Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Autore: Biljana Nikollovska

Ndërmjet një e treta dhe gjysma e kërkesave të zgjidhura pozitivisht në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg kundër Maqedonisë në pesë apo gjashtë vitet e fundit i referohen shkeljes së dispozitave të nenit 6 të KEDNJ-së që garantojnë procedura të drejta dhe korrekte gjyqësore si e drejtë themelore e njeriut. Reagimi i autoriteteve ndaj kësaj situate është i fortë në fjalë, dhe i vakët dhe inert në praktikë

Problemi i aplikimit të një gjykimi të drejtë ndaj të pandehurve në procedurat penale, por gjithnjë e më shumë në proceset civile para gjykatave vendase në të gjitha nivelet është vërejtur prej kohësh, hulumtimi ynë konfirmoi se ai është i pranishëm në vitet e fundit, por pavarësisht nga perceptimi dhe vullneti verbal për ta përmirësuar situatën nga autoritetet, ndryshimet në praktikë bëhen me shpejtësinë e kërmillit.

Të gjitha burimet që i konsultuam, pa përjashtim, e dinë problemin, e kuptojnë gjithashtu se çfarë duhet bërë, janë paraqitur iniciativa për ndryshimin e legjislacionit dhe për trajnime shtesë të të gjitha palëve përgjegjëse për proceset gjyqësore, por gabimet, jo vetëm në aspekt statistikor, përsëriten çdo vit.

Ndërsa në praktikë, shifrat nuk janë thjesht statistika të thata, por fate të tmerrshme njerëzore, për shkak të të cilave jo rrallëherë humben jetë njerëzore, prishen familjet, fajtorët mbeten të lirë dhe të pafajshmit vyshken nëpër burgje.

RASTI I PARË: A ËSHTË ERHAN MAMUTI GRABITËS BANKE?

“Ku janë paratë, jepni paratë” – këto janë fjalët që I kanë dëgjuar katër punonjësit e “Halk Bank” mëngjesin e datës 03.11.2017, rreth orës 9.25 minuta, në rrugën e “Butelit “. p.n. në Shkup. Ajo e premte ishte si të tjerat, të paktën për bankierët Rashid Beqirovski, Ana Gaqidova, Njomza Shabani dhe Maja Elenska. Por, për një moment ndodhi diçka që ata do ta mbajnë mend përgjithmonë.

Tre persona të maskuar me maska në kokë, dy prej të cilëve të armatosur me pistoleta, kanë hyrë në ekspoziturën e bankës dhe kanë kërkuar plaçkë. I pari në duart e tyre ka rënë punonjësi Rashid Beqirovski, të cilin, duke e goditur në kokë dhe në trup, grabitësit e kanë tërhequr zvarrë në të dy sportelet. Nga sirtarët, por edhe nga kasaforta e bankës kanë marrë 1.150.000 denarë, si dhe edhe 50.000 denarë nga klienti Zharko Livriniq, i cili ka hyrë në bankë për të paguar tregun ditor (në total rreth 19,500 euro, v.j.). Veprimi i grabitësve ka qenë shumë i shpejtë, pas së cilës ata janë larguar në drejtim të panjohur, e përpos personave në bankë, këtë e dëshmojnë edhe regjistrimet nga kamerat e sigurisë.

Kjo është vetëm një pjesë e vogël e përshkrimit të aktakuzës së shkruar nga prokurori Rasim Dreca kundër një të akuzuari për grabitje, identitetin e të cilit ai e ka vërtetuar, dhe ai është Erhan Mamuti. Dy grabitësit e tjerë janë persona të panjohur, pasi Prokuroria nuk ka mundur ta vërtetojë identitetin e tyre.

Rasti është shqyrtuar në Gjykatën Themelore Penale Shkup, para Këshillit Gjyqësor në krye me gjyqtaren Sofija Laliçiq. Epilogu i shkallës së parë është dënimi me 10 vjet burg për Mamutin, aktgjykim i cili njëherë ishte kthyer nga Gjykata e Apelit në Shkup, pas së cilës i njëjti dënim prej 10 vitesh u konfirmua për herë të dytë nga Gjykata Supreme e RMV-së. Mamuti aktualisht është duke vuajtur dënimin me burg.

