Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni e respekton të drejtën e të gjithë qytetarëve për të shprehur të drejtën e tyre për protestë, por apelon tek organizatorët dhe protestuesit që të tregojnë kapacitete demokratike për të mbajtur protesta paqësore. Ditët e fundit kemi qenë dëshmitarë të demonstrimeve të dhunës në protesta dhe përhapjes së gjuhës së urrejtjes në publik dhe në rrjetet sociale, të cilat e kërcënojnë shoqërinë tonë multietnike, bashkëjetesën dhe sigurinë e shtetit.

Presim që organizatorët dhe protestuesit, përderisa është duke u zhvilluar debati në Kuvend, të mos lejojnë që situata të përshkallëzohet në drejtim të padëshiruar! Presim përgjigje dhe masa efektive nga institucionet, që do të parandalojnë dhe sanksionojnë dhunën, sepse nuk na duhen të enjte dhe të hëna të reja të përgjakshme dhe të zeza!

Konsiderojmë se nuk ka asnjë justifikim për protestat e dhunshme, na duhet arsye, racionalitet dhe mençuri me të cilën do të tregojmë, si shumë herë deri më tani, se jemi të aftë si shoqëri e pjekur të nxjerrim maksimumin në momentet e vështira dhe të ndërlikuara dhe të marrim vendimin e duhur për të ardhmen e vendit.

Presim që në Kuvend të shohim një debat të argumentuar dhe konstruktiv të mendimeve të kundërta për përmbajtjen, aspektet politike dhe teknike të propozimit, veçanërisht një debat të argumentuar për atë se çfarë në fakt përfitojmë në rastin e pranimit të kornizës së negociatave, gjegjësisht çfarë është ajo që e humbasim nëse e refuzojmë atë, dhe kuptohet argumente të qëndrueshme për atë se cilat janë sfidat dhe si do t’i kapërcejmë ato.

—————————————————

14 Korrik 2022