Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

AUTORË XHORXH SOROS DHE ERIK BENIHOKER

Rënia katastrofale në punësimin në SHBA për shkak të krizës së koronavirusit kërkon shumë më tepër përpjekje nga qeveria federale.

Gati 17 milion amerikanë kanë bërë kërkesë për papunësi në një periudhë prej vetëm tre javësh, që përfundon më 4 prill. Analiza e Qendrës hulumtuese INET Oxford  parashikon se pa një reagim të menjëhershëm, 24% e vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara do të mbeten bosh në javët e ardhshme – krahasuar me vetëm 3.3% gjatë recesionit 2007-2009. Ky lloj i humbjes së vendit të punës do të ishte i barabartë me vitet më të këqija të Depresionit të Madh dhe do të nënkuptonte se më shumë se 37 milion amerikanë mbeten pa punë. Ndikimi do të ndihet më së shumti nga punëtorët me të ardhura të ulëta.

Për sa kohë që nuk është e sigurt që njerëzit të kthehen në punë, qëllimi duhet të jetë mbajtja e ekonomisë në të ashtuquajturin “modalitetit të gjumit”. Kjo do të kërkojë që bizneset dhe punëtorët të mbahen të paprekur dhe të gatshëm të “zgjohen” dhe të kthehen në punë kur të kalojë kriza shëndetësore, në mënyrë që të arrihet një rikuperim i fortë. Si? Qeveria federale duhet menjëherë t’i garantojë rrogat për të gjithë amerikanët gjatë kohëzgjatjes së krizës.

Vendet e tjera e kanë bërë mu këtë. Gjermania, Franca, Danimarka, Irlanda, Hollanda, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia sigurojnë fonde të drejtpërdrejta për punëdhënësit për të mbuluar rroga e punëtorëve dhe për t’i mbajtur punëtorët në vendet e tyre të punës gjatë izolimit.

Historia ka treguar se kjo strategji funksionon. Falë programit Kurzarbeit në Gjermani papunësia në të vërtetë u ul nga 7.9% në 7% gjatë Recesionit të madh, ndërsa papunësia mesatare në ekonomitë e tjera të mëdha të zhvilluara u rrit për 3%. Si rezultat, ekonomia gjermane arriti të rikuperohej më shpejt sesa ato në shumë vende të tjera.

Kongresi i SHBA ndërmori një hap në drejtimin e duhur me Aktin për KUJDES (CARES Act) në vlerë prej 2 trilion dollarësh amerikanë, i cili u miratua së fundmi. Akti i ri përcakton një program kredie për të garantuar listën e rrogave të bizneseve me më pak se 500 të punësuar. Por, për fat të keq, fondet për programin ishin shumë të vogla, dhe shpërndarja e fondeve – me kredi përmes bankave – po dëshmohet të jetë shumë burokratike dhe e ngadaltë. Gjithashtu, ndihma e programeve të tjera të parashikuara në Aktin për KUJDES dhe aktivitetet e rezervave federale janë shumë indirekte dhe funksionojnë aq ngadalë për të mundur ta ndalojnë valën e papunësisë. Ne kemi nevojë për veprim që është më i shpejtë, më i drejtpërdrejtë dhe në një shkallë më të madhe.

Përfaqësuesja Pramila Xhejapal (Pramila Jayapal (D-Wash.)) dhe disa kolegë të saj në Dhomën e Përfaqësuesve kanë propozuar miratimin e një “Akti për Garancinë e Rrogës” (Paycheck Guarantee Act”), i cili do t’i mbështeste punëtorët e të gjithë punëdhënësve. Me rëndësi thelbësore është që mbrojtja të mbulojë të gjithë 152 milion punëtorët amerikanë, e jo vetëm 60 milion që punojnë në biznese të vogla. Kjo mbrojtje duhet të përfshijë si organizatat fitimprurëse, ashtu edhe ato jofitimprurëse.

Propozimi i Dhomës së Përfaqësuesve do të mbulojë rroga deri në 100.000 dollarë për punonjës dhe përfshin dispozita që do të inkurajojnë kompanitë përsëri t’i riangazhojnë punonjësit që janë larguar nga puna që nga 1 marsi. Me rëndësi kyçe do të ishte edhe mbulimi i kujdesit shëndetësor, pasi 160 milion punëtorë dhe anëtarët e familjeve të tyre aktualisht mbështeten në sigurimin shëndetësor nga punëdhënësit e tyre.