Por, ky proces gjyqësor vazhdon në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Neni 6 nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, parashikon se kushdo ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe kjo është baza e kërkesës me shkrim në Gjykatë të përpiluar nga dy avokatët e të dënuarit, Asmir Alispahiq dhe Ibrahim Bajrami.

“Pres nga Strasburgu, pas vendimit të tyre, që çështja të kthehet në rigjykim ose të anulohet aktgjykimi aktual. “Është e qartë se këtu janë të përfshirë shumë njerëz, duke filluar nga prokurori dhe gjyqtari. na tha Erhan Mamuti, i dënuar për grabitje. Mamutin e takuam në burgun e Idrizovës, ku ka vuajtur dënimin me 10 vjet burg për të katërtin vit.

Mbrojtja konstatoi disa shkelje

Në seancën e datës 8 korrik 2020, Gjykata Suprem e konfirmoi vendimin, palët e morën atë në shtator, ndërsa avokatët e dërguan kërkesën në Strasburg në mars 2021, duke evidentuar disa shkelje. Baza kryesore për ankesën në Strasburg është dëshmitari kryesor në hetim, Jeton Berisha,një person i cili u arrestua si i dyshuar i mundshëm për grabitjen. Por, për pas pak orësh në stacion, ciësia e tij ndryshon dhe në mënyrë “mrekulluese”, thonë bashkëbiseduesit tanë, nga i dyshuari ai kthehet në dëshmitar.

Është i vetmi që e ka njohur autorin para inspektorëve të policisë. Por, jo drejtpërdrejtë (duke e parë të dyshuarin Mamuti), por vetëm në incizimet e video-kamerave, ku në vetëm dy sekonda njëri nga grabitësit e nxjerr maskën nga fytyra dhe shikon kamerën.

“Jeton Berisha në ato 24 orë ligjore merr statusin e dëshmitarit nga i dyshuari. Ligji është i qartë, që nuk mund të keni dy cilësi për një ngjarje. “Do të thotë se mund të thirreni në cilësinë e dëshmitarit ose të privoheni nga liria si i dyshuar” thotë Alispahiq.

Në njoftimin zyrtar nga policia, Berisha është arrestuar nën dyshimin për grabitje dhe i është bastisur shtëpia, por hetuesit kanë biseduar me të dhe kanë konstatuar se ai nuk ishte autori. Kur e ka parë videon nga kamera për njeriun që e heq maskën, ka thënë se ishte qind për qind i bindur se ishte Erhan Mamuti. Mirëpo, Berisha ishte dëshmitar i mbrojtjes në seancë, mirëpo në seancë ka thënë se njohjen e tillë e bëri me detyrim, se Mamuti nuk e njihte dhe se nuk ishte nënshkrimi i tij.

Ekspert më i mirë se ekspertët e Ministrisë së Punëve të Brendshme?

Në favor të kësaj deklarate të Berishës, mund të jetë përfundimi i pashmangshëm logjik se ai ka dalë ekspert më i mirë edhe nga ekspertët e Ministrisë së Brendshme. Si provë e Prokurorisë është përgatitur ekspertiza në të cilën ekspertët e mjekësisë ligjore nuk kanë mundur ta njohin asnjë nga tre grabitësit. Mbrojtja ka kërkuar edhe ekspertizën e saj, për të cilën sipas Ligjit për Procedurën Penale (LPP) ka të drejtë, por gjyqtarja nuk e ka aprovuar. Sipas avokatëve, shpjegimi ishte se nuk mund të bëhej pasi nuk kishte fotogramerist të regjistruar në grupin kombëtar të ekspertëve mjeko-ligjorë, vetëm Ministria e Brendshme e ka një të tillë. Ky është i njëjti person që e ka bërë tashmë ekspertizën për Prokurorinë, e cila është palë e kundërt në këtë çështje.

