Xhorxh Sorosi e filloi karrierën e tij si filantrop në vitin 1979 me mbështetje për bursa për studentët e zinj në Universitetin e Kejp Taunit në Afrikën e Jugut, si dhe për disidentët e Evropës Lindore për të studiuar jashtë vendit.
Sorosi e themeloi fondacionin e tij të parë jashtë SHBA-ve në vitin 1984 në Hungari. Veprimi i tij i njohur në atë kohë ishte shpërndarja e fotokopjuesve në universitete, biblioteka dhe grupe qytetare në mbështetje të rrëzimit të kontrollit të informacioneve nga partia komuniste. Me rënien e Murit të Berlinit, Sorosi tashmë kishte krijuar edhe tre fondacione, në Poloni, Ukrainë dhe Rusi. Përderisa komunizmi po shembej, Soros reagoi shpejt për ta shfrytëzuar momentin revolucionar dhe për t’i krijuar fondacionet në vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore. Puna e tij ka kontribuar në shfaqjen e qeverive demokratike dhe të shoqërive dukshëm më të hapura në shumicën e vendeve të ish-perandorisë Sovjetike.
Për të ndihmuar trajnimin e një brezi të ri të liderëve politikë dhe ekonomikë, Sorosi e themeloi Universitetin e Evropës Qendrore në vitin 1991, si një qendër për hulumtime dhe analiza të politikave që i promovon parimet e një shoqërie të hapur, demokratike. Mbështetja për programet arsimore, nga fëmijëria e hershme deri në universitet, përbën gjysmën e shpenzimeve vjetore programore të Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur.
Që nga viti 1993, Fondacionet kanë siguruar dhjetëra miliona dollarë ndihma humanitare gjatë luftërave në vendet e ish-Jugosllavisë. Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme për Sarajevën, e cila ishte e rrethuar, ku ekipet e ndërtimit me guxim iu kundërvunë gjuajtjeve të snajperëve dhe raketave të artilerisë për t’i lidhur banorët me sistemet e gazit, energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm.
Arije Nejer iu bashkua Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur në vitin 1993, duke u bërë president, pas rolit të tij drejtues në “Human Rights Watch” dhe Unionin amerikan për liritë civile. Që në vitin e ardhshëm, shpenzime vjetore arritën në 300 milionë dollarë (në vitin 1980 ishin më pak se 3 milionë dollarë), me çka Fondacionet u bënë të njohura për përgjigjet e tyre të shpejta ndaj kushteve të ndryshueshme shoqërore me programe të reja dhe inovative.
Nejer filloi t’i shndërrojë Fondacionet e Shoqërisë së Hapur në organizata të mirëfillta ndërkombëtare. Fondacionet ofruan mbështetje për refugjatët dhe disidentët nga Burma, të cilët u goditën nga regjimi shtypës ushtarak në atë vend; për ndërtimin e vendbanimeve të lira dhe për reforma ligjore, ekonomike dhe politike në Afrikën e Jugut për ta ndihmuar qeverinë e re të papërvojë të përbërë kryesisht nga zezakët; dhe për nismat rajonale në Afrikë dhe Azinë Qendrore.
Me krijimin e programeve të fondacionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1996, u bënë përpjekje për të adresuar disa nga mangësitë e një shoqërie të hapur. Fokusi i programeve të para ishte në përmirësimin e kujdesit për të moshuarit në fund të jetës, reformimin e politikave të ilaçeve, ndryshimin e sistemit ndëshkues të drejtësisë penale dhe kundërshtimin e ligjeve dhe praktikave të rrepta të imigracionit. Baltimor u zgjodh si vend për të formuar një qasje gjithëpërfshirëse për adresimin e problemeve të varfërisë dhe padrejtësisë. Fondacionet mbështetën projekte në Baltimore me të cilat u përmirësuan rezultatet e testeve të leximit dhe matematikës në shkollat publike, u zgjeruan programet jashtëshkollore, dyfish u rrit numri i njerëzve që kanë qasje në ilaçe dhe u rrit përqindja e personave të liruar me kusht në këtë shtet federal të SHBA-ve.
