Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Ngjarja tradicionale Speech4Teachers, që u mbajt më 7 tetor 2020, këtë vit ishte kushtuar shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit. Roli i mësuesve në arsimin dhe zhvillimin e fëmijëve është shumë i madh dhe kjo ishte pikërisht tema mbi të cilën folën disa ekspertë arsimorë, praktikues dhe hartues të politikave arsimore.

MILLA CAROVSKA, Ministre e Arsimit dhe Shkencës, iu drejtua të pranishmëve dhe e theksoi rëndësinë dhe rolin e mësuesve në procesin arsimor, por edhe në zhvillimin e fëmijëve. Ministrja tha se mësuesit, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, janë më të rëndësishmit në këto procese dhe janë lidhja kryesore në transferimin e njohurive te nxënësit.

“Vendi ynë është i bukur sepse është plot me diversitete, të cilat krijojnë një tërësi. Unë besoj në barazi dhe përcaktimi dhe angazhimi im personal është që çdo vajzë dhe djalë, pa marrë parasysh se ku jetojnë, përmes sistemit arsimor, të ndërtohet në një person që i respekton dhe i kultivon të drejtat civile, tolerancën dhe diversitetin. Çdo fëmijë, së pari duhet të shkollohet, të marrë njohuri themelore, e më vonë në jetë kur të rritet të specializohet në mënyrë që të jetë në gjendje t’i përgjigjet tregut të punës, por gjëja më e rëndësishme është të arsimohet dhe të edukohet në frymën e tolerancës dhe multikulturalizmit. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për ju mësues që dini si t’ua transmetoni njohuritë dhe vlerat e vërteta nxënësve tuaj” – tha Carovska.

FANI KARANFILLOVA-PANOVSKA, Drejtore ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni ua uroi Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit të gjithë të pranishmëve dhe nënvizoi se Fondacioni beson se investimi në arsim cilësor gjithëpërfshirës është parakusht për ndërtimin e një shoqërie të hapur demokratike dhe e sheh arsimin si një promovues kryesor të kohezionit shoqëror. Shkollat janë vende ku të gjithë nxënësve do t’u jepet mundësia të arrijnë potencialin e tyre maksimal, dhe kjo nuk mund të arrihet pa mësues të mirë dhe të përkushtuar.

“Deri më tani, Fondacioni ka investuar mbi 33 milion dollarë në programe për të mbështetur arsimin, dhe shumë prej tyre ishin të dedikuara për mësuesit, si dhe arsimimin e grupeve të margjinalizuara, veçanërisht të romëve. Aktualisht jemi duke zbatuar një projekt të madh tre-vjeçar me mbështetjen financiare të BE-së “Të rregullt në orë: Aksion për përfshirjen e romëve në arsimin fillor.” Projekti siguron bursa për gjithsej 600 nxënës të shkollave fillore nga familjet më të varfra rome dhe këto ditë ne po zhvillojmë një fushatë të përbashkët me Ministrinë e Arsimit me titull “Shkronjë pas shkronje shkruaj të ardhmen tënde” me besimin e vendosur se nuk do të lejojmë asnjë fëmijë të mbetet jashtë sistemit arsimor” – theksoi Karanfillova-Panovska.

SUZANA KIRANXHISKA, Drejtore ekzekutive e Fondacionit “Hap pas Hapi” theksoi se tema e këtij viti “Roli i mësuesit në realitetin e ri” nuk ka të bëjë vetëm me realitetin e ri të shkaktuar nga pandemia për shkak të së cilës mësuesit u desh të gjinden siç dinë dhe munden, pa kushte themelore për të mbajtur mësim online, por edhe me ndryshimet e vazhdueshme që po ndodhin në botë, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shpejta.

“Në mënyrë që të jenë në hap me ndryshimet, mësuesit duhet të ndërmarrin iniciativë dhe përgjegjësi për zhvillimin e tyre personal dhe profesional, të mos presin që dikush tjetër t’u tregojë atyre se çfarë të mësojnë, ose edhe më keq, të mos duan të mësojnë dhe të avancohen, për shkak se janë të pakënaqur me statusin e tyre në shoqëri.  Është e vërtetë që shteti duhet të sigurojë kushte për një mësimdhënie cilësore, por nëse nuk e bën këtë, mësuesit janë të detyruar ta kërkojnë atë prej tij dhe të jenë udhëheqës në ndryshimet që i sjell koha e re”  – theksoi Kiranxhiska.

Ngjarja u organizua nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni dhe Fondacioni për Iniciativa Arsimore dhe Kulturore “Hap pas Hapi”. si pjesë e projektit “Arsimi i bashkësive më të vogla etnike” të udhëhequr nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

 

***

RRETH PROJEKTIT

Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedonia (FSHHM) e implementon projektin “Arsimi i bashkësive më të vogla etnike” në partneritet me Fondacionin për Iniciativa Arsimore dhe Kulturore “Hap pas hapi” dhe Drejtorinë për Avancimin dhe Zhvillimin e Arsimit në Gjuhët e Pjesëtarëve të Bashkësive Etnike dhe Byronë për Zhvillimin e Arsimit.

—————————————————

8 Tetor 2020