“Gjatë procedurës së përsëritur kur lënda është kthyer nga Gjykata e Apelit dhe pas insistimit për një ekspertizë të tillë, në atë fazë propozimi im është refuzuar si i pabazuar. “Unë mendoj se kjo e shkel të drejtën për barazinë e armëve” thotë avokati Alispahiq.

Avokat i ri – shkelje e re i LPP-së dhe KEDNJ-së

Më datë 04.09.2019, në procedurë të përsëritur në Gjykatën Penale, avokati Asmir Alispahiq ia ka hequr prokurën të pandehurit dhe pas dy ditësh procesin e ka marrë përsipër mbrojtësi tjetër, Ibraim Bajrami. Ai kërkon të paktën 15 ditë për t’u njohur me çështjen dhe ky është minimumi ligjor, mirëpo merr vetëm dymbëdhjetë ditë nga Gjykata. Por, në të vërtetë, ai kishte vetëm dy ditë. Ai ka pranuar shkresat e lëndës në ditën e dhjetë nga 12 ditët që i kishte në dispozicion, pas së cilës është caktuar seanca. Në atë moment, gjyqi është pothuajse në fazën përfundimtare.

“Arsyeja pse gjykata nuk ma ka lënë afatin ligjor për përgatitjen e mbrojtjes është sepse të pandehurit tashmë i skadonte afati për paraburgim ligjor prej një viti pas hyrjes në fuqi të aktakuzës dhe gjykata dëshironte me çdo kusht ta mbajë të pandehurin në burg” thotë Ibrahim Bajrami, avokati i Mamutit.

Përgjigje u munduam të marrim edhe nga Prokuroria Themelore Publike – Shkup dhe prokurori Rasim Dreca dhe nga Gjykata Penale dhe gjyqtarja Laliçiq. Gjykata nuk është përgjigjur, gjyqtarja Laliçiq, nga ana tjetër, nuk ka dashur ta komentojë aktgjykimin e saj, për të cilin vetëm ka thënë se është konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme.  Prokurori Dreca përmes shërbimit për shtyp të prokurorisë është përgjigjur se nuk ka bërë presion ndaj dëshmitarit, se dëshmitari ka bërë njohje që është në pajtim me nenin 220 paragrafi 3 të LPP-së, i cili parasheh prezencën e prokurorit i cili ka kryer bisedë dhe në të cilën dëshmitari është deklaruar me “100 për qind siguri se personi i raportuar është personi nga video-incizimet”. Në rastin e përmendur, prokurori ka vepruar jashtëzakonisht profesionalisht, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Fakti që tashmë është dërguar një kërkesë në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, të gjithë të përfshirët thonë se çdo qytetar e ka këtë të drejtë.

Një grabitje, tre grabitës në video-kamerë, dhe një i zbuluar deri më tani. Dy persona janë të panjohur dhe si të tillë konsiderohen edhe sot e kësaj dite. Rasti mund të komplikohet sepse i dënuari Mamuti na tha se dyshon se ka pranim të veprës nga një autor krejtësisht tjetër i cili është në arrati, e që autoritetet po e fshehin. Ky rast u bë aktual për shkak të shkarkimit të gjyqtares gjykuese, Safija Laliçiq, e cila gjatë procedurës e dënoi avokatin Alispahiq për shkrimin e një statusi në Facebook kundër saj, duke e quajtur atë “gjyqtare Swarovski”.

RASTI I DYTË: A ËSHTË MEMED ALIOV PEDOFILI I VËRTETË?

Rasti është zhvilluar në Gjykatën Themelore në Veles, ku Memed Aliov është dënuar me 12 vjet burg për sulm seksual ndaj fëmijës nën moshën 14 vjeçare. Por, është interesant fakti se me një raport me shkrim për ekzaminim fizik dhe gjinekologjik, tek vajza e dyshuar e dhunuar janë konstatuar këputje të vjetra të himenit dhe nuk është vërtetuar as prania e spermës së Aliovit. Ekspertiza psikiatrike konstatoi se ajo nuk ishte abuzuar seksualisht nga i pandehuri dhe se tek ajo nuk ishin konstatuar pasoja, pra trauma nga ngjarja.

