Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Mbeturinat paraqesin problem global që ka implikime serioze mbi ekonominë, mjedisin jetësor dhe jetesën e përgjithshme. Ekonomia tradicionale e cila bazohet në parimin: merr, bëj, përdor, hidh dhe ndot, është një model që shumë vende po e braktisin dhe po e zëvendësojnë me një qasje të re rigjeneruese të quajtur ekonomi rrethore, një proces rrethor i mbyllur që në çdo fazë kujdeset për mbetjet që duhen reduktuar, ricikluar dhe ripërdorur.

Nga 1 janari i vitit 2023 hyn në fuqi Ligji për Menaxhimin e Rrjedhave të Veçanta të Mbeturinave. Ky ligj i rregullon kërkesat për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të njeriut duke parandaluar ose zvogëluar ndikimet negative nga krijimi dhe trajtimi i mbeturinave të tekstileve, gomave, vajrave dhe automjeteve, të cilat duhet të plotësohen gjatë prodhimit të tekstileve, gomave, vajrave dhe automjetet dhe grumbullimi, ripërdorimi, trajtimi, përpunimi dhe asgjësimi i mbeturinave të krijuara prej tyre gjatë jetës së tyre, si dhe çështje të tjera që lidhen me trajtimin e mbeturinave të tekstileve, gomave, vajrave dhe automjeteve nga operatorët ekonomikë dhe subjektet e tjera që marrin pjesë në procedurat e prodhimit dhe trajtimit të tyre.

Qëllimet themelore të këtij ligji janë:

1) zvogëlimi i ndikimit negativ të tekstileve, gomave, vajrave dhe automjeteve dhe mbeturinave nga tekstilet, gomat, vajrat dhe automjetet, mbi mjedisin jetësor dhe shëndetin e njerëzve;

2) përmirësimi i standardeve për mbrojtjen e mjedisit jetësor nga operatorët ekonomikë gjatë gjithë ciklit jetësor të produkteve, e veçanërisht gjatë grumbullimit, trajtimit, ripërdorimit, përpunimit dhe asgjësimit të mbeturinave nga tekstilet, gomat, vajrat dhe automjetet.

Ligji sjell ndryshime të mëdha në trajtimin praktik të mbeturinave dhe vendos detyrime serioze për prodhuesit, konsumatorët dhe autoritetet lokale, parashikon parandalimin e krijimit të mbeturinave tekstile, djegien e tyre dhe marrjen e mbeturinave të tekstileve dhe të gomës nga tregtarët. Ligji parashikon edhe detyrime për kryetarin e komunës, si dhe “Përdoruesin e fundit, që krijon mbeturina tekstile, është i detyruar që mbeturinat tekstile të krijuara t’i mbledhë dhe t’i ruajë veçmas nga mbeturinat e përziera komunale ose mbeturinat tjera dhe t’ia dorëzojë një tregtari, grumbulluesi të produkteve të mbeturinave ose në qendrën e grumbullimit ose në vende të tjera”. Qëllimi kombëtar i vendosur në ligj është optimist, të mblidhen për vitin 2025: mbeturina të tekstileve – 15%.

Duke informuar gjerësisht publikun për sfidat dhe detyrimet me të cilat përballemi të gjithë që në prag të vitit 2023, operatorët do të përgatiten në kohë për detyrimet që rezultojnë, ndërsa qytetarët do t’i përshtatin shprehitë e tyre për menaxhimin e mbeturinave.

Projekt “4R (redukto, riciklo, ripërdor, reago)” është i mbështetur nga Fondacioni Shoqëri Hapur – Maqedoni.

—————————————————

8 Nëntor 2022