Më e rëndësishmja, propozimi përshkruan mënyrat me të cilat kjo mbështetje jetike mund t’u shpërndahet kompanive shpejt, drejtpërdrejt dhe në mënyrë elektronike, sesa përmes bankave dhe burokracisë. Më në fund, propozimi ka dispozita për të siguruar që mbështetja do të përdoret në të vërtetë për të mbuluar rrogat e punëtorëve në kompani që përndryshe do të detyroheshin të largonin punëtorët nga puna. Kjo do të parandalojë ndërmarrjet e mëdha që nuk kanë nevojë për fonde për të hyrë në program dhe gjithashtu do të parandalojë sjellje të llojeve të ndryshme të keqpërdorimeve, të vërejtura gjatë ndarjes së fondeve në vitin 2008, për shembull, duke përdorur fondet e tatimpaguesve për shpërblime për drejtorët ekzekutivë ose për të blerë aksione.

Një garanci e tillë ekonomike me siguri do të jetë e kushtueshme – INET Oxford vlerëson  rreth 115 miliardë dollarë në muaj. Por, kjo është në kuadër të masave të tjera të marra në Aktin e KUJDESIT dhe ka të ngjarë të jetë një nga përdorimet më efektive të politikës fiskale.

Ndërsa Akti për KUJDESIN parashikon sigurim dukshëm më të lartë për papunësinë, është shumë më mirë paratë të shpenzohen për t’i mbajtur njerëzit të punësuar. Papunësia masive do të krijojë fërkime të mëdha gjatë rifillimit të ekonomisë – kompanitë do të jenë të kujdesshme gjatë ri-punësimit, ndërsa konsumatorët do të jenë të kujdesshëm për shpenzimet, duke krijuar potencialin për depresion të gjatë dhe të zgjatur. Të gjitha fondet e shpenzuara për ruajtjen e pagave të punëtorëve dhe për mbrojtjen shëndetësore tani, do të kursejnë para, sepse përndryshe ato do të duhet të shpenzohen për përfitime të papunësisë dhe mbrojtjen shëndetësore publike më vonë.

Edhe pse asgjë nuk është e lehtë në vitin e zgjedhjeve, nëse ka një propozim që duhet të marrë mbështetje dypartiake, është ky. Senatori repbulikan Josh Holly nga Misuri propozoi në mënyrë të pavarur një garanci për rrogën, të ngjashme me atë të sjellë nga qeveria konservatore në Mbretërinë e Bashkuar. Për demokratët, është thelbësore mbrojtja e të ardhurave të punëtorëve dhe e mbrojtjes shëndetësore, veçanërisht për punonjësit me të ardhura më të ulëta. Republikanët gjithashtu e dinë që bizneset dëshirojnë dëshpërimisht të mbajnë të punësuarit e tyre dhe të jenë të përgatitur për rifillim të shpejt të ekonomisë. Dhe ndërsa rritja e përfitimeve të papunësisë në Aktin e KUJDESIT ishte absolutisht e nevojshme, të dyja palët e dinë që punëtorët më mirë do të merrnin rrogë sesa përfitime si të papunë.

Kongresi dhe administrata duhet të veprojnë menjëherë për ta parandaluar kolapsin katastrofal të punësimit që është duke ndodhur. Akti i garantimit të rrogës është aq urgjent dhe i dobishëm sa që duhet të vendoset si ligji i parë në listë për miratim nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të mos vonohet në pritje të një pakete tjetër të madhe shpëtimi. Disa njerëz që do të votonin kundër kësaj thonë se është vonë. Kjo nuk është e vërtetë, por nëse vonohet për shkak të pritjes së një ligji të ri gjithëpërfshirës, atëherë do të jetë vërtet vonë.

Në fund, virusi do të vihet nën kontroll, por për sa kohë që amerikanëve u kërkohet të “mbrojnë veten në shtëpi”, ne gjithashtu duhet t’i mbrojmë vendet e tyre të punës.

13 PRILL 2020

Burimi: LA Times

Fotografia: Në Holivud, sikurse edhe në qytetet e tjera në të gjithë Shtetet e Bashkuara, rrugët janë kryesisht të zbrazëta, ndërsa bizneset po mbyllen gjatë pandemisë. Është e rëndësishme bizneset të mbahen bizneset në të ashtuquajturin “modalitet i gjumit”, dhe të mos lihen të vdesin.

(Jason Armmond/Los Angeles Times)

—————————————————

21 Prill 2020