Më e diskutueshme ishte ekspertiza e cila tregoi se profili i ADN-së i kromozomit Y nga tamponi vaginal i marrë nga e dëmtuara A.N. është i të pandehurit Aliov, por sipas ekspertëve, në popullatën maqedonase ai profil përfaqësohet nga 1 në 627 persona, që, nga ana tjetër, nxjerr në pah gjasat që një person tjetër rastësisht të ketë të njëjtin profil me të dyshuarin dhe mund të paraqitet te të gjithë pasardhësit meshkuj nga linja atërore. Sipas ekspertes Renata Jankova Ajanovska ekspertiza ka qenë e fuqisë së moderuar provuese dhe nuk mund të vërtetohet me qind për qind apo me siguri të lartë se i akuzuari është autor i veprës penale. Nuk janë marrë parasysh faktet se gjatë procedurës nuk janë konstatuar gjurmë të spermës, asnjë gjurmë dhune dhe se është konstatuar se ADN-ja nuk transmetohet vetëm me marrëdhënie seksuale, por edhe me prekje, dhe është e pranishme në të gjitha sekrecionet e trupit.

Në rigjykim, të njëjtët ekspertë e ngritën pyetjen se autor mund të ishte cilido anëtar i familjes, e po ashtu se gjurmët e të brendshmeve të vajzës mund të ishin edhe nga nëna e saj, duke qenë se gjatë procedurës nuk u dëshmua se kujt saktësisht i përkasin ato. Megjithatë, dënimi me 12 vite burg u la në fuqi dhe vetëm për shkak të një gabimi teknik të avokatit, Gjykata e Strasburgut për të Drejtat e Njeriut e refuzoi kërkesën.

RASTI I TRETË: KEZHAROVSKI ENDE ËSHTË ISH I DËNUAR PËR ZBULIMIN E NJË RASTI TË MONTUAR POLICOR

I ngjashëm ishte edhe rasti me gazetarin Tomisllav Kezharovski, i cili u akuzua dhe u dënua për zbulimin e identitetit të një dëshmitari të mbrojtur në rastin e vrasjes në fshatin Oreshë të Velesit. Në momentin kur po hetonte për vdekjen e kolegut të tij Nikolla Mlladenov, që nuk ka lidhje me rastin e Oreshës, në vend që të zbulonte të vërtetën, përfundoi në burg.

Gjatë gjykimit, Kezharovski gjithashtu u përpoq të siguronte një sërë provash që kundërshtonin se dëshmitari, identiteti i të cilit pretendohet se e ka zbuluar, nuk ishte as i mbrojtur e as i rrezikuar, por një dëshmitar i rremë i policisë sekrete. Ai e interpretoi si provë për pretendimet e tij aktgjykimin e pafajshëm të gjykatës në Veles, e cila e udhëhoqi rastin për vrasjen e të moshuarit, dhe kërkoi përgjegjësi nga gjyqtarët që e dënuan. Gjykata Supreme e rrëzoi aktgjykimin dhe e ktheu lëndën në rigjykim, Kezharovski u lirua nga paraburgimi nën presionin e publikut dhe në ndërkohë lënda u vjetrua.

Mirëpo, në gjykatë dhe në arkivat e tjera në vend, përgjithmonë do të shkruhet se gazetari u dënua me 4 vjet e gjysmë burg nga gjykatat maqedonase për botim të një teksti gazetaresk dhe Kezharovski një pjesë të konsiderueshme të kësaj kohe e kaloi në paraburgim.

