Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi reagon ndaj pengesave fizike me të cilën përballen personat me aftësi të kufizuara dhe personat me vështirësi në lëvizje në Komunën e Negotinës në procesin e mbledhjes së nënshkrimeve për iniciativën për mbajtjen e referendumit lokal, me qëllim që qytetarët të deklarohen në lidhje me paralajmërimin për ndërtimin e deponisë për mbeturina inerte industriale. Mbledhja e nënshkrimeve për iniciativën për mbajtjen e referendumit lokal, e cila filloi më 19 dhjetor, bëhet në katin e tretë të ndërtesës së komunës së Negotinës, në të cilën nuk ka ashensor. Në këtë mënyrë, personat me aftësi të kufizuara fizike, si dhe të gjithë ata që përballen me vështirësi në lëvizje, janë të pamundësuar ose përballen me probleme serioze në ushtrimin e të drejtës së tyre. Për më tepër, iniciativa për mbledhjen e nënshkrimeve duhet të zgjasë 30 ditë, por qytetarët kanë vetëm 19 ditë pune për ta mbështetur këtë iniciativë, për shkak të numrit të madh të ditëve në të cilat nuk punohet në periudhën e caktuar.

Një veprim i këtillë i Komunës së Negotinës është diskriminues dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, sipas të cilit qasja në infrastrukturë nënkupton marrjen e masave të duhura për të siguruar që personat me aftësi të kufizuara kanë qasje, në bazë të barabartë, me të tjerët në objektet publike.

I bëjmë thirrje Komunës së Negotinës që personave me aftësi të kufizuara t’u mundësojë të marrin pjesë në procesin e mbledhjes së nënshkrimeve për shpalljen e referendumit me kushte të barabarta me qytetarët e tjerë. Kushtet e barabarta nënkuptojnë se vendet për mbledhjen e nënshkrimeve duhet të jenë të arritshme për personat me aftësi të kufizuara gjatë gjithë kohës sa zgjat referendumi. Pamundësia për të arritur në katin e tretë të ndërtesës komunale për këta njerëz paraqet shkelje të së drejtës kushtetuese për të votuar dhe privim nga mundësia për pjesëmarrje qytetare në vendimmarrje. Në të kundërtën, Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi do t’u drejtohet organeve kompetente për mbrojtje nga diskriminimi.

Gjithashtu i bëjmë thirrje Avokatit të Popullit që të veprojë urgjentisht dhe në mënyrë proaktive dhe të kërkojë nga Komuna e Negotinës që t’u mundësojë personave me aftësi të kufizuara ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ia kujtojmë qeverisë detyrimet që rrjedhin nga Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe nga Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Kërkojmë që të fillohet me përgatitje dhe blerje të mjeteve të nevojshme që personat me aftësi të kufizuara të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës pa pengesa dhe në mënyrë të pavarur.

Projekti “LPMD nën thjerrë: Ndjekja e zbatimit të Ligjit të ri për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi” është i financuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

—————————————————

27 Dhjetor 2019