Përfshirja gjeografike vazhdon të zgjerohet në dekadën e parë të mijëvjeçarit të ri. Deri në vitin 2010, Fondacionet ishin të pranishme në çdo rajon të botës. Në një numër të konsiderueshëm të vendeve ku ato janë aktive, Fondacionet janë mbështetësi kryesor – ndonjëherë edhe mbështetës i vetëm – i përpjekjeve për të promovuar sundimin demokratik, respektimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave, si dhe të lirive civile dhe politike.
Në betejën botërore për shoqëri të hapur, Fondacionet udhëheqin shumë fushata të rëndësishme globale, duke përfshirë:
- Zhvillimin e gjykatave ndërkombëtare për t’i mbajtur përgjegjës zyrtarët e qeverisë dhe udhëheqësit e forcave antiqeveritare për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin. Themelimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, i mbështetur prej kohësh nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, u bë realitet në vitin 2002. Fondacionet i ndihmuan dhe i promovuan përpjekjet për t’i gjykuar udhëheqësit nga ish-Jugosllavia, Ruanda, Sierra Leone dhe Kamboxhia për krime lufte në tribunale, si dhe në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
- Transparencë dhe llogaridhënie për të ardhurat që qeveritë i fitojnë nga shfrytëzimi i burimeve natyrore. Për ta trajtuar korrupsionin dhe për të përfituar qytetarët nga pasuria natyrore e vendit të tyre, në vitin 2001 Fondacionet filluan promovimin e fushatës për transparencën e të ardhurave të buxhetit në vendet e pasura me burime. U financuan organizata kulmore në këtë fushë dhe në vitin 2006, me mbështetjen e FSHH, u krijua Instituti i për mbikëqyrjen e të ardhurave (Revenue Watch Institute).
- Zbatimin e ligjeve kombëtare për lirinë e informacionit. Në fund të viteve 80-ta të shekullit të kaluar, vetëm 13 vende të botës kishin ligje për lirinë e informacionit. Deri në vitin 2010, numri i vendeve me ligje dhe rregullore të tilla tejkaloi 80. Fondacionet e Shoqërisë së Hapur kanë luajtur një rol të rëndësishëm në miratimin dhe zbatimin e ligjeve për lirinë e informacionit.
Në vitin 2004, tetë vende të rajonit të Evropës Lindore, të cilave Fondacionet u ndihmuan të shndërroheshin në demokraci, u bënë anëtare të Bashkimit Evropian, kurse tre vjet më vonë u bashkuan edhe dy të tjera. Me mbështetjen e FSHH dhe vendet e tjera synojnë të bëhen kandidatë për anëtarësim në BE.
Sukseset e punës janë të dukshme në çështje që lidhen me të drejtat e minoriteteve, qasjen në mbrojtjen shëndetësore dhe të drejtat e grave. Që nga fillimi, Fondacionet e Shoqërisë së Hapur janë angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve dhe promovimin e mundësive për përfshirjen e tyre të plotë në shoqëri. Fokusi i Fondacioneve janë problemet me të cilat përballen, ndër të tjera, edhe përdoruesit e drogës, pakicat seksuale, njerëzit që jetojnë me HIV, njerëzit me aftësi të kufizuara mendore, muslimanët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë, si dhe Romët në Evropë.
Në vitin 2005 Fondacionet e Shoqërisë së Hapur së bashku me Bankën Botërore e filluan Dekadën e përfshirjes së romëve 2005-2015. Që nga fillimi i viteve 90-ta të shekullit të kaluar, ofrohet mbështetje për ta përmirësuar jetën dhe promovimin e të drejtave të njeriut të romëve, pakicës etnike më të madhe dhe më të margjinalizuar në Evropë.
Për ta parandaluar përhapjen e HIV-it dhe infeksioneve të tjera në mesin e përdoruesve të drogave, Fondacionet janë duke punuar për ta zhvendosur fokusin nga dënimet penale në të drejtat e njeriut dhe shërbimet shëndetësore duke udhëhequr një lëvizje globale për ta mbështetur shkëmbimin e pajisjeve sterile për injeksion, terapinë e zëvendësimit dhe zvogëlimin e kërkesës. Një problem tjetër në fushën e shëndetit publik me të cilin merren FSHH është përjashtimi i personave me aftësi të kufizuara mendore nga arsimi dhe mundësitë e punësimit.
