Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi në vazhdimësi e ndjek punën e Avokatit të Popullit si një institucion kombëtar për të drejtat e njeriut dhe në vitet e fundit ka identifikuar disa pengesa në funksionimin e tij të përgjithshëm që e dobësojnë efikasitetin dhe efektivitetin e tij si institucion dhe e parandalojnë që t’i përmbushë plotësisht kompetencat e tij. Ndër problemet më kryesore janë mungesa e shpërndarjes së barabartë të burimeve financiare, njerëzore dhe teknike, si dhe shkalla e ekspertizës dhe kompetencës së një pjese të konsiderueshme të punonjësve.

Lajmet e fundit që u raportuan nga mediat në lidhje me punën e Avokatit të Popullit, gjegjësisht në lidhje me konfliktin midis Avokatit të Popullit, Ixhet Memeti, dhe zëvendës-avokatëve të popullit, si dhe me akuzat për nënçmim, për shkurtimin e pushimit dhe për privimin nga të drejtat e tjera, madje edhe për mobing nga ana e Avokatit të Popullit janë skandaloze dhe shqetësuese. Rrethanat e këtilla e trondisin seriozisht besimin e qytetarëve në këtë institucion dhe rëndësinë e rolit të tij.

Me këtë rast, do të rikujtonim që mandati i dytë i Avokatit të Popullit, Ixhet Memeti, skadon në fund të vitit 2020, dhe sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, Kuvendi është juridikisht kompetent për të filluar procedurë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit të ri duke publikuar shpallje jo më vonë se tre muaj para skadimit të mandatit të Avokatit të Popullit aktual.

Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi kërkon nga Parlamenti që zgjedhja e Avokatit të Popullit të jetë një nga prioritetet e përbërjes së re parlamentare, të zhvillohet një proces transparent dhe i drejtë i përzgjedhjes së kandidatëve, pa ndikimin e partive politike dhe që të zgjidhet një kandidat/e kompetent/e dhe adekuat/e. Vetëm në këtë mënyrë do të sigurohet një institucion i pavarur dhe profesional që do të jetë në gjendje t’i ushtrojë në mënyrë konsekuente dhe plotësisht të gjitha kompetencat e tij ligjore për promovimin, avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Në të njëjtën kohë, funksionaliteti i institucionit varet edhe nga këshilltarët shtetërorë, nga bashkëpunëtorët dhe nga punonjësit e tjerë që janë të punësuar në të. Sipas raportit të fundit vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2019, nga 155 vendet e punës të parashikuara me Rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës në shërbimin profesional, në ekipin e Mekanizmit Parandalues Kombëtar, në njësitë e veçanta dhe në zyrat e Avokatit të Popullit, janë plotësuar vetëm 90 vende, që do të thotë se madje 65 vende të punës mbeten të paplotësuara. Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi apelon që punësimet e reja të zbatohen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe theksojmë se nuk duhet të lejohet asnjë ndikim partiak.

Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi kërkon nga deputetët në përbërjen e re parlamentare që të fillojnë me kohë procedurat e duhura për zgjedhjen e Avokatit të Popullit të ri dhe, me përkushtim dhe seriozitet të zgjedhin një kandidat, në mënyrë që institucioni i Avokatit të Popullit ta kryejë funksionin e tij në mënyrë efikase, të pavarur dhe profesionale për të gjithë qytetarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të jetë një shembull i vërtetë i një promovuesi dhe mbrojtësi të të drejtave dhe lirive të njeriut kur ato shkelen nga autoritetet publike.

Shkup, 26.08.2020

 

*Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe e grantmarrësit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i shpreh pikëpamjet dhe qëndrimet e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

—————————————————

26 Gusht 2020