Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Më 30 shtator, u mbajt e-konferenca “Partneriteti për Qeveri të Hapur – Dialog mbi Planin Kombëtar Aksional 2021-2023”, në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve si dhe të shoqërisë civile dhe përfaqësues të PQH.

Republika e Maqedonisë së Veriut është pjesë e iniciativës globale të Partneritetit për Qeveri të Hapur, një platformë ndërkombëtare përmes së cilës institucionet dhe shoqëria civile bashkëpunojnë mes tyre për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie të autoriteteve ndaj qytetarëve. Në përputhje me detyrimet e pranuara, Maqedonia e Veriut ka miratuar katër Plane aksionale (2012, 2014, 2016 dhe 2018) dhe në gjashtë muajt e ardhshëm vendi do të punojë në Planin e pestë aksional 2021 – 2023, një proces në të cilin pritet të përfshihen të gjithë palët e interesuara.

Konferencën e hapi Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, JETON SHAQIRI, i cili vuri në dukje se në vitet e kaluara Republika e Maqedonisë së Veriut ka bërë përparim në fushat që kontribuojnë në realizimin e parimeve themelore të Partneritetit për Qeveri të Hapur. U ndërmorën një numër aktivitetesh për të ndërtuar raporte partneriteti me qytetarëz dhe kompanitë në formësimin e politikave kombëtare dhe krijimin e legjislacionit kombëtar, strategjive dhe iniciativave. Sipas Ministrit, kjo qasje gjithmonë kontribuon në arritjen e rezultateve të mira dhe legjislacionit më cilësor, ndërsa prioritet i lartë mbetet përmirësimi i të gjitha mekanizmave që e garantojnë përfshirjen dhe partneritetin midis institucioneve dhe shoqërisë civile si bazë për ndërtimin e një shoqërie demokratike.

Zëvendës-Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të RMV-së, MIKI MILLKOVSKI theksoi se Kuvendi është një institucion i hapur për publikun, i cili është gjithashtu një nga qëllimet kryesore strategjike, sipas të cilit Kuvendi vendosi t’i bashkëngjitet me iniciativën e Partneritetit për Qeverisë të Hapur. Në të njëjtën kohë, Plani Strategjik i rishikuar i Kuvendit për periudhën 2020-2022 dhe qëllimi i përcaktuar strategjik i Kuvendit të Hapur shprehin vendosmërinë për qeverisje të hapur dhe pjesëmarrje në Partneritetin për Qeveri të Hapur. Qëllimi strategjik përfshin gjithashtu promovimin e kulturës dhe hapjes, duke përfshirë publikun e informuar dhe kategoritë e cenueshme të qytetarëve, një kanal parlamentar të përmirësuar, një ueb-faqe të kërkueshme lehtësisht, përdorimin proaktiv të rrjeteve sociale dhe pushtet legjislativ transparent në aspekt të buxhetit. Ajo që është e rëndësishme është që të zhvillohet vetëdija institucionale e punonjësve për nevojën për një shkallë më të lartë të hapjes së institucionit dhe përfitimet e tij.

POL MASEN, Shef për Mbështetjen e Vendeve në PQH, theksoi se  ai me të vërtetë i çmon të gjitha arritjet e bëra deri më tani dhe progresin e bërë që kur vendi iu bashkëngjit iniciativës së PQH-së në vitin 2011. Duke marrë parasysh specifikat e kohës në të cilën jetojmë dhe krizat e ndryshme me të cilat përballemi, duke përfshirë atë shëndetësore, ekonomike, por edhe krizën e proceseve demokratike dhe besimin në institucione në përgjithësi, sfidat me të cilat përballet iniciativa PQH janë të mëdha. Ambicia e PQH gjatë formimit të saj ishte të krijohen kushte për një pushtet të hapur që do të rezultojë me një pushtet më efikas, më efektiv, që do të gëzojë një besim më të madh. Në vitin 2020, këto angazhime mbeten prioritet, veçanërisht në kushte të pandemisë së Kovid-19 dhe proceseve të dëmtuara demokratike globalisht. Ambicia për të krijuar një pushtet që me të vërtetë u shërben qytetarëve të tij, ndërsa përfshirja aktive e qytetarëve të bëhet edhe pas zgjedhjeve, është një ide e thjeshtë, por e mrekullueshme.