Një gjykim i drejtë është një e drejtë themelore e njeriut

Çfarë tregojnë shembujt nga hulumtimi ynë? Një përfitim qytetërues, i njohur si një e drejtë themelore e njeriut, është se secili ka të drejtën për një gjykim të drejtë.  Sepse epilogu përfundimtar i një gjyqi dhe fatet njerëzore mund të varen nga një procedurë e tillë. Kjo e drejtë garantohet me nenin 6 të KEDNJ-së, i cili është ratifikuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Me këtë, sipas Kushtetutës së RMV-së dhe ligjeve, gjykatat kanë obligim ta zbatojnë atë.

Konventa, si akt ndërkombëtar i ratifikuar, ka fuqi juridike më të madhe se ligjet kombëtare, duke përfshirë LPP-në, kështu që detyrimi i gjykatave për të zbatuar KEDNJ-në ekziston edhe kur ligjet kombëtare, si LPP-ja, në disa nene mund të bien ndesh me KEDNJ-në, si atëherë kur një çështje nuk është e rregulluar mjaftueshëm saktë nga ligjet tona, pas së cilës duhet të zbatohen të drejtat që dalin nga KEDNJ-ja. Konventa garanton të drejtën për barazi të armëve dhe gjykim të drejtë, andaj gjykatat në RMV kanë obligim të zbatojnë parimin e barazisë së armëve dhe për këtë kanë bazë ligjore jo vetëm në KEDNJ, por edhe në LPP, i cili gjithashtu parashikon një detyrim të tillë.

Por, është pikërisht parimi i barazisë së armëve dhe e drejta për një proces të drejtë ai që kundërshtohet shpesh si nga të pandehurit ashtu edhe nga mbrojtja. Në praktikë, ata nuk janë gjithmonë në pozita të barabarta me prokurorët. Më shpesh, shkelja ndodh gjatë marrjes së provave, për arsye që shpeshherë nuk i kanë mjetet materiale, autoritetin, as teknikën dhe teknologjinë që është në dispozicion të Prokurorit Publik. Kur bëhet fjalë për mjekësinë ligjore, ato kushtojnë shumë, veçanërisht në procedurat e rënda penale. Kjo vërtetohet në disa nga hetimet dhe gjykimet për veprën penale të vrasjes, ku jo rrallëherë caktohet edhe një mbrojtës sipas detyrës zyrtare, pasi i pandehuri nuk ka financa të angazhojë vetë një mbrojtës, e lëre më të paguajë për një mendim eksperti.

Problem shtesë për ushtrimin e të drejtave të KEDNJ-së, më saktë nga neni 6, është Ligji për Ekspertizën, i cili kufizon mundësinë e angazhimit si ekspertë të ekspertëve që nuk kanë licencë për ekspertizë, por kanë njohuri në fusha deficitare, si p.sh. ekspertizë balistike, ekspertizë grafologjike ose analizë e materialit të ADN-së. Në këto raste, nëse eksperti në dispozicion angazhohet nga Prokuroria Publike, nuk ka më mundësi ligjore që mbrojtja ta kryejë ekspertizën e saj.

Dobësitë e LPP-së janë identifikuar edhe nga avokatët dhe gjyqtarët

Sipas Odës së Avokatëve të RMV-së, kompetencat dhe të drejtat e pjesëmarrësve gjatë veprimit në procedurën penale janë të rregulluara me LPP-në, të miratuar në vitin 2010. Mirëpo, deri më sot gjatë aplikimit të tij nga avokatët janë vërejtur disa pasaktësi dhe dispozita të këqija, për të cilat është iniciuar një iniciativë dhe ka filluar procedurë për ndryshimin dhe plotësimin e dispozitave të ligjit përkatës.

