Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni e dënon me forcë dhunën dhe sjelljen joprofesionale të policëve gjatë trajtimit të romëve, të cilat me sa duket po bëhen një praktikë policore.

Videoja e veprimeve brutale të policëve gjatë një aksioni zyrtar në Manastir, tregon qartë se brutaliteti policor është i pranishëm në jetën tonë të përditshme. Ne jemi veçanërisht të brengosur dhe të shqetësuar për atë që po u bëhet romëve. Në vend që të mbrojnë qytetarët nga dhunuesit dhe të jenë burim i sigurisë, policët janë dhunuesit, duke i shkelur të drejtat themelore të njeriut dhe duke marrë pjesë në profilizimin etnik, duke e minuar besimin tek policia dhe institucionet dhe duke i rrezikuar vlerat themelore të Kushtetutës sonë dhe aspiratat tona si një anëtar i ardhshëm i Bashkimit Evropian.

Ne kërkojmë një hetim urgjent, të plotë dhe të shpejtë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike për të përcaktuar përgjegjësinë disiplinore dhe penale. Kërkojmë ndëshkimet më të rënda për autorët e kësaj shprehjeje brutale të fuqisë. Institucionet duhet menjëherë, qartë dhe në mënyrë të padyshimtë të tregojnë se siguria e çdo qytetari është e garantuar dhe të punojnë në mënyrë aktive për të rikthyer besimin në polici, por edhe në institucionet në përgjithësi.

Romët janë viktima të diskriminimit të përditshëm sistematik dhe janë shumëfish të ekspozuar ndaj brutalitetit të policisë. Institucionet, e posaçërisht policia, nuk duhet të lejojnë një trajtim kaq të paarsyeshëm të romëve, por edhe të çdo komuniteti tjetër të cenueshëm të qytetarëve në vendin tonë, veçanërisht nëse angazhimi i shtetit është të krijojë një shoqëri në të cilën ka vend për të gjithë. Një shoqëri në të cilën respektohen të drejtat e njeriut, dinjiteti dhe sundimi i ligjit, dhe që merret me pabarazitë sipas të gjitha bazave.

—————————————————

25 Shtator 2020