Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Aktivizmi kreativ, si një formë e aktivizmit qytetar, qartë i vizualizon problemet, e shumë shpesh edhe arrin të kontribuojë për zgjidhjen e tyre. Kur arti vihet në funksion, mund të bëjë ndryshime reale. I vetëdijshëm për këtë potencial të artit, Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni vazhdimisht mbështet aktivitete kreative përmes të cilave komunitetet lokale veprojnë në mënyrë aktive në komunitetet e tyre, zbulojnë probleme lokale dhe alarmojnë për të në mënyrë adekuate. Përmes veprimeve kreative hapen çështje të rëndësishme lokale, por gjithashtu hapet edhe mundësia për të ndikuar drejtpërdrejt në punën e pushtetit lokal.

Një nga shembujt e shumtë është aksioni kreativ “Revolucioni i heshtur” në Tetovë. Të revoltuar nga fakti që të njëjtat premtime të politikanëve përsëriten çdo katër vjet, e në të vërtetë asgjë nuk ndryshon, “Revolucioni i heshtur” organizoi ndriçimin e lagjes së studentëve në Tetovë.

Bëhet fjalë për një lagje, në të cilën banojnë kryesisht studentë, e ku studentët jetojnë si në mesjetë, në një lagje me infrastrukturë të shkatërruar, mbeturina të hedhura kudo, përgjithësisht në kushte të këqija dhe në errësirë.

Aktivistët nga Tetova instaluan ndriçimin publik, duke e bërë rrugën të kalueshme dhe të sigurt për studentët.

Me këtë veprim, “Revolucioni i heshtur” e vuri në dukje dhe shumë shpejt e bëri të dukshëm për publikun e gjerë problemin me lagjen e studentëve, ndaj të cilit komuna e Tetovës reagoi shumë shpejt. Aktualisht, në lagjen e studentëve janë duke u zhvilluar punimet e ndërtimit, duke mbuluar me pllaka bekatoni një sipërfaqe prej rreth 2700 m2, e poashtu është duke u bërë rregullimi i gjithsej 8 rrugicave në këtë vendbanim me një sipërfaqe prej gati 3000m2. Në të njëjtën kohë, është duke u punuar në rregullimin e ndriçimit publik, mbjelljen e fidanëve të drurëve dhe vendosjen e koshave për mbeturina. Studentët tani do të kenë kushte të mira dhe një vend të sigurt për të jetuar.

Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni mbetet i përkushtuar për të mbështetur qytetarët në përpjekjet e tyre për të bërë ndryshime për të mirë, si dhe për zhvillimin dhe mbështetjen e aktivizmit kreativ si një formë e aktivizmit qytetar që kontribuon në zgjidhjen më të shpejtë dhe më efektive të problemeve që i prekin drejtpërdrejt qytetarët .

—————————————————

8 Mars 2021