 Se në praktikë, sidomos në sigurimin e provave, mbrojtja është në pozitë më pak të favorshme, e konfirmon edhe gjyqtarja Gabriella Gajdova, e cila i zhvillon lëndët penale në Gjykatën Themelore në Veles, e cila mban një sërë trajnimesh me temën e parimit të barazisë së armëve. Gajdova beson se është e nevojshme të ndërhyhet si në LPP ashtu edhe në Ligjin për Ekspertizën, por gjithashtu e thekson nevojën për njohuri më të mira të të gjithë pjesëmarrësve:“Ajo që është shumë e rëndësishme është nevoja që gjykata të japë gjithmonë shpjegime të arsyetuara se pse ka vendosur në një mënyrë të caktuar. Për t’i arritur të gjitha këto, është e nevojshme të trajnohen të gjithë pjesëmarrësit (PThP-ja, avokatët, gjyqtarët) për barazinë e armëve dhe procedurën e drejtë në dritën e nenit 6 të KEDNJ-së, për t’u edukuar mjaftueshëm, nga njëra anë, për ta respektuar këtë parim, dhe nga ana tjetër, për të shmangur sulmet paushalle ndaj gjyqtarëve për shkeljen e parimit të barazisë së armëve dhe procedurës së drejtë”, thotë Gajdova.

“Duhet theksuar se Prokuroria Publike e menaxhon procedurën parahetimore dhe hetimore, jep urdhra dhe udhëzime. Kjo do të thotë se, sipas vendosjes së Prokurorisë Publike në sistemin e drejtësisë penale, ai është i vetmi organ shtetëror që i ndjek penalisht autorët e krimeve, të cilët ndiqen sipas detyrës zyrtare. Mirëpo, edhe me një organizim të tillë sistematik të Prokurorisë Publike, mbrojtësit dhe të dyshuarit kanë autorizime gjatë procedurës paraprake të mbledhin prova për përgatitjen e mbrojtjes. Pas fillimit të shqyrtimit kryesor dhe të procedurës penale, prokurori publik dhe i pandehuri dhe mbrojtësi i tij kanë të drejta procedurale të barabarta dhe gjykata kujdeset për realizimin e këtyre të drejtave dhe kështu sipas prokurorisë, parimi i drejtësisë dhe barazia e armëve respektohen plotësisht në procedurat penale gjykimi”.

Prokuroria publike: Gjykata është ajo që kujdeset për një gjykim të drejtë dhe korrekt. Prokuroria nuk e sheh se ata kanë një pozicion më të favorshëm apo se e shkelin LPP-në në lidhje me të drejtat e mbrojtjes dhe theksojnë se fjalën e fundit për ushtrimin e këtyre të drejtave, megjithatë e kanë gjykatat.

Lëndimet janë konfirmuar nga monitorimi i Koalicionit

Gjykatat në vend nuk mbajnë evidencë se sa prej lëndëve në procedurë penale në bazë vjetore kthehen në rigjykim nga gjykatat më të larta kur bëhet fjalë për shkeljen e procedurës dhe të parimit të barazisë së armëve dhe të së drejtës për gjykim të drejtë. Përfaqësuesit e Koalicionit “Të Gjithë për Gjykim të Drejtë” prej vitesh janë në sallat e gjyqeve dhe i ndjekin procedurat penale që janë me interes më të lartë për publikun.

Nga përvoja e tyre si shkelje më të theksuara në vetë procedurën, do t’i veçonim shkeljen e parimit të barazisë së armëve në rastin e njohur në opinion si “Trust”, në të cilin objekt ishte prokurimi publik për gërmimin e sterileve dhe thëngjillit në minierën “Suvodoll”. Dy vërejtjet e Koalicionit kishin të bënin me mungesën e listës së provave për mbrojtjen, të propozuar nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP) dhe për faktin se Gjykata nuk lejoi që të njëjtët dëshmitarë të propozuar nga PSP-ja të propozoheshin edhe nga mbrojtja.

Në rastin e njohur për publikun si “Reket”, që ishte vendimtar për përfundimin e parakohshëm të PSP-së, gjithashtu u konstatua edhe shkelja e parimit të barazisë së armëve. Një pjesë e provave në momentin e ngritjes së aktakuzës, përkatësisht ekspertizës, nuk ishin përgatitur dhe për rrjedhojë, mbrojtja nuk kishte mundur të njihej me të gjitha provat që janë të vendosura në momentin e ngritjes së aktakuzës. Gjithashtu, mbrojtjes nuk i është dhënë mundësia që të marrë një kopje të shkresave të lëndës që ruhen në Prokurorinë Publike. Ata kanë mundur të bëjnë vetëm transkriptimin e provave që u ngarkohen të pandehurve në vend – na thanë nga Koalicioni “Të Gjithë për Gjykim të Drejtë”.

