Më 9 shkurt 2022, organizata “think tank” “Analitika” në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëri e Hapur – Maqedoni mbajti një ngjarje publike ku i prezantoi gjetjet e analizës së katër lirive në kuadër të integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor (lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit) dhe gjetjet nga hulumtimi “Perceptimi i kompanive të orientuara drejt eksportit në Maqedoninë e Veriut për Iniciativën e Ballkanit të Hapur”.
Kryeministri Kovaçevski, i cili foli në këtë ngjarje, theksoi se iniciativa “Ballkani i Hapur” hap mundësinë e fshirjes së kufijve si barriera administrative dhe mundëson realizimin e katër lirive evropiane për lëvizjen e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Ai pret që përveç Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, edhe vende të tjera të bëhen pjesë e Ballkanit të Hapur. Ai theksoi se në këtë mënyrë i lidhim ekonomitë, bëhemi më konkurrues dhe akoma më të përgatitur për zhvillim të mëtejshëm. Kovaçevski theksoi se qytetarët në këto vende do të kenë përfitime të drejtpërdrejta ekonomike. “Ballkani i Hapur” dhe kjo nismë nuk është alternativë ndaj anëtarësimit në BE, por një aktivitet plotësues për zbatimin e vlerave evropiane në nivel rajonal.
Fani Karanfillova-Panovska, Drejtoreshë Ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni, me mbështetjen e të cilit është bërë hulumtimi, theksoi se kur flitet për Ballkanin e Hapur, para së gjithash, bëhet fjalë për tejkalimin e pengesave ekonomike dhe tregtare, por, siç theksoi, në përgjithësi, edhe të barrierave sociale që e ngadalësojnë rritjen në përgjithësi, e mbi të gjitha rritjen e ekonomisë në rajon. Ajo theksoi se zbatimi i katër lirive dhe krijimi i një tregu të vetëm rajonal të modeluar sipas tregut të vetëm të BE-së ka një potencial të madh për të nxitur tregtinë dhe shkëmbimin, për të nxitur dhe rritur punësimin, për të rritur dhe ekonomizuar përdorimin e burimeve në rajon, por edhe për rritjen e investimeve. Në këtë mënyrë jo vetëm që do të lehtësohet, por edhe do të përmirësohet në planin afatmesëm dhe afatgjatë, jeta e të gjithë qytetarëve në rajon, theksoi Fani Karanfillova-Panovska. Sipas saj, “Ballkani i Hapur” është një iniciativë për një të ardhme më të mirë të përbashkët, e cila ofron jo vetëm një standard më të lartë jetese për të gjithë, por edhe siguri dhe paqe, dhe një iniciativë që do t’i lërë në të kaluarën keqkuptimet e vendeve fqinje në rajon.
Tamara Mijoviq Spasova nga “Analitika” theksoi se sipas të gjeturave të hulumtimit, një përqindje shumë e madhe e kompanive besojnë se iniciativa “Ballkani i Hapur” ka një rëndësi të madhe për ta për shkak të mundësive për të përmirësuar punën dhe për të arritur rritje më të madhe të kompanive. Një përqindje dërrmuese prej 96,4% e të anketuarve thanë se kjo iniciativë do të hapte mundësi të reja për kompaninë e tyre, në krahasim me vetëm 3,6% që e mendojnë të kundërtën.
Shumica e kompanive në hulumtim besojnë se aktualisht nuk ka pengesa për bashkëpunimin ekonomik në rajon. Nëntë nga dhjetë të anketuar (89,3%) thanë se nuk ka pengesa për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet vendeve të rajonit, ndërsa 10,7% përmendën probleme dhe pengesa konkrete. Pengesat e përmendura zakonisht janë qëndrimet e gjata në kufi, dokumentacioni i madh dhe problemet e tjera administrative që e ngadalësojnë ose e ndërlikojnë punën.
Për sa i përket shkëmbimit tregtar, shumica (70%) e kompanive tregtojnë me Serbinë, 53,3% bëjnë shkëmbim tregtar me Kosovën, 46,6% eksportojnë në Shqipëri, e më pas vijnë Mali i Zi me 26,6% dhe Bosnja dhe Hercegovina me 20%. Këtu shihet potenciali për një bashkëpunim edhe më të madh tregtar ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të rajonit. Nga analizat dhe pyetjet e tjera, dallohen disa gjetje të rëndësishme në lidhje me lëvizjen e njerëzve. Spasova theksoi se sipas hulumtimit, një përqindje e lartë e kompanive konsiderojnë se iniciativa do ta lehtësojë lëvizjen e njerëzve në tërësi (79,3%) ose në masë të madhe (17.2%).
Bojana Mijoviq Hristovska nga “Analitika” konsideron se Maqedonia e Veriut ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në lëvizjen e lirë të kapitalit, veçanërisht në sferën e harmonizimit të rregulloreve vendore me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Me liberalizimin shtesë të transaksioneve financiare kapitale, personat juridikë dhe fizikë mund të investojnë në pasuri të patundshme dhe në letra me vlerë jashtë vendit. Është hartuar një Ligj i ri për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave (kjo do të zgjerojë listën e ofruesve të shërbimeve të pagesave dhe grupin e shërbimeve të pagesave, do të hapë tregun e shërbimeve të pagesave për lojtarë të rinj, veçanërisht për ata në sektorin fin-tech, nga të cilët pritet se do të ofrojnë zgjidhje inovative për kryerjen e pagesave që do të jenë më të shpejta, më të lira dhe më të lehta për t’u përdorur). Në të njëjtën kohë, u krijua një Regjistër i pronarëve të vërtetë – me të cilin u tejkalua njëra nga vërejtjet e Komisionit Evropian e shënuar në Raportet për Maqedoninë e Veriut në vitet e kaluara.
Iniciativat e këtilla janë të mira dhe të dobishme për kompanitë. Megjithatë, Hristovska shton se ata nuk mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë sepse vendet e Ballkanit kanë ende mosmarrëveshje dypalëshe të pazgjidhura që e rëndojnë edhe bashkëpunimin ekonomik.
Sipas “Analitikës”, sfidat kryesore me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor në përkushtimin e tyre ndaj perspektivës evropiane, si zgjedhje strategjike vendimtare të tyre mund të ndahen në disa grupe, si më poshtë:
- forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi dhe stabiliteti rajonal që kërkon veprim të koordinuar individual dhe kolektiv nga vendet,
- luftë më e fortë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe sundimi i ligjit
- vazhdimi i reformave për anëtarësim në BE dhe thellimi i mëtejshëm i integrimit ekonomik rajonal mbi bazën e rregullave dhe standardeve të BE-së.
Analiza dhe hulumtimi janë kryer në kuadër të projektit “INTEGRIMI EKONOMIK I BALLKANIT PERËNDIMOR – mini-Shengen, bashkëpunim ekonomik rajonal dhe tregu i përbashkët rajonal – hartëzimi i progresit – mundësi për afrimin e Maqedonisë së Veriut me tregun e brendshëm të BE-së”, i mbështetur nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni.
Incizimi i debatit:
—————————————————
9 Shkurt 2022