Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Ministria e Financave ka njoftuar disa ndryshime të rëndësishme në sistemin tatimor, me synimin që pjesa më e madhe e tyre të fillojë të aplikohet nga 1 janari i vitit 2023. Grupi CIVITAKS, i themeluar në vitin 2018, si një grup joformal i përbërë nga 14 organizata themeluese civile dhe 29 organizata shoqëruese civile dhe persona fizikë me ndikim, deklarohet me këtë qëndrim të përgjithshëm.

Organizatat civile të bashkuara në grupin CIVITAX në disa raste, si dhe përmes grupit Blueprint të vitit 2016, vunë në dukje se nuk janë shterur burimet e brendshme publike për efikasitet dhe efektivitet më të madh me menaxhimin e burimeve publike të shtetit, gjegjësisht në racionalizimin e anës së shpenzimeve të buxhetit të shtetit.

Në fakt, këtë e vërteton edhe humbja e 23 milionë eurove të mjeteve buxhetore nga pushteti ekzekutiv, si dhe 108 milionë euro shtesë për shpenzime shtesë dhe punë të paparashikuara për shkak të funksionimit joefikas dhe joefektiv dhe nga raportet e fundit të Entit Shtetëror të Revizionit vetëm në muajin e fundit:

“REFORMAT E PARALAJMËRUARA TATIMORE” JANË MË AFË ME PËRKUFIZIMIN E MASAVE AD-HOC, SIPAS TË GJITHA GJASAVE TË NXITURA NGA NEVOJA, POR JO EDHE NGA DËSHIRA PËR REFORMA

Qytetarët presin që fillimisht të marrin shërbime publike të përmirësuara dhe më cilësore, një sistem transparent dhe llogaridhënës, me politika afatgjata të qarta, të qëndrueshme dhe të parashikueshme përpara se të përballen me ndryshime tatimore të bazuara sërish në hapa ad-hoc dhe jo sistemore. Hulumtimet mbi përgjegjësinë tatimore të Qendrës për Analiza Ekonomike – QAE, anëtare e Grupit CIVITAKS, treguan se taksapaguesit në Maqedoninë e Veriut nuk duan ta shohin marrëdhënien e tyre me shtetin si viktimë dhe detyrim nga ana e grabitqarit/shtetit, por si një proces i shkëmbimit të interesit të ndërsjellë.

Qytetarët duan të ndihen më shumë si përdorues të shërbimeve sesa si votues. Ndjenja e abuzimit me fondet e tatimpaguesve nga autoritetet ndikon negativisht në nivelin e moralit tatimor si përgjigje ndaj perceptimit për shpenzimet e papërgjegjshme të fondeve tatimore dhe reflektohet me një shkallë të ulët besimi tek institucionet. Tatimpaguesit në pjesën më të madhe nuk u besojnë institucioneve shtetërore dhe besojnë se nëse do të paguajnë taksa më të larta, ato vetëm mund të keqpërdoren dhe jo se do të investohen në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.

Dhe, në fund, “reformat e paralajmëruara tatimore” janë më afër përkufizimit të masave ad-hoc me shumë gjasë të nxitura nga domosdoshmëria fiskale, por jo edhe nga dëshira për reforma, pasi ato nuk bazohen në analiza ekonomike dhe financiare të cilat janë transparente dhe të kornizuara në aspekt strategjik që do të sigurojnë parashikueshmëri për të gjitha palët e interesuara. Këto të ashtuquajtura “reforma tatimore” fokusohen dhe bazohen vetëm në rritjen e bazës tatimore për qëllime fiskale. Reformat tatimore janë më shumë se mbledhja e të ardhurave në buxhetin qendror. Reformat tatimore duhet të bëhen më së paku për efekt fiskal, e më shumë për: trajtim efikas dhe të barabartë të operatorëve ekonomikë, sigurim të barrës tatimore të barabartë për tatimpaguesit dhe heqjen e devijimeve të tregut, përcaktimin e qartë të objektivave tatimore, stabilitet dhe parashikueshmëri të sistemit tatimor, sistem tatimor administrativ të kodifikuar qartë në aktet ligjore dhe nënligjore që mundëson maksimizimin e harmonizimit të rregullativës tatimore nga ana e tatimpaguesve, lidhjen e qartë të sistemit tatimor me qëllimet fiskale, ekonomike dhe sociale në vend, etj.

Prandaj, Grupi CIVITAKS vë në dukje mospërputhjet, paqartësitë, jotransparencën dhe mungesën e qasjes strategjike për të hyrë realisht në reforma tatimore.

MUNGON KONSULTIMI ME INFORMACIONE TË PLOTA DHE TË DISPONUESHME NË TË NJËJTËN KOHË PËR TË GJITHË

Ndryshimet tatimore, disa prej të cilave nënkuptojnë ndryshime të rëndësishme në sistemin tatimor, nuk janë bërë të ditura zyrtarisht, por në publik ka qarkulluar një prezantim që Ministria e Financave E ka përdorur në takimet e realizuara me sektorin e biznesit. Sektori civil, si një aktor i rëndësishëm në proceset e reformave të financave publike dhe veçanërisht në pjesën e rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së politikëbërësve, proteston ashpër që Ministria e Financave e redukton gjithëpërfshirjen në një lëshim informacioni të synuar, të dozuar dhe gradual, me një mospërputhje të mundshme midis asaj që shkruhet në prezantimin e shpërndarë dhe përshtypjes që mund të fitohet nga intervistat e ministrit.

