Autore: Hristina Bellovska
Duket e pabesueshme, por pas aktgjykimit për Sead Koçanin, kamionë dhe automjete të tjera të konfiskuara nga shteti po qarkullojnë nëpër rrugët e vendit duke kryer kundërvajtje në komunikacion, ndërsa MPB-ja shkruan fletëparaqitje . Duket se të gjithë e kanë atë pronë në dispozicion përveç shtetit.
Më 01.11.2019, në kryqëzimin e Kumanovës, policia ka ndaluar një veturë tip “Citroen” dhe ka iniciuar procedurë kundërvajtëse si për vozitësin ashtu edhe për kompaninë në pronësi, pasi ka qenë duke lëvizur me drita të prishura në pjesën e pasme. Kjo kundërvajtje në dukje është e zakonshme, por detajet e padisë për kundërvajtje flasin për një aferë të re lidhur me kompaninë tashmë të falimentuar “Transmet”.
Pasuria e konfiskuar e biznesmenit Sead Koçan, i cili ndodhet pas grilave, jo vetëm që nuk e ka rrotulluar numëruesin te “Porta Makedonija”, por edhe në mënyrë të paligjshme vozitet nëpër rrugët e vendit dhe përdoret nga persona të lidhur me të. Atë pasdite nëntori, “Citroen” drejtohej nga një person që punonte në “Transmet”, për të cilin ka prova me shkrim. Të dhënat e MPB-së tregojnë se në dy vitet e fundit policia i ka ndaluar 13 herë dhe i ka regjistruar në procesverbal automjetet e “Transmet”-it. Më 04.12.2020, në marketin “Kipper” në Tetovë është ndalur një kamion tip “Mercedes” me leje të qarkullimit të skaduar, po ashtu në pronësi të mëparshme të “Transmet”-it, por edhe pjesë e listës së pasurisë së luajtshme të konfiskuar.
Policia ka një përgjigje standarde policore në pyetjen se si ndodh që automjetet nga prona e konfiskuar të lëvizin nëpër rrugë.
“Kundër personit juridik “Transmet” gjatë viteve 2019-2020 janë paraqitur katër kërkesa për leje qarkullimi të pavlefshme, tri kërkesa janë për ngarkim të automjeteve, dy për automjete me defekte teknike dhe për mosplotësim të kushteve të përcaktuara sa i përket përmasave, masën e përgjithshme dhe ngarkesën boshtore (transport emergjent), dhe nga një kërkesë për drejtim të automjetit me kategori të papërshtatshme dhe kërkesë për targa të humbura, të dëmtuara apo të shkatërruara”, është përgjigja që morëm nga Ministria e Brendshme.
Prej katër vitesh, përveç shtetit, askush tjetër nuk lejohej të tjetërsonte dhe të dispononte pasuri të luajtshme, përkatësisht të regjistronte dhe drejtonte automjete, ndërsa masa ka qenë në fuqi edhe për pasuritë e paluajtshme. Në maj të vitit 2017 Gjykata Penale vendosi ngrirjen e të gjithë pasurisë me kërkesë të ish-Prokurorisë Speciale Publike, e cila për herë të parë bëri të ashtuquajturin konfiskim bruto. Lëndën e udhëhiqnin dy prokurorë, Artan Ajro dhe Gavril Bubevski.
“Këtë lloj konfiskimi e kemi kërkuar për faktin se me dokumentacionin e falsifikuar është marrë një prokurim publik, nga i cili janë transferuar pak më pak se 17 milionë euro në llogarinë e ‘Transmetit’ dhe përmbajtja e atij dokumentacioni është kusht për të qenë në gjendje të hyjë në vlerësim për tender.” Në atë moment i dënuari nuk i ka pasur ato automjete, ndërsa i ka paraqitur sikur i kishte. I ka blerë ato pasi e ka marrë tenderin nga fondet e prokurimit publik. “Ky është një shembull klasik i të ardhurave nga krimi,” tha Bubevski për këtë hulumtim.
Aktgjykimin e konfrimoi edhe Gjykata e Apelit, por e zvogëloi dënimin për Koçanin nga gjashtë vjet në katër vjet e tetë muaj dhe nga 15 korriku 2019 u bë plotfuqishëm, që do të thotë se shteti mund të fillojë shitjen ose shfrytëzimin e pronës së Koçanit. Por, kjo nuk ndodh.
