Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Filloi fushata “Shkruani të ardhmen tuaj shkronjë pas shkronje” në kuadër të projektit “Të rregullt në orë – aksion për përfshirjen e romëve në arsimin fillor”.

Fushata synon të rrisë vetëdijen për vlerësimin e diversitetit dhe të sigurojë mbështetje shtesë për nxënësit romë që vijnë nga familje të varfra. Në të njëjtën kohë, t’i motivojë prindërit romë që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në arsimin fillor, por ajo që është veçanërisht e rëndësishme është që me këtë fushatë projekti synon të fillojë një debat që në planin afatgjatë do të mundësonte ndryshim në sjelljen dhe perceptimin e publikut dhe të institucioneve në lidhje me këto çështje dhe kontribuojë në krijimin e narrativeve pozitive në lidhje me dhe ndaj romëve.

Të gjithë fëmijët kanë të drejtë për arsim cilësor, ndërsa përfitimet për shoqërinë janë të mëdha kur të gjithë fëmijët kanë qasje në arsim cilësor dhe kur potencialet e secilit fëmijë shfrytëzohen në maksimum. Arsimi u jep fëmijëve një shans, që nga fillimi i zhvillimit të tyre, të jenë kureshtarë, të mësojnë, të zbulojnë gjëra të reja dhe t’i përmbushin potencialet dhe ëndrrat e tyre. Në këtë kontekst, fëmijët që rriten në kushte të vështira ose të rënda kanë nevojë për vëmendje shtesë dhe mbështetje shtesë, e cila do t’u siguronte atyre një mundësi të barabartë që t’i shfrytëzojnë potencialet e tyre. Kjo lloj mbështetjeje është prioriteti më i lartë i çdo shoqërie që e vlerëson shumëllojshmërinë dhe përfshirjen.

Arsimi cilësor është arsim që është gjithëpërfshirës, që përmes të gjitha proceseve e vlerëson shumëllojshmërinë dhe kontributet unike që secili nxënës i jep në klasë dhe i plotëson nevojat e të gjithë fëmijëve në mënyrë të barabartë. Arsimi cilësor ofron mundësi të barabarta për zhvillimin e të gjithë fëmijëve pavarësisht nga prejardhja e tyre, statusi ekonomik, ngjyra e lëkurës, etj. Ndërsa arsimi që përjashton dhe veçon, nga ana tjetër, vazhdon të diskriminojë grupet e margjinalizuara tradicionalisht dhe e pamundëson zhvillimin e fëmijëve si individë dhe të shoqërisë në tërësi.

Arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës luan një rol të rëndësishëm në një shoqëri demokratike: e zvogëlon varfërinë, e rrit zhvillimin ekonomik, e përmirëson statusin shëndetësor të qytetarëve. Roli i arsimit në promovimin e vlerave demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut është i padiskutueshëm. Përvoja tregon se kur arsimi është cilësor dhe gjithëpërfshirës, atëherë edhe konceptet e pjesëmarrjes qytetare, punësimi dhe jeta në komunitet janë gjithashtu më gjithëpërfshirëse.

Në kuadër të fushatës janë përgatitur disa materiale të tilla si spote televizive, komunikim për rrjetet sociale dhe reklamimi i jashtëm. Fokusi i fushatës është e drejta e fëmijëve për t’i ndjekur ëndrrat e tyre. Të mësojnë, të eksplorojnë, të jenë të përkushtuar dhe këmbëngulës dhe ta bëjnë botën një vend më të mirë. Të gjithë fëmijët kanë të drejtë për mundësi të barabarta, arsim cilësor dhe shans për një të ardhme në të cilën të gjitha ëndrrat e fëmijërisë bëhen realitet. Fushata i bën thirrje publikut dhe institucioneve të bëjnë ndryshim dhe t’u japin të gjithë fëmijëve një shans për t’i realizuar ëndrrat e tyre.

Shikoni videot e përgatitura këtu:

 

“Të rregullt në orë: aksion për përfshirjen e romëve në arsimin fillor” është projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, dhe i zbatuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni në partneritet me Fondacionin për Iniciativa Arsimore dhe Kulturore “Hap pas hapi” dhe Shoqatën – Qendra për Mbështetje Arsimore “Dendo Vas”

—————————————————

2 Tetor 2020