Si përgjigje ndaj përdhunimit të mijëra grave nga ushtarët gjatë konflikteve në Republikën Demokratike të Kongos, në vitin 2009 Fondacionet e Shoqërisë së Hapur formuan një gjykatë të lëvizshme për krimet gjinore e cila udhëtonte në rajone të largëta të shkatërruara nga lufta, duke sjellë drejtësi për gratë. Në një fitore shumë të rëndësishme në fillim të vitit 2011, gjykata e lëvizshme shqiptoi dënime nga 10 deri në 20 vjet për një kolonel, tre oficerë të rinj dhe pesë ushtarë për përdhunimin e një sërë grave, burrave dhe fëmijëve.
Fondacionet vazhduan të punojnë për këto çështje edhe në vitet e ardhshme, por njëkohësisht e rritën buxhetin për ndihmë humanitare si përgjigje ndaj krizës globale ekonomike dhe katastrofave të paradokohshme natyrore. Në vitin 2009, qindra miliona dollarë u investuan për t’i ndihmuar njerëzit më të prekur nga rënia ekonomike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2010, miliona u investuan për t’i lehtësuar vuajtjet e qytetarëve të shkaktuara nga përmbytjet në Pakistan dhe tërmeti në Haiti. Shpenzimet e Fondacioneve në vitin 2010 ishin 820 milion dollarë.
Përveç përpjekjeve të tjera për ta forcuar drejtësinë dhe shëndetin publik, Fondacionet e Shoqërisë së Hapur në vitin 2011 kanë punuar për ta eliminuar diskriminimin dhe paragjykimet ndaj muslimanëve nga Evropa, shumë prej të cilëve kanë jetuar me gjenerata në vende të tilla si Francë dhe Mbretëri të Bashkuar; për t’i dhënë fund torturave në mbrojtjen shëndetësore, duke përfshirë edhe sterilizimin e detyruar, mos-sigurimin e analgjetikëve, por edhe paraburgimin si trajtim; dhe për ta përmirësuar situatën e të rinjve të zinj në Shtetet e Bashkuara të Amierikës, ndër të tjera, me një grant prej 30 milion dollarësh amerikanë për programe arsimi, punësim dhe mentorim për të rinjtë e zi dhe burrat latino në Nju Jork.
Përhapja e Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur pas Luftës së Ftohtë gjithashtu u përball me sfida të reja. Numri gjithnjë e më i madh i qeverive nacionaliste dhe nganjëherë autoritare kishin për qëllim t’i heshtin mediat e lira dhe grupet e pavarura qytetare që e sfidojnë kontrollin e tyre mbi pushtetin. Rritja e kufizimeve në Rusi çoi në mbylljen e Fondacionit në Moskë, dhe më pas në vitin 2015 qeveria ruse i shpalli Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, së bashku me institucionet e tjera amerikane, si organizata “të padëshirueshme”. Në Hungari, ndërkohë, kryeministri Viktor Orban orkestroi një sërë sulmesh ndaj grantistëve të FSHH, dhe në vitin 2017 nisI një fushatë politike kombëtare duke e akuzuar themeluesin Xhorxh Sorosin se po e nxit me qëllim krizën e migracionit në Evropë. Sot, Fondacionet e Shoqërisë së Hapur mbesin të përkushtuara ndaj vizionit të Xhorxh Sorosin. Ne jemi organizata e dytë më e madhe filantropike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (fondi është plotësuar me donacion prej 18 miliardë dollarësh amerikanë mjete personale të Sorosit në tetor të vitit 2017). Shpenzimet tona vjetore tejkalojnë 940 milion dollarë amerikanë dhe punojmë në më shumë se 100 vende të botës me 26 fondacione dhe zyra kombëtare dhe rajonale. Ne sigurojmë fonde për qindra grupe që punojnë në një numër të madh çështjesh të ndryshme.