Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Duke pasur parasysh situatën tejet të pasigurt dhe të rrezikshme në të cilën gjendet shoqëria jonë dhe shëndeti publik në këtë moment, nevoja për t’i mbrojtur qytetarët më të cenueshëm është shumë e madhe. Prioriteti kryesor i Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni (FSHHM) është mbrojtja dhe përmirësimi i jetës së të gjithëve, veçanërisht të qytetarëve të margjinalizuar. Në këtë drejtim, FSHHM-ja siguroi donacion prej 100,000 dollarësh për ndërhyrje urgjente humanitare për familjet e rrezikuara rome, të cilat janë më të prekura në aspekt social dhe ekonomik nga kriza shëndetësore.

Me rëndësi të jashtëzakonshme në këto momente është të sigurohet mbështetje e duhur për grupet më të rrezikuara të qytetarëve edhe atë duke e rritur mundësinë e tyre për mirëmbajtje të rregullt të higjienës dhe dezinfektim të rregullt, por edhe duke siguruar mbështetje me ushqim gjatë periudhës së izolimit. Për këtë qëllim, FSHHM-ja, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut siguroi pako humanitare me produkte ushqimore dhe higjienike, të cilat janë të mjaftueshme për një periudhë prej një muaji për nevojat e një familje me 4 deri në 6 anëtarë. Me këtë aktivitet do të përfshihen rreth 10,000 qytetarë të komunitetit rom, gjegjësisht rreth 2,000 familje që jetojnë në Shuto Orizare të Shkupit, Tetovë, Gostivar, Manastir, Prilep, Kumanovë, Dellçevë, Vinicë Pehçevë dhe në fshatin Cërnik.

Shpërndarja e pakove humanitare do të fillojë të premten, më 3 prill, me një vizitë të 400 familjeve nga Shkupi. Të shtunën është planifikuar të vizitohen rreth 400 familje të tjera, po ashtu nga Shkupi, ndërsa duke filluar nga e hëna, më 6 prill, pakot humanitare do të shpërndahen dhe do të arrijnë në shtëpitë e familjeve rome në të gjithë vendin. Shpërndarja e pakove humanitare do të përfundojë më më së voni më 10 prill të vitit 2020.

Për mbarëvajtjen e aktivitetit, Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut në terren do të bashkëpunojë me gjashtë organizata të shoqërisë civile, të cilat janë aktive dhe të njohura në komunitetet rome. Romano Çaçipe, IRIZ – Shkup, Dielli – Tetovë, Stacioni P.E.T. – Prilep, NRC – Kumanovë, OJQ-ja KHAM – Dellçevë, HOPS – Shkup dhe Qendra për Fëmijët në Rrugë – Shuto Orizare ndihmuan në identifikimin e nevojave të familjeve më të prekura rome dhe do të ndihmojnë në shpërndarjen e pakove humanitare. Ne i falënderojmë ato për angazhimin e tyre vetëmohues në këto momente të krizës. Ne në Fondacionin Shoqëri e Hapur – Maqedonia jemi të përkushtuar të ndërtojmë një shoqëri tolerante dhe gjithëpërfshirëse, të hapur për pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë. Mbështetja dhe pjesëmarrja e komunitetit rom në përmirësimin e kushteve për qasje në arsim, shëndetësi dhe shërbime juridike, por edhe për ndryshimin e perceptimeve, qëndrimeve dhe sjelljeve ndaj romëve mbetet edhe më tutje në fokusin tonë.

—————————————————

2 Prill 2020