“Janë 204 automjete për të cilat tani po kontrollohet nëse janë dhënë peng. Kemi informacione se 24 automjete me vlerë më të madhe janë dhënë peng në disa banka”, ishte deklarata e parë e Faton Asanit, drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar në një konferencë për mediat më 18 korrik 2019.
Në vend që milionat e konfiskuara të Koçanit të rrotullonin numëratoren e famshme të paralajmëruar nga Zoran Zaevi, veturat e tij po rrotulloheshin në mbarë vendin dhe askush nuk ka informacion se si individët dhe kompanitë kanë ardhur në pronat e ngrira para katër viteve.
“Nuk e kam idenë se çfarë po ndodh me automjetet dhe gjithë pasurinë e luajtshme. Kemi kërkuar që të kalojnë në emër të Agjencisë, por të gjitha ishin peng dhe Regjistri Qendror na ka refuzuar, ne nuk kemi mundur t’ia kalojmë pronësinë MPB-së”, thotë Faton Asani, drejtor i Agjencisë për Pronën e Konfiskuar.
MPB-ja është përgjigjur se deri më tani nuk ka marrë shkresë zyrtare për kalimin e pronësisë nga “Transmet” në emër të Agjencisë.
SI ËSHTË NGATËRUAR LËMSHI
Të gjitha automjetet dhe mekanizimi i konfiskuar i “Transmet” sipas aktgjykimit kapin vlerën e 6,9 milionë eurove, ndërsa pasuria e paluajtshme e vlerësuar sipas parcelave, objekteve të banimit “peshonte” 7,4 milionë euro. Por, nuk ka asnjë informacion se sa është vlera e tyre tani, sepse nuk është bërë ekspertizë. E sigurt është se janë rritur kamatat, pasi Koçani ka marrë hua në katër banka, nga kompani të njohura të huaja dhe vendase, si për shembull “Pucko Petrol”, të cilës i kishte borxh rreth një milion euro për naftë, kështu që betejën për pronën, përveç shtetit, e zhvillojnë edeh tetë përmbarues. Njëra prej tyre, përmbaruesja Vesna Dellovska, e cila e përfaqëson Sparkasse dhe Bankën Komerciale, tashmë ka siguruar disa nga veturat që i ka kërkuar nëpër parkingjet anembanë vendit. Totali i borxhit kryesor që ajo pret ta arkëtojë është 1,1 milionë euro. Në atë vlerë, së bashku me një banesë, një pjesë të bazës së betonit që ndodhet 5 km larg Bllacës dhe tridhjetë sende të luajtshme, përfshihen edhe kamatat e akumuluara.
“Kam siguruar katër kamionë dhe një rul, i kam gjetur në parcelën në Bllacë. Tani vlera e kamionit, sipas vlerësimit të autorizuar që kam bërë, kushton dy milionë denarë më pak. Në momentin kur i marr lëndët për përmbarim nga ‘Transmet-i’, është duke u zhvilluar procedurë gjyqësore. “Kreditë janë marrë në vitin 2013 dhe e gjitha është e noterizuar”, tha për këtë hulumtim përmbaruesja Dellovska.
Për këtë pronë, Agjencia parashtron padi në Gjykatën Civile në Shkup për të treguar të drejtën më të “fortë” të pronës dhe kërkon anulimin e hipotekës. Në mars të vitit 2021 është përfshirë edhe Prokuroria e Shtetit në padi për ndërhyrje kryesore për të qenë në gjendje t’i përfaqësojë drejtpërdrejt interesat e shtetit. Të dy proceset gjyqësore drejtohen nga gjyqtarja Veljanka Donevski, e cila caktoi seancën e radhës në qershor. Por, këto lëndë nuk janë për të gjithë shumën e konfiskuar prej 17 milionë eurosh, por vetëm për një pjesë të pronës, me vlerë prej 185 mijë euro. Pjesa tjetër do të sigurohet me vonesë, gati dy vjet pas dhënies së vendimit. Agjencia në koordinim me Prokurorinë e Përgjithshme ka bërë kërkesë për ndihmë nga Qeveria.