“Përparimi në vend është i dukshëm dhe ne jemi të kënaqur që reformat qeveritare në lidhje me pushtetin e hapur si koncept janë përfshirë në planin e qeverisë 2020-2024 dhe se qeveria është e përkushtuar në idenë e Partneritet për Qeveri të Hapur” – theksoi Masen dhe i përshëndeti reformat siç janë transparenca fiskale dhe përfshirja e shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes. Por, në të njëjtën kohë, ai theksoi se ka gjithnjë hapësirë për përmirësim, dhe në atë drejtim, qeveria duhet ta përdorë energjinë dhe entuziazmin që e posedon dhe të vendosë disa qëllime seriozisht ambicioze në Planin e ri aksional. Ndërsa afrohet 10 vjetori i bashkëpunimit të RMV-së me PQH-në, është veçanërisht e rëndësishme që autoritetet në Maqedoninë e Veriut të sigurojnë procese dhe ide reale, serioze transformuese, të cilat do të sigurojnë një mënyrë të re, efikase dhe efektive në të cilën autoritetet do t’u shërbejnë qytetarëve.

GORDANA GAPIQ-DIMITROVSKA, Koordinatore Kombëtare për PQH në RMV theksoi se partneriteti për qeveri të hapur është një proces dhe zhvillim i vazhdueshëm që kërkon angazhim të vazhdueshëm. Ajo theksoi se vullneti politik është i rëndësishëm, por më e rëndësishme është që sot kemi një administratë, nëpunës profesionalë të përkushtuar që e kuptojnë saktësisht se çfarë do të thotë partneriteti për qeveri të hapur dhe ne kemi më shumë sesa partnerë në organizatat e shoqërisë civile. Partneriteti për Qeveri të Hapur sjell përfitime të shumta për shoqërinë dhe përmes kësaj iniciative përvoja tregon se problemet mund të adresohen dhe të zgjidhen – si rezultat i partneritetit për qeveri të hapur sot kemi një sistem funksional të të dhënave të hapura, portal për financa të hapura, thesar shtetëror të hapur, mbrojtje të përmirësuar të informatorëve etj. Në periudhën e ardhshme paraqitet sfida e hartimit të Planit aksional 2021-2023, i cili në bazë të përvojave të deritanishme duhet të jetë një plan i vogël, kompakt, por me të vërtetë transformues dhe i përqendruar, që do të japë rezultate të dukshme.

Në panelin e dytë në temën e përfitimeve nga PQH-ja dhe rëndësia e përfshirjes së të gjitha palëve të interesuara në proces, diskutuan MARTIN TODEVSKI nga Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve, bashkëkryetar i Këshillit për Koordinim dhe Monitorim të PQH-së, IVONA STALEVSKA nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, koordinatore e rrjeteve të organizatave të shoqërisë civile për PQH, ZLLATKO ATANASOV nga Instituti Parlamentar pranë Kuvendit të RMV-së, ZHARKO HAXHI-ZAFIROV nga Qendra për Hulumtime dhe Analiza Juridike, DANIELA ARSENOVA – LLAZAROVA, koordinatore për zhvillim ekonomik lokal në Komunën e Sveti Nikoles. Moderator i sesionit ishte DARKO ANTIQ nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE.

Martin Todevski theksoi se Këshilli për PQH si organ drejtues i procesit, i përbërë nga 14 anëtarë nga institucionet dhe shoqëria civile është modeli i vetëm i menaxhimit të përbashkët të këtij lloji. Ai është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse i përfshin të gjitha palët e interesuara në një vend dhe në procesin e vendimmarrjes janë të përfshira në mënyrë të barabartë si institucionet ashtu edhe organizatat e shoqërisë civile.

Ivona Stalevska nga FSHHM-ja i nënvizoi karakteristikat e Rrjetit të organizatave qytetare për Partneritet të Hapur Qeveritar që u formua në prag të përgatitjes së planit të ri (të pestë) kombëtar aksional, me qëllim që organizatat qytetare të veprojnë dhe të ndikojnë në krijimin e tij, si dhe të inkurajohen dhe ta monitorojnë zbatimin e planit aktual dhe planeve të ardhshme aksionale. Rrjeti i OShC-ve për PQH është përfaqësues dhe përfshin 69 organizata që punojnë me grupe të ndryshme, ndërsa roli i rrjetit është që ta mobilizojë dhe ta koordinojë përfaqësimin e shoqërisë civile për çështjet e PQH-së. Rrjeti do të kontribuojë për të krijuar një strukturë të re për konsultim dhe koordinim në shoqërinë civile dhe midis qeverisë, organizatave të shoqërisë civile, qytetarëve dhe palëve të tjera të interesuara për të hartuar, zbatuar, mbështetur, promovuar dhe monitoruar prioritetet dhe iniciativat për PQH.

