Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Botohen gjashtë storje gazetareske që lidhen me kapjen e gjyqësisë, prokurorisë publike dhe policisë

 

Në 12 muajt e fundit, në kuadër të projektit “Deri tek shteti i kapur në Maqedoninë e Veriut – Gjyqësia, Prokuroria Publike dhe Policia”, BIRN Maqedoni ka përgatitur storje hulumtuese në tema të ndryshme që lidhen me kapjen e institucioneve.  Qëllimi i projektit është t’i identifikojë, përmes studimeve të ndryshme të rasteve dhe analizës së hollësishme të dobësive sistemike të sundimit të ligjit, mënyrat me të cilat ushtrohet kontrolli politik mbi institucionet (gjyqësinë, prokurorinë, policinë) ose mënyrat me të cilat keqpërdoren dobësitë sistemike të sundimit të ligjit.

Janë përgatitur gjithsej gjashtë hulumtime që janë përqendruar në gjashtë tema që janë ilustruese për (mos)funksionimin e sistemit gjyqësor në një shtet të kapur.

Storja 1. “Shteti në skenarin e de-sorosoizimit” zbulon një operacion të qëllimshëm, të motivuar politikisht, të koordinuar të keqpërdorimit të institucioneve për ta luftuar sektorin civil dhe të gjithë ata që mendonin ndryshe, i quajtur nga qeveria e mëparshme si “de-sorosoizim”. Gazetarët hetuan se me anë të këtij operacioni u realizuan kontrolle intensive disamujore mbi 22 organizata joqeveritare, me ç’rast nuk u gjet asgjë e paligjshme, nuk pati asnjë përgjegjësi për urdhëruesit dhe zbatuesit e këtyre kontrolleve, e as nuk u bënë ndryshime sistemike që do ta parandalonin që institucionet politike të përdoren përmes diktatit politik për ta luftuar shoqërinë civile.

Storja 2. Në tekstin ““Sindroma e Stokholmit” të prokurorëve maqedonas, BIRN e heton përgjegjësinë e prokurorëve publikë. Teksti ilustron ndjeshmërinë e tyre ndaj korrupsionit politik, ndikimeve të drejtpërdrejta dhe indirekte, si dhe mungesën e mekanizmave efektivë për t’i marrë ata në përgjegjësi. Hulumtimi zbuloi se 12 prokurorë janë shkarkuar nda detyra për 12 vjet, nga të cilët tetë vetëm në vitin 2008 – i njohur si viti i kapjes së sistemit gjyqësor nga ana e qeverisë së Nikolla Gruevskit. Prandaj, hulumtimi e përshkruan lidhjen midis prokurorisë dhe politikës me “Sindromën e Stokholmit”, në të cilën ata janë të robëruar, por kanë zhvilluar një lidhje emocionale dhe identifikuese me agresorin, dhe i ndihmojnë atij që t’i arrijë qëllimet e tij.

Storja 3. Në hulumtimin “Shteti i kapur në storjen e softuerit të kapur gjyqësor” BIRN-i tregoi se keqpërdorimi i softverit për shpërndarjen automatike të lëndëve gjyqësore tek gjyqtarët – ishte i padukshëm si për Këshillin Gjyqësor ashtu edhe për Gjykatën Supreme, megjithëse ishte sekret publik, ndërsa gjyqtarët edhe zyrtarisht janë ankuar se ishin urdhëruar gojarisht të procedojnë lëndë të caktuara, derisa ky keqpërdorim nuk hyri në raportin e grupit të ekspertëve për sundimin sistemik të ligjit, të udhëhequr nga Reinhard Priebe në vitin 2015.

Storja 4.  Në tekstin “Kolltuku mbrojtja më e mirë nga grilat” hetohet nëse ka ndonjë të vërtetë në faktin se politikanët kurrë ose rrallë përgjigjen për veprimet që i kanë kryer përderisa kanë qenë në detyrë. Përmes hulumtimit dhe analizës, BIRN-i erdhi deri te të dhënat e mëposhtme: nga 89 funksionarët e denoncuar, vetëm 17 u ulën në bankën e të akuzuarve. Tetë prej tyre janë liruar. Katër gjyqtarë janë në gjykim, njëri është dënuar vetëm në shkallë të parë dhe pret vendimin e gjykatës më të lartë, ndërsa pesë vetë janë dënuar me dënime të plotfuqishme me burg. Por, përkundër kësaj, deri më tani vetëm dy vetë i kanë vuajtur dënimet e tyre.

Storja 5. Hetimi për keqpërdorimin e faljeve politike titullohet “Drejtësia i nënshtrohet mëshirës së paligjshme“. Ai është përqendruar në këtë lloj të vendimeve që janë marrë gjatë dhjetë viteve të fundit dhe në mendimet e disa ekspertëve kryesorë juridikë mbi efektet që i kanë pasur rastet e dhënies së mëshirës për figurat politike në shoqëri. Qasja dhe analiza kronologjike e vendimeve dhe e veprimeve ilustron situatën në të cilën lejohen interpretime të ndryshme dhe kontradiktore të vendimeve që lidhen me përgjegjësinë e mbajtësve të funksioneve publike.

Storja 6. Hulumtimi i fundit në kuadër të këtij projekti i është kushtuar zbatimit të masës më të rreptë për sigurimin e pranisë së personave të dyshuar dhe titullohet “Paraburgimi si ndëshkim për njerëzit e thjeshtë“. Një analizë krahasuese e rasteve “Punëtorët e Mavrovës” dhe “Syri i gjarpërit”, në pjesën e përcaktimit të paraburgimit, i shqyrton ndryshimet në qëndrimin e institucioneve – si veprojnë ato kur cak i ndjekjes penale është një “lojtar i rëndësishëm” politik, paraburgimi i të cilit mund të hiqet derisa është në arrati, dhe si në rastin kur bëhet fjalë për “qytetarë të thjeshtë”.

Ky hulumtim është financuar nga OSIFE, në bashkëpunim me OSEPI. Ai u krye nga Rrjeti ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – Maqedoni, së bashku me Koalicionin Të gjithë për gjykim të drejtë, Institutin për të Drejtat e Njeriut, Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe Fondacionin Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

 

—————————————————

1 Prill 2020