Hetimi i Prokurorisë Speciale, i quajtur gjerësisht “Trust”, në shkurt të vitit 2017 e njoftoi falimentimin e biznesmenit Sead Koçan dhe biznesin e tij ndërtimor që lulëzoi gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskit. Falimentimi zyrtar u shënua me hapjen e procedurave të falimentimit në shtator 2019. Rasti “Transmet” përfundon në duart e administratorit të falimentimit, Bogoljub Makrevski, të cilit nga policia i mbërrijnë informacionet se dikush i vozit kamionët dhe veturat në mënyrë të paligjshme. Makrevski në dy vitet e fundit është thirrur në gjykatë në Kumanovë, Kavadar, Sveti Nikollë dhe Tetovë.
“Policia rrugore dhe inspeksioni i transportit më kanë informuar për çdo automjet të ‘Transmet’-it, por nuk kam juridiksion as për veturat, as për ndonjë pronë, sepse është konfiskuar dhe nuk mund të formoj pasuri falimentuese”, deklaroi Makrevski. Edhe pse prona e “Transmetit” ishte konfiskuar, pas hapjes së falimentimit, Makrevski e njoftoi ish-menaxheren e kompanisë ndërtimore, Sllavica Georgieva, dhe kërkoi që t’i dorëzohen i gjithë dokumentacioni, vula dhe shtembili, si dhe gjithçka që ishte konfiskuar. Më 9 janar të vitit 2020, gjyqtarja Snezhana Tanevski ka urdhëruar që në afat prej pesë ditësh t’i dorëzohen lëndët e kërkuara dhe dokumentacioni i plotë i Makrevskit nga “Transmeti”.
Lidhur me dilemat për avantazhin se kush çfarë ka të drejtë të arkëtojë, u mbajt takimi i administratorit të falimentimit, përfaqësuesve të Agjencisë dhe gjyqtares Lidija Zimbovska e cila e ka shqiptuar aktgjykimin, e cila insiston se shteti ka përparësi ndaj pronës – siç thuhet në aktgjykim. Por, pavarësisht këtyre takimeve, mbetet e paqartë loja e ping-pongut me kompetencat dhe sigurimi i pasurisë së luajtshme. Si edhe për të gjithë rastin, ashtu edhe në përmbajtjen e letrave që autoritetet i kanë dërguar njëri-tjetrit ka kontradikta. Në një shkresë të Agjencisë drejtuar “Transmet” nga marsi 2020, punonjësit e Agjencisë për Pronë të Konfiskuar paralajmërojnë se ka pasur marrëveshje që administratori i falimentimit t’i gjejë automjetet dhe të fillojë marrjen dhe akomodimin e tyre. Por, nga ana tjetër, ai shkruan:
“Nuk ka asnjë marrëveshje apo akt të dorëzuar juridik me administruesin e falimentimit Bogoljub Makrevski që të ketë marrë aprovim nga ana jonë për të menaxhuar me pronën, ne si institucion distancohemi nga kjo… pronësia e të gjithë pasurisë së paluajtshme dhe menaxhimi i të gjithë pasurisë së luajtshme është në kompetencën tonë ndërsa ju keni ndalesë ta dorëzoni pronën dhe ta tjetërsoni atë”, thuhet në shkresën e Agjencisë.
Tek administratori i falimentimit të “Transmet” deri më tani janë paraqitur 272 kreditorë, të cilët ashtu si shteti presin t’i mbledhin borxhet. Disa prej tyre janë kontestuese, si kompania ndërtimore “Tribeko”, e cila është e lidhur me bashkëpunëtorët e Koçanit. Çdo ditë që kalon kamatat e kreditorëve rriten, kështu që 17 milionë eurot që Koçani i ka marrë me dokumentacion fals në tenderin për gërmimin e thëngjillit dhe sterileve në Suvodoll, në fakt janë 30 milionë euro borxhe.
Pasuria e paluajtshme që përfshin livadhe, bazë asfalti, parcela, banesa është regjistruar në emër të Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar, por hipotekat mbeten në shqyrtim nga Kadastra. Në Ministrinë e Brendshme është nën hetim edhe flota e mjeteve ndërtimore nga e cila të gjithë distancohen dhe nuk e dinë se ku ndodhet, kurse sipas dokumenteve atë realisht e kërkojnë. Nga prilli i këtij viti, SPB Shkup është duke vepruar sipas kallëzimit të administratorit të falimentimit Makrevski. Sipas informacioneve të tij të shkruara në kallëzim, 85 automjete transportuese janë duke punuar në aktivitete ndërtimore gjatë ndërtimit të autostradës Kërçovë – Ohër dhe në rrugët Shtip – Koçan, Shtip – Radovish, Miniera e Buçimit.