Duke marrë parasysh këtë, Grupi CIVITAKS deklarohet rreth ndryshimeve të propozuara tatimore, të grupuara në disa pika.

KONSENSUSI SHOQËROR PËR TATIME MË TË MËDHA DHE MË GJITHËPËRFSHIRËSE

  1. Sipas vlerësimeve të publikut ekspert vendas dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, ekonomia gri në Maqedoninë e Veriut është nga 25% deri në 40% të PBB-së. Hulumtimet mbi ekonominë gri nga Finance Think – Instituti për Hulumtime dhe Politkika Ekonomike, anëtar i Grupit CIVITAKS, japin një vlerësim për një pjesë më konservatore, por megjithatë të lartë të ekonomisë gri prej 23.2% në vitin 2020. Edhe nëse merret ajo përqindje, ekonomia gri është rreth 2.5 miliardë euro, shumë për të cilën nëse merren parasysh ngarkesat aktuale tatimore, do të mblidheshin tatime në vlerë prej rreth 650 milionë euro në vit, por nuk mblidhen sepse shteti po dështon në luftën kundër ekonomisë gri.

Me këtë rast, Strategjia për formalizimin e ekonomisë gri 2018-2022 ka ngecje ose nuk ka progres, madje për shumicën e masave nuk ka të dhëna nëse kanë nisur të zbatohen dhe në përgjithësi nuk ka asnjë dokument-raport qeveritar që do ta tregonte përparimin në luftën kundër ekonomisë gri. Kjo na kthen në periudhën e 5 viteve më parë, kur debati publik tregonte se që shteti të miratojë masa tatimore më të mëdha dhe më të gjera, duhet të tregohen rezultate nga lufta ndaj ekonomisë gri. Prandaj, Grupi CIVITAKS kërkon që Qeveria ta elaborojë progresin në luftën kundër ekonomisë gri, për sa i përket rezultateve të arritura, para se të diskutohet për ndonjë ndryshim tatimor në mënyrë cilësore.

Prandaj, Grupi CIVITAKS nuk e pranon futjen e kontributeve për kompensim nga puna me honorar dhe e përkohshme dhe e konsideron këtë përpjekje si një cenim flagrant të sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut.

Përveç kësaj, qëndrimi ynë i paraqitur në nëntor të vitit 2018, i transmetuar më poshtë, mbetet i pandryshuar, gjë që vetëm konfirmon se në periudhën e ndërmjetme nuk ka ndodhur asnjë ndryshim që do të mundësonte pranimin më të gjerë të çfarëdo ndryshimi tatimor.

KONSENSUSI SHOQËROR PËR SHPENZIMIN E PARAVE PUBLIKE

  1. Qeveria duhet të punojë për efikasitetin e anës së shpenzimeve të buxhetit, për rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies, për rritjen e ndëshkimit të abuzimit nga korrupsioni i lartë dhe konfiskimin e plotë nga shteti, siç shtjellohet që në fillim të këtij qëndrimi. Grupi CIVITAKS priste demonstrim të rezultateve në këtë drejtim.
  2. Qeveria duhet të punojë për të reduktuar rolin e saj në tregje për të lënë që fondet të shpërndahen në mënyrë efikase nga operatorët ekonomikë. Subvencionet e ndryshme mund të jenë të natyrës afatshkurtër dhe nuk duhet të jenë përcaktim i përhershëm sepse në këtë mënyrë dëmtohet efikasiteti i ekonomisë së tregut, preferohen operatorë joefikas të tregut, diskriminohen operatorët që mund të përballen me forcat e tregut, për këtë arsye, në fund, si operatorët efikas ashtu edhe ata joefikas përfundojnë duke dështuar. Grupi CIVITAKS i bën thirrje Qeverisë që ta shprehë pa mëdyshje qëndrimin e saj në lidhje me subvencionet, e veçanërisht ato që përfshijnë fonde të mëdha buxhetore, para se të kalojë në rritjen plotësuese të tatimeve.
  3. Qeveria duhet ta reduktojë numrin e organeve rregullatore dhe përdoruesve të ndryshëm buxhetorë të linjës së parë që nuk e kryejnë funksionin për të cilin ekzistojnë dhe do të duhet të konsolidojë përmasat e sektorit publik. Qeveria duhet ta reduktojë aparatin shtetëror dhe të rrisë efikasitetin e administratës publike në atë masë sa të ketë edhe shkarkime nga puna të atyre që nuk i zotërojnë aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.

Anëtarët themelues të Grupit CIVITAKS, të cilët dhanë pëlqimin brenda një periudhe të shkurtër kohore:

  1. Qendra për Analiza Ekonomike
  2. Finance Think – Instituti për Hulumtime dhe Politika Ekonomike
  3. Qendra për Politikat Tatimore
  4. Instituti i Shkencave Shoqërore dhe Humane
  5. Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni
  6. Transparency International – Maqedoni
  7. Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut i Republikës së Maqedonisë
  8. Eurothink– Instituti për Strategji Evropiane
  9. Qendra për Menaxhim me Ndryshimet

—————————————————

12 Gusht 2022