Monitorimi sistemor i Koalicionit tregoi se deri në vitin 2020, me përjashtim të vitit 2018 kur ka pasur një rritje të theksuar të këtyre reagimeve, ka pasur një trend të vazhdueshëm të ankesave nga ana e mbrojtjes, të cilat i referohen mungesës së kushteve adekuate për përgatitjen e rastit. Nga reagimet e dhëna, mbrojtja, njëlloj në 22% të rasteve, ka reaguar se nuk i është dhënë qasje në të gjitha provat e mbledhura nga prokuroria, por edhe se nuk i janë dhënë provat e kërkuara nga organet e tjera.

Koalicioni “Të Gjithë për Gjykim të Drejtë: Praktika është shqetësuese, ndryshimet në disa segmente të gjyqësorit janë të nevojshme.

“Brengos praktika e prokurorëve publikë që të mos i ndajnë të gjitha provat me mbrojtjen deri në paraqitjen e aktakuzës apo propozimit, si dhe interpretimi kufizues i dispozitave të LPP-së, se i pandehuri mund t’i shikojë shkresat e lëndës, por vetëm ato që prokurori publik do të konstatojë se janë relevante për të pandehurin. Është e nevojshme të forcohet puna e këshillave penale dhe zbatimi i drejtë i vlerësimit të aktakuzës. Në këtë mënyrë, shumë nga problemet e konstatuara me ‘barazinë e armëve’ dhe kohën adekuate për përgatitjen e mbrojtjes do të trajtoheshin siç duhet para fillimit të shqyrtimit kryesor, duke mundësuar rrjedhën e saj të qetë. Duhet të ndërmerren hapa për të përmirësuar pozitën e mbrojtjes në fazën e hetimeve, veçanërisht në drejtim të kryerjes së hetimeve të veta dhe mbledhjes së provave dhe deklaratave të dëshmitarëve, në një mënyrë pothuajse identike me prokurorinë” , shkruan në analizë.

Në “Monitorimi sistematik i proceseve gjyqësore penale i përgatitur nga Koalicioni “Të Gjithë për Gjykim të Drejtë”, ndër të tjera thuhet se madje në 22% nga 288 procedura penale të monitoruara në vitin 2020, mbrojtjes nuk iu dha qasje në provat e prokurorisë dhe në 22% atyre nuk u janë dorëzuar provat e kërkuara nga autoritetet e tjera.

Statistikat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Strasburg e konfirmojnë problemin

Nëse shikohen raportet vjetore të Byrosë për Përfaqësimin e RMV-së pranë Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, situata paraqitet si më poshtë:

Por, raporti i fundit i Byrosë thotë se shumë nga rastet e pranuara në Strasburg kanë të bëjnë me paanshmërinë, parimin e barazisë së armëve në gjykatë, si dhe mungesën e sigurisë ligjore. Këto fakte kanë të bëjnë jo vetëm me proceset penale, por edhe ato civile.

Shumat e zakonshme që duhen paguar nga shteti si dëmshpërblim për mosrespektimin e të drejtës për gjykim të drejtë nuk janë të mëdha, por për shkak se janë një numër i madh çështjesh, ato japin shuma totale më të larta. Rasti i fundit i njohur i të drejtës për proces të drejtë gjyqësor ndaj vendit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut është “Ljube Boshkoski kundër RMV-së”. Gjykata e Strasburgut konstatoi se gjatë gjithë gjykimit të çështjes “Fushata” ka pasur “mungesë të drejtësisë” për shkak të të cilit solli vendim që t’i paguhen 4.500 euro për dëmin jomaterijal dhe 1.220 euro për shpenzime. Por, më e rëndësishme se kjo shumë materiale simbolike, Boshkovski me aktgjykimin në Strasburg arriti këtë vit të marrë një rigjykim nga Gjykata Penale në Shkup, e cila më pas përfundoi me dënimin me pesë vjet burg për të.