“Përkundër faktit se Agjencia për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar ka qenë e obliguar që konfiskimin ta kryejë në afat prej 30 ditësh pas hyrjes në fuqi të aktgjykimit, këtë e ka bërë me patundshmërinë, ndërsa formalisht e ka marrë pronën e luajtshme – pajisjet dhe mjetet e transportit, por fizikisht ka lënë që persona të tretë të menaxhojnë me të në mënyrë të pajustifikueshme”, shprehet administratori i falimentimit.
Ditën kur u shqiptua masa e përkohshme me të cilën Gjykata Penale ndaloi tjetërsimin e pronës së “Transmetit”, kjo kompani ka aplikuar për leje ekologjike të integruar A për bazën e asfaltit në fshatin Popoec, rajoni i Kërçovës, por është refuzuar. Edhe pse prona është “ngrirë” prej katër muajsh, “Transmeti” kërkon një ndihmës mekanik në një shpallje pune online.
Sead Koçani është i burgosur në “Idrizovë” që nga 1 gushti 2019, por familja dhe bashkëpunëtorët e tij ndërkohë kanë themeluar disa kompani dhe vazhdojnë të merren me biznesin e ndërtimit.
KONFISKIMET E DËSHTUARA DHE BESIMI NË SHTETIN LIGJOR
Rasti i pronës së Sead Koçanit tregon se në kundërshtim me logjikën juridike, ose të gjithë i lexojnë ligjet sipas dëshirës së vet ose ato janë përplot me boshllëqe që të tjerët i shfrytëzojnë përpara shtetit. Por, ato janë gjithashtu një fushë loje e rrezikshme për besimin e qytetarëve dhe po aq e rrezikshme për nxitjen e korrupsionit si efekt domino. Kudo, jo vetëm në Maqedoni, kuptimi i konfiskimit është i njëjtë. Autori nuk e ruan dobinë pronësore të fituar në mënyrë të paligjshme, thotë profesoresha nga Katedra e të Drejtës Penale në Fakultetin Juridik në Zagreb, Sunçana Roksandiq.
“Parandalimi i këtyre krimeve nuk ka kuptim nëse dobia e kundërligjshme pronësore nuk konfiskohet dhe ngrihet në procedurë penale. Kështu, për mendimin tim, qëllimi i dënimit nuk do të realizohet plotësisht edhe nëse në fund kryesi shpallet fajtor, e nëse me këtë rast e ruan dobinë pronësore të fituar në mënyrë të paligjshme”, thotë profesoresha Roksandiq.
Kryetarja e “Transparency Macedonia”, Sllagjana Taseva, e cila është edhe njohëse e masës së konfiskimit të pronës, konsideron se në sistemet moderne demokratike efektiviteti në luftën kundër korrupsionit shprehet në vlerën e të ardhurave kriminale të konfiskuara. Dhe kjo nuk është për t’u lavdëruar në vendin tonë.
“Përqindja e konfiskimeve të realizuara në vendin tonë është shumë e vogël, pothuajse e parëndësishme. Shfaqen shumë probleme që të lënë përshtypjen e një sistemi të keq dhe të papërgatitjes. Kjo kontribuon që qytetarët të humbasin besimin në vullnetin real të shtetit për t’u përballur me krimin. Krijohet përshtypja e paprekshmërisë dhe e mbrojtjes përmes korrupsionit”, tha Taseva.