Zllatko Atanasov vuri në dukje se në Kuvend, si një palë e interesuar e përfshirë në procesin e PQH-së, gjatë viteve të punës në konceptin e pushtetit të hapur, është arritur një situatë në të cilën procesi njihet dhe vendoset si prioritet. PQH-ja për Kuvendin nuk është vetëm një koncept për bashkëpunim të hapur me organizatat e shoqërisë civile dhe hapje ndaj qytetarëve, por ai gjithashtu mundësoi që pavarësia e Kuvendit të pozicionohet në nivelin e angazhimit strategjik, edhe atë për pavarësi administrative, funksionale, të sigurisë dhe financiare të institucionit. PQH-ja gjithashtu i mundësoi Kuvendit që ta rishikojë kulturën e hapjes dhe të sigurojë mekanizma që do t’u sigurojnë qytetarëve qasje të hapur në organin ligjdhënës, siç janë proaktiviteti i përgjithshëm i Kuvendit, pjesëmarrja e qytetarëve në procesin legjislativ, por edhe publikimi dhe rishikimi proaktiv i dokumenteve të prodhuara nga Kuvendi, si dhe diversifikimi i kanaleve përmes të cilave u transmetohen informatat qytetarëve.

Zharko Haxhi-Zafirov para pjesëmarrësve të konferencës theksoi se Qendra për Hulumtime dhe Analiza Juridike së bashku me Gjykatën Supreme dhe gjykatat e tjera të larta në Maqedoninë e Veriut e ka filluar procesin e bisedimeve për gjyqësi të hapur. Në gjyqësinë tonë, nuk bëhet dallim midis hapjes dhe transparencës. Para nesh është një periudhë që do të jetë sfidë për sa i përket shpjegimit, e gjyqësia ta pranojë atë se çka do të thotë saktësisht gjyqësi e hapur duke pasur parasysh që gjyqtarët dhe nëpunësit konsiderojnë se nëse ata punojnë në mënyrë transparente, kjo do të thotë se gjyqësia është e hapur. Në bashkëpunimin e deritanishëm me gjykatat e larta, u sigurua një pëlqim unanim për pjesëmarrje në proces dhe në bazë të atij pëlqimi, së bashku me ta është përgatitur një plan aksional për gjyqësi të hapur, i cili është ndarë me PQH-në në Londër dhe Koordinatorin Kombëtar. Ideja është që në procesin e gjyqësisë së hapur të krijohet një organ që do të ketë përfaqësues të gjykatave të larta, të gjykatave themelore në një pjesë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe pjesës tjetër të profesionistëve të kësaj fushe në mënyrë që të hartohet një Strategji për Gjyqësi të Hapur.

Daniella Arsenova – Llazarova theksoi se pushteti lokal e sheh PQH-në lokale si bazë për një model afatgjatë të bashkëpunimit me një plan aksional të përcaktuar qartë se si duhet të jetë zhvillimi në të ardhmen. Procesi i PQH-së në nivelin lokal është i një rëndësie të veçantë sepse përfshin pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe të organizatave të shoqërisë civile dhe deri më tani procesi ka inkurajuar disa iniciativa drejtpërdrejt nga qytetarët, të cilat zbatohen edhe sot e kësaj dite dhe kanë potencial për zhvillim. Në të ardhmen, PQH-ja lokale do të synojë të rrisë transparencën fiskale të vetëqeverisjes lokale, të përmirësojë shërbimet komunale në fushën e urbanizmit, shërbimeve komunale, arsimit, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik lokal, etj., por edhe publikimin proaktiv të informatave me karakter publik.

