Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftën kundër korrupsionit e organizoi sot konferencën “Sfidat antikorrupsion në vitin 2021” në kuadër të projektit “Monitorimi i suksesit të të punës së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK)”, i financuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni (FSHHM).

Në konferencë u diskutua për sfidat dhe aktivitetet e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit në vitin 2020 dhe sfidat e mundshme që na presin në vitin 2021.

Fjalime hyrëse në këtë ngjarje mbajtën Dançe Danillovska Bajdevska, Drejtore e programeve në FSHHM dhe kryetari i Institutit për Demokraci, Marko Troshanovski.

Danillovska Bajdevska theksoi se Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni e sheh anti-korrupsionin përmes prizmit të qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, por gjithashtu edhe si një faktor që ndikon në qasjen e qytetarëve në shërbimet dhe të mirat publike dhe cilësinë e tyre. Vetëm gjatë vitit të kaluar, kemi investuar më shumë se 1 milion dollarë përmes portofolit tonë anti-korrupsion në projekte të organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve për luftën kundër korrupsionit. Në të njëjtën kohë, FSHHM-ja ka mbështetur Platformën e organizatave të shoqërisë civile për luftimin e korrupsionit për disa vjet në kryerjen e monitorimit të proceseve të reformës që lidhen me anti-korrupsionin.

“Për ne, puna e Platformës është e rëndësishme, veçanërisht në procesin e anëtarësimit në BE, sepse nga njëra anë ne tregojmë se shoqëria civile është aktive, e organizuar dhe ka ekspertizën për të kontribuar në procesin e integrimit në BE. Nga ana tjetër, ne mundësojmë monitorim objektiv dhe të paanshëm të proceseve të reformës. Fokusi i kësaj mbështetje është monitorimi i KSHPK-së, përmes monitorimit të rregullt të punës së tyre, por edhe përgatitjes së një sërë dokumentesh të politikave publike për shoqërinë civile për të dhënë propozimet e tyre për të përmirësuar efikasitetin e punës së Komisionit, për të forcuar funksionin e tij kontrollues dhe verifikimin e legjislacionit për anti-korrupsion.

Troshanovski theksoi se lufta kundër korrupsionit është një problem i shumanshëm që kërkon burime politike, institucionale dhe financiare që do të jenë shprehje e angazhimeve deklarative dhe do të kontribuojnë për rezultate të dukshme.

“Ka shumë sfida dhe dështime të reformave kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit. Fakt është se qytetarët tanë ende nuk e kanë përmirësuar ndjeshëm besimin në përkushtimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit, të paktën sipas matjeve të perceptimeve publike dhe indekseve për anti-korrupsion. Mbajtja e kuadrove të paafta në luftën kundër korrupsionit nëpër institucione, si dhe inercia e kahershme e mbajtjes së institucioneve kryesore pa kuadër dhe burime adekuate, bie ndesh me përkushtimet e shprehura politikisht. Për më tepër, kapja e pjesëve të gjyqësisë në mënyrë efektive e anulon rolin e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe, për të satën herë, e vë në pikëpyetje sinqeritetin e mbështetjes së deklaruar politike. Mosbesimi në institucione është një tipar i shoqërive jofunksionale dhe një parakusht për degradimin e tyre të mëtejshëm” – tha Troshanovski.

Përfaqësuesit e Platformës së organizatave të shoqërisë civile për luftimin e korrupsionit Natali Petrovska nga Koalicioni për Gjykim të Drejtë, German Filkov nga Qendra për Komunikime Civile dhe Misha Popoviq nga Instituti për Demokraci, i prezantuan gjetjet e projektit me fokus në gjyqësi, furnizimet publike dhe monitorimin e punës së Komisionit për Antikorrupsion.

Fillkov iu referua dështimeve të politikës për anti-korrupsion në furnizimet publike, duke përmendur disa raste në të cilat institucionet kompetente nuk veprojnë. Petrovska vuri në dukje mangësitë në burimet me të cilat disponojnë organet gjyqësore, si dhe nevojën për të kontrolluar integritetin e prokurorëve publikë dhe të gjykatësve.

Në këtë ngjarje foli edhe kryetarja e Komisionit për Antikorrupsion, Biljana Ivanovska, e cila tha se në vitin 2021 ajo pret që kushtet e punës së Komisionit të përmirësohen për funksionimin e tij më efikas.

Si rreziqe nga korrupsioni në procesin e furnizimeve publike ajo e përmendi ndikimin e politikës, fshehjen e pronarëve përfundimtarë të kompanive që marrin pjesë në tenderë, mungesën e një baze të çmimeve referuese, pjesëmarrjen e një ofertuesi me çmim pa konkurrencë, disa ofertues që merren vesh për çmimin, anekset pasi të fitohen tenderët, anulimin e tenderëve, si dhe dobësitë në dokumentacionin e tenderit.

“Lidhur me gjyqësinë, KSHPK-ja e kontrollon gjendjen e pronës, por përballemi me probleme sepse nuk dorëzohen fletët anketuese, ose dorëzohen të paazhurnuara, jepen të dhëna të pasakta për të cilat janë ngritur padi për kundërvajtje. Mendoj se vullneti politik është më i rëndësishëm edhe në sigurimin e fondeve për organet gjyqësore dhe për lidhjen e tyre” – shtoi Ivanovska.

Zëvendës Kryeministri për Luftë kundër Korrupsionit dhe Krimit, Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Burime Njerëzore, Ljupço Nikollovski foli përmes videos, me ç’rast theksoi se angazhimi dhe vendosmëria e qeverisë për t’i dhënë fund korrupsionit është e qartë dhe shprehu gatishmëri për të bashkëpunuar me të gjithë palët e interesuara që kanë kompetencë ose mund të ndihmojnë në këtë proces.

“Një nga angazhimet e mia thelbësore si Zëvendës Kryeministër është ta lehtësoj komunikimin dhe koordinimin midis të gjithë aktorëve në sektorin e anti-korrupsionit, me të cilët duhet të krijojmë masa së bashku për një funksionim më të mirë dhe për një mjedis më të mirë për t’i arritur rezultatet që i presin qytetarët. Qytetarët presin një luftë të rreptë, të vendosur dhe këmbëngulëse kundër korrupsionit dhe ajo mund të arrihet vetëm me një qasje të ndershme, të sinqertë dhe të përgjegjshme. Ne po vendosim shtylla përmes mekanizmave të fortë, përmes komunikimit dhe bashkëpunimit të hapur dhe të rregullt ndërinstitucional me institucione të hapura dhe të përgjegjshme që tregojnë rezistencë ndaj korrupsionit” – tha Nikollovski.

Të gjithë konferencën mund ta shikoni në videon vijuese:

https://www.facebook.com/anticorruptionplatