Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

U desh më shumë se një vit që Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut të zgjedhë gjashtë gjyqtarë në Gjykatën e Apelit në Shkup. Më në fund, më 10.02.2020, sipas kritereve të vjetra të përzgjedhjes, sipas ligjit që ka qenë fuqi në kohën e publikimit të shpalljes për zgjedhje, u zgjodhën 3 gjyqtarë në fushën penale, 2 gjyqtarë në fushën civile dhe 1 gjyqtar në fushën ekonomike.

Shpallja është publikuar më 07.02.2019 para shpalljes së zgjedhjeve presidenciale, me qëllim që menjëherë pas zgjedhjeve të bëhet përzgjedhja e gjyqtarëve, edhe atë përpara miratimit të Ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor dhe Ligjit për Gjykatat ku parashihen kritere të reja për vlerësimin dhe zgjedhjen e gjyqtarëve. Megjithatë, nga maji i vitit 2019 e deri në zgjedhjen e tyre përfundimtare, zgjedhja e gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit në Shkup u shty në disa raste, pa dhënë asnjë arsye të justifikuar.

Nën presionin e mediave, por edhe në bazë të deklaratës së Kryetarit të Këshillit Gjyqësor se për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të ketë zgjedhje të gjyqtarëve, më në fund, më 10.02.2020, u zgjodhën 6 gjyqtarë në Gjykatën e Apelit në Shkup.

Gjykata e Apelit e Shkupit është një gjykatë që u vlerësua si gjykatë joefikase nga Këshilli Gjyqësor, me një numër të lëndëve të mbetura në disa tremujorë, me ç’rast prolongimi i zgjedhjes së gjyqtarëve në këtë gjykatë ndikoi drejtpërdrejt edhe në efikasitetin e saj nga njëra anë, por nga ana tjetër shkaktoi edhe shkelje të standardeve ndërkombëtare të parapara në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Megjithëse nuk janë paraparë afate për zgjedhjen e gjyqtarëve nga ana e Këshillit Gjyqësor, megjithatë kuptohet se kur do të përfundojë pjesa formale e procedurës, zgjedhja e gjyqtarëve duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Interesimi për këto vende të gjyqtarëve pas një kohe të gjatë ishte mjaft i madh, me mbi 90 kandidatë të paraqitur, ndërsa prolongimi i paarsyeshëm i zgjedhjes shkaktoi pasiguri në mesin e tyre për karrierën e mëtejshme.

Grupi Blueprint konsideron se me prolongimin e zgjedhjes së gjyqtarëve u vu në pikëpyetje edhe efikasiteti dhe efektiviteti i Këshillit Gjyqësor në përzgjedhjen dhe shkarkimin e gjyqtarëve. Këshilli Gjyqësor është organ që duhet të kujdeset për efikasitetin e gjykatave dhe të sigurojë kushte për funksionimin e papenguar të gjykatave. Për më tepër, lihet hapësirë edhe për spekulime rreth ndikimeve të mundshme të jashtme dhe politike në punën e Këshillit, të cilat kanë ndikuar në vonesat dhe veprimin arbitrar. Kjo situatë sigurisht ndikon në besimin e qytetarëve në Këshillin Gjyqësor dhe gjyqësorin në tërësi, i cili tashmë është shumë i ulët.

Në të njëjtën kohë, mbetet e paqartë edhe çështja e mosplotësimit të vendeve të lira në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në fakt, Këshilli Gjyqësor publikoi shpallje për zgjedhjen e gjyqtarëve në Gjykatën Supreme që në shtator të vitit 2019 dhe një shpallje të dytë për zgjedhjen e gjyqtarëve në të njëjtën gjykatë u publikua në nëntor të vitit 2019 me kërkesë të Ushtruesit të Detyrës së Kryetarit të Gjykatës Supreme për shkak të situatës alarmante në gjykatë dhe mungesës së numrit të mjaftueshëm të gjyqtarëve për të formuar këshilla, gjë që e vë në dyshim funksionimin efikas dhe efektiv të kësaj gjykate.

Këshilli Gjyqësor e vendosi në rendin e ditës zgjedhjen e gjyqtarëve në Gjykatën Supreme pas dy shpalljeve madje në 07.02.2020. Pas shpalljes për zgjedhjen e gjyqtarëve në Gjykatën Supreme të publikuar që në shtator të vitit 2019, Këshilli Gjyqësor i RMV-së përzgjodhi 3 gjyqtarë nga lista e kandidatëve (2 në fushën penale dhe 1 në fushën civile). Pas shpalljes së dytë në të cilën u paraqitën 10 kandidatë për 3 vende për gjyqtarë, u zgjodh 1 gjyqtare, ndërsa kandidatët e mbetur nuk e fituan shumicën e kërkuar. Si Grup Blueprint konsiderojmë se përkundër kritereve dhe akteve të reja nënligjore që i miratoi KGJRMV-ja me qëllim të saktësimit dhe caktimit të pikëve për kriteret për hartimin e rang-listave të kandidatëve për gjyqtarë, Këshilli Gjyqësor ka të drejtë diskrete të mos zgjedhë gjyqtarë që i kanë kaluar të gjitha procedurat. Komisioni i përbërë nga tre anëtarë të tërhequr me short në bazë të procedurave ka bërë një listë renditjeje, por pa asnjë arsyetim dhe shpjegim, megjithatë Këshilli Gjyqësor nuk i plotësoi të gjitha vendet e kërkuara në shpallje. Nuk mjafton vetëm t’i referohemi një dispozite të ligjit që parashikon se për gjykatës do të zgjidhet kandidati që ka fituar shumicën e votave të anëtarëve të KGjRMV-së. Shtrohet pyetja për përgjegjësinë e Këshillit Gjyqësor për mosushtrimin me qëllim të kompetencës së tij për t’i zgjedhur gjyqtarët dhe për të siguruar funksionim të papenguar të gjykatave.

—————————————————

25 Shkurt 2020