Xhonova: Është shumë e ashpër të thuhet se gjykimet tona nuk janë të drejta.

“Nuk mund të konkludoj se gjykatat e vendit nuk janë të drejta, kjo do të ishte shumë e ashpër dhe paushalle. Në nivelin e të gjitha kërkesave të paraqitura në Gjykatën Evropiane, në praktikën gjyqësore dominuese, megjithatë, i referohet nenit 6 të KEDNJ-së. Mendoj se është shumë e rëndësishme të kuptohet se shkelja më së shpeshti lind nga mënyra se si zbatohet apo interpretohet ligji i vendit. Por, ndonjëherë shkelja mund të vijë nga vetë legjislacioni”, thotë Danica Xhonova, shefe e Byrosë për përfaqësimin e RMV-së në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Ndryshimet e ngadalta si kërmilli

Gjatë procedurës, gjykata nuk duhet të favorizojë asnjërën palë, pasi roli i gjykatës është të jetë një arbitër i pavarur, i cili vendos se cilat fakte konsiderohen të provuara në bazë të provave të nxjerra gjatë procedurës. Nuk guxon të ketë solidaritet me prokurorin publik dhe as t’i shikojë nëpër gishta mbrojtjes. Mirëpo, përkundër faktit se OARM-ja, e cila në vitin 2018 ka dhënë propozime me shkrim për ndryshime të neneve konkrete të LPP-së, si dhe disa ekspertë – profesorë që marrin pjesë në hartimin e ligjit, janë njëzëri se duhet të ndërhyhet për të ardhur deri në një zgjidhje më të mirë ligjore, por tani për tani kjo është vetëm në letër.


Lazhetiq: Prokuroria ka një avantazh ndaj mbrojtjes në mbledhjen e provave

“Prokuroria Publike është organ shtetëror, pas së cilës qëndron një sistem i tërë organesh që e ndihmojnë në përmbushjen e detyrës së saj kushtetuese – i vetmi organ që i ndjek penalisht autorët e krimeve. Në këtë kuptim, kjo është gjithmonë në një avantazh “sistemor” ndaj mbrojtjes që përbëhet nga i pandehuri dhe mbrojtësi i tij. Një mospërputhje e tillë është e dukshme në pjesën e mundësisë për gjetjen dhe mbledhjen e provave, mundësinë që prokuroria t’i ofrojë mbrojtje një dëshmitari të rrezikuar për të zbuluar prova të caktuara që do të përcaktojnë (pa)vërtetësinë e fakteve juridikisht relevante. “ thotë Gordana Lazhetiq, prof. në Fakultetin Juridik “Justinianus Primus” në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.

Sipas tyre, është e nevojshme të saktësohen më tej dispozitat e LPP-së në disa segmente, si për shembull që i dyshuari të mund të marrë njoftim me shkrim për urdhrin për kryerjen e hetimeve menjëherë pas miratimit të tij, mënyrën se si do të shihen shkresat (me një kopje të provave ose duke mundësuar në kopje të skenuar të tyre), diapazonin e marrjes në pyetje të kryqëzuar dhe marrjes në pyetje plotësuese, shmangien nga parimi i drejtpërdrejtë, nxjerren e provave me shkrim etj.

Dobësitë e sistemit gjyqësor maqedonas i kushtojnë para shtetit përmes aktgjykimeve përfundimtare të Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe në aspekt të zhvillimit, me pamundësinë e integrimit të tij në familjen evropiane.  Por, dëmi më i madh u bëhet qytetarëve, sepse drejtësia e ngadaltë apo padrejtësia shkatërron jetë njerëzore dhe shkruan fate njerëzore.

***

Storja është përgatitur në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve të gazetarëve hulumtues në fushat e Kapitullit 23, me fokus në gjyqësi”.

—————————————————

22 Qershor 2021