhe interesave reale të shfrytëzuesve të buxhetit. RMV-ja gjendet në nivelin më të ulët sa i përket mundësisë për pjesëmarrje në krijimin e buxhetit të MASH-it.

Dr. Branimir Jovanoviq i prezantoi gjetjet e tij që rrjedhin nga analiza krahasuese e strukturës së buxhetit të MASH-it gjatë pesë viteve të fundit, me theks të veçantë në zërat buxhetorë për arsimin e lartë dhe shkencën dhe realizimin e zërave të paraparë të buxhetit.

Sipas dr. Jovanoviqit, mjetet që ndahen nga buxheti i shtetit për arsimin në RMV janë ndër më të ulëtat në Evropë. Ato përbëjnë rreth 3.7% të PBB-së dhe vetëm katër vende evropiane kanë nivele më të ulëta. Gjatë tetë viteve të fundit, vërehet një trend i rënies së vazhdueshme të mjeteve për arsimin, duke i përfshirë edhe mjetet që ndahen për arsimin e lartë, me ç’rast 1.1% të PBB-së në 2010 u zvogëluan në 0.8% në vitin 2018, me çka përsëri janë në mesin e më të ulëtave në Evropë. Mjetet që u investuan në shkencë në RMV janë jashtëzakonisht të ulëta dhe vetëm një pjesë e tyre orientohen për ta mbështetur punën shkencore-hulumtuese, ndërsa pjesa tjetër dedikohet për financimin e instituteve shkencore.

—————————————————

27 Shtator 2019