Darko Antiq theksoi se diskutimi në panel, tregon përgjithësisht se PQH-ja ofron një qasje të përcaktuar dhe të organizuar, ofron mundësi për bashkëpunim midis institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve, pjesëmarrje të përbashkët dhe vendimmarrje të përbashkët, duke i dhënë në njërën anë mundësinë OShC-ve për të marrë pjesë në mënyrë aktive, e nga ana tjetër duke u mundësuar institucioneve të përdorin njohuritë dhe përvojën e shoqërisë civile në shumë segmente. Rrjetëzimi i OShC-ve për nevojat e procesit të PQH mundëson veprim të mobilizuar, të harmonizuar dhe të koordinuar në fusha të ndryshme dhe me përvojë të ndryshme, duke i dhënë një zë të fortë OShC-ve gjatë gjithë procesit.

Tema e panelit të tretë në të cilin folën GERMAN FILLKOV nga Qendra për Komunikime Qytetare, anëtar i Këshillit për Koordinim dhe Monitorim të PQH-së, SANDRA PRENAR, Koordinatore e Lartë Rajonale për Evropën, PQH dhe MARIJA NIKOLLOVSKA ARSOVSKA nga Fondacioni Metamorfozis dhe Platforma online PQH, ishin hapat e ardhshëm në zhvillimin e Planit Kombëtar Aksinal 2021-2023, si dhe prioritetet dhe fushat prioritare që duhet të përfshihen në të. Moderatore e këtij sesioni ishte Maja Petkovska Leses nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë së RMV-së.

German Filkov i prezantoi katër fushat prioritare për bashkë-krijimin e planit aksional, të përcaktuara në një konsultim të gjerë, edhe atë: 1) Transparenca, përgjegjësia, proaktiviteti dhe gjithëpërfshirja 2) Parandalimi i korrupsionit dhe promovimi i qeverisjes së mirë, 3) Ofrimi i shërbimeve publike dhe 4) Qasja në drejtësi. Prioritetet përfshijnë përpjekje dhe masa që do të promovojnë përfshirjen më të madhe të qytetarëve në hartimin e politikave, si dhe parandalimin e korrupsionit, por gjithashtu do të mundësojnë ofrimin e shërbimeve publike cilësore, si dhe qasje efektive në drejtësi dhe shërbime cilësore juridike, me fokus të veçantë te të rinjtë, grupet e margjinalizuara dhe gratë.

Sandra Prenar theksoi se në bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut për iniciativën e PQH-së, ajo sheh një potencial të madh, por gjithashtu i vlerëson edhe përfitimet e deritanishme. Ajo i përmblodhi mundësitë për mbështetje që mund t’i ofrojë PQH-ja në procesin e krijimit të planit aksional dhe e mirëpriti angazhimin për një plan kompakt dhe të përcaktuar qartë që do të japë rezultate në fund të periudhës së planifikimit, duke marrë parasysh të gjitha specifikat dhe sfidat me të cilat përballemi, si në nivel lokal ashtu edhe në atë global.

Marija Nikollovska Arsovska vuri në dukje se Fondacioni Metamorfozis në periudhën e kaluar ka punuar në zhvillimin e një platforme për PQH, e cila është shumë më tepër sesa thjesht një platformë për konsultim, por është një platformë që do ta mbështesë çdo aspekt të procesit. Kjo do të përfshijë konsultimet për përgatitjen e planit të ri aksional, do të sigurojë një pasqyrë të monitorimit të planit aksional, pasqyrë të planeve të mëparshme aksionale dhe do ta mbështesë dhe do ta demonstrojë punën e rrjetit për PQH dhe të Këshillit për PQH. Megjithëse ideja fillestare për platformën ishte më e thjeshtë, ajo u zhvillua përfundimisht me të gjitha elementët e lartpërmendura në formën e një aplikacioni softuerik më kompleks, për t’i përfshirë kontributet e të gjitha palëve të interesuara të fituara në një konsultim të gjerë brenda një periudhe më të gjatë.

Procesi i krijimit të planit aksional do të jetë shumë dinamik, përfundoi Gapiq Dimitrovska në fund të konferencës, edhe atë falë dokumenteve të përgatitura në mënyrë të hollësishme, udhëzimeve të dhëna nga Këshilli për PQH, siç janë korniza kohore, kriteret e vlerësimit dhe materiali arsimor që do të përdoret.

—————————————————

6 Tetor 2020