Ndërmarrjet sociale janë të rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie të hapur, demokratike – përmes punës së tyre ata japin një shembull për atë se si mund të mendohet ndryshe dhe si duhet qasur çështjeve serioze, duke bërë me këtë rast ndryshime të mëdha shoqërore. Duke përdorur mjete dhe teknika të ndryshme biznesi, ndërmarrjet sociale zhvillojnë ide dhe zgjidhje inovative për problemet ekzistuese, e ngrenë vetëdijen për to, por edhe i motivojnë qytetarët dhe komunitetet që të jenë të vetëdijshëm dhe aktivë. Ndërmarrjet sociale janë efikase dhe efektive në krijimin e ndryshimeve të qëndrueshme pozitive shoqërore.
Duke marrë parasysh potencialin e tyre të madh, Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedonia vazhdimisht përpiqet për zhvillimin e ndërmarrësisë sociale. Për këtë qëllim, FSHHM-ja, në bashkëpunim me Fondacionet e Shoqërisë së Hapur dhe Fondacionin CEED, prej 14 deri në 18 tetor të vitit 2019 mbajti një trajnim për ndërmarrësinë sociale në Ohër, qëllimi i të cilit ishte ngritja e kapaciteteve individuale të pjesëmarrësve, por edhe i organizatave për themelimin dhe zhvillimin e ndërmarrjeve sociale. Përmes transferimit të njohurive dhe aftësive për të zhvilluar model të qëndrueshëm biznesi për ndërmarrje sociale, 10 shoqatat që punojnë për të siguruar ndihmë juridike dhe para-juridike falas, fituan njohuri që do t’u ndihmojnë ta përmirësojnë vetë-qëndrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e aktiviteteve që i kanë ndërmarrë deri më tani me ndihmën e parave të donatorëve.
Përveç trajnimit të realizuar, ky projekt gjithashtu përfshin edhe mentorim përmes takimeve të rregullta me konsulentë me përvojë të biznesit, lidhje dhe rrjetëzim përmes ngjarjeve për “peer learning” (mësimit nga kolegët), si dhe hapje të mundësive për qasje në burime shtesë të financimit, duke u ndihmuar shoqatave të formojnë një model të qëndrueshëm pune.
—————————————————
24 Tetor 2019