Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Të gjitha hulumtimet, analizat dhe raportet e vendosin gjyqësinë në krye të listës sipas përshtypjes që e kanë qytetarët për korrupsionin e saj. Përderisa disa “dënohen për 100 qebapë”, raste të mëdha të korrupsionit dhe të krimit të organizuar ose nuk procesohen, ose shtyhen vazhdimisht, ose vjetërsohen. Në të njëjtën kohë, në gjyqësi punësohen dhe promovohen nipër e mbesa, bashkëshorte dhe bashkëshortë, kunatë dhe kunata, baxhanakë dhe krushq.

Deri më tani asnjë gjyqtar nuk është ndjekur penalisht.

Një rreze shprese publikut i dha një prokurore publike, e cila u tha gjyqtarëve se do t’i “shkundte”. Duke e kapur për fjale, edhe atë edhe shtetin, që angazhohet për sundimin e ligjit, një grup aktivistësh e vendosën “Justicia”-n e cila tashmë po “shkund” një gjyqtar, në disa lokacione në Shkup – në ndërtesën e Prokurorisë Publike dhe të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, te Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, te Ministria e Drejtësisë, si dhe para selive të dy partive më të mëdha politike.

Me këtë aksion gueril kreativ, ata u bënë thirrje të gjithë “autoriteteve kompetente”, duke i përfshirë edhe dy partitë politike, që t’i bashkohen “Justicia”-s në luftën kundër korrupsionit.

Fondacioni Shoqëri e hapur – Maqedoni i mbështet aktivisht qytetarët në përpjekjet e tyre për të bërë ndryshime për të mirë. Ky aksion gueril i aktivistëve është pjesë e aktiviteteve, me të cilat aktivistët përpiqen në mënyrë kreative t’i përmirësojnë kushtet e jetesës në qytet dhe rrethinë dhe të bëjnë presion mbi autoritetet për të zgjidhur sa më shumë probleme. Aktivizmi kreativ, si një formë e aktivizmit qytetar, qartë i vizualizon problemet, e nganjëherë arrin edhe të kontribuojë për zgjidhjen e tyre. Kur arti vihet në funksion, mund të bëjë ndryshime reale. Të vetëdijshëm për këtë potencial të artit, ne në FSHHM vazhdimisht mbështesim një varg aktivitetesh, siç është ky aksion gueril.

—————————————————

13 Shkurt 2020