Historia e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg regjistron një rast në të cilin justifikohet konfiskimi i pronës së fituar në mënyrë të paligjshme dhe pa procedurë penale dhe është konstatuar se nuk është shkelur Protokolli 1, apo e drejta e pronës. Sergo Gogitze për qytetarët e Axharës (një rajon autonom i Gjeorgjisë) do të mbahet mend si një zyrtar që i vodhi dhe i mashtroi për të shtuar pasurinë e tij, por edhe një shembull se çdo gjë që fitohet në mënyrë të paligjshme do t’i kthehet popullit. Si ish-zëvendësministër i brendshëm dhe ish-kryetar i Entit së Auditimit në Axhara, Sergo Gogitze ka arritur të marrë në emër të tij, por edhe të dy djemve dhe vëllait të tij, një pasuri prej 450 mijë eurosh. Procedurat kundër tij u nisën nga një prokuror publik në vitin 2004 para Gjykatës Supreme, me akuzën se rroga e Gogitzes gjatë dy mandateve të tij nga viti 1994 deri në 2004 ishte e pamjaftueshme për të rritur pasurinë e tij personale. As e djemve dhe vëllait të tij. Prokurori me dokumentacionin, i cili përfshinte ekspertizën e dy auditorëve të pavarur, ka dëshmuar se ish-zyrtari Gogitce nga të dyja pozitat në Qeveri ka fituar 1.644 dhe 6.023 euro si rroga zyrtare, ndërsa pasuria ka qenë jashtëzakonisht më e lartë se këto shuma, ose rreth 450 mijë euro. Në listën e pronave të konfiskuara ishin shtatë shtëpi, banesa, aksione në hotel, një makinë Mercedes. Gjykata e Lartë e Axharës mori një vendim që nuk përfundon në favor të Gogitces dhe familjarëve të tij, pas së cilës u konfiskua prona e kontestuar. Çështja i shteroi të gjitha shkallët e gjykatës dhe përfundoi në Strasburg në vitin 2005, me ankesën e Gogitxes dhe familjes së tij.
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. “Askush nuk mund të privohet nga pronat e tij, përveçse për interesin publik dhe në varësi të kushteve të parashikuara nga ligji dhe parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në nenin 1 të Protokollit nr.1. 1. Duke i analizuar ankesat, gjykata në Strasburg në vitin 2015 ka nxjerrë një vendim ku thuhet se nuk ka shkelje të këtij neni të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përkatësisht se Gogitxes nuk i është cenuar e drejta për disponim paqësor të pronës. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut pajtohet gjithashtu me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Gjeorgjisë se procedura administrative për konfiskimin nuk ishte arbitrare dhe se shteti ka liri të gjerë për të vlerësuar dhe zgjedhur se si do ta luftojë krimin.
MESAZHET NGA BE-ja
Kodi ynë Penal parashikon se askush nuk mund të mbajë dobinë pronësore direkte dhe indirekte të përfituar nga një vepër penale. Konfiskimi është proces i konfiskimit të përhershëm të pronës së fituar nga kryesi në mënyrë të kundërligjshme. Komuniteti ndërkombëtar ka pritshmëri të mëdha në fushën e hetimeve financiare lidhur me sekuestrimin e pronës dhe konfiskimin e mëtejshëm në procedurë.
“Në vitin 2019, konfiskimi i pasurisë kriminale është kufizuar në 21 persona. Ai përfshinte konfiskimin e pasurisë së paluajtshme në tre raste. Konfiskimi i pasurisë kriminale duhet të bëhet një prioritet strategjik në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit të nivelit të lartë në vend. Mjetet e vendit për ngrirjen, menaxhimin dhe konfiskimin e pronës së fituar në mënyrë kriminale nuk janë mjaft efektive. Përdorimi sistematik i konfiskimit ose konfiskimi i zgjeruar është i nevojshëm për një listë të kufizuar veprash penale,” thuhet në Raportin e Progresit të RMV-së për vitin 2019.
Në prizmin e rastit të quajtur “Trust”, shihet (mos)gatishmëria e institucioneve dhe vullneti për të zbatuar një konfiskim më të madh, ndonëse secila nga institucionet dhe palët e përfshira në atë proces kanë argumentet e veta për pengesat. Por, ato shpjegime ligjore mund të kenë kuptim në sistemin gjyqësor, ndërsa për qytetarin e thjeshtë duken të pakuptueshme. Ai do të donte të shihte më qartë se si shteti bën gjithçka për t’i eliminuar pengesat. Sepse raste të tilla vetëm se e forcojnë perceptimin, madje edhe bindjen, se shteti është i pafuqishëm ose nuk dëshiron të bëjë një përpjekje të jashtëzakonshme për ta përmbushur drejtësinë që të gjithë e presin.
***
Storja është përgatitur në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve të gazetarëve hulumtues në fushat e Kapitullit 23, me fokus në gjyqësi”.
—————————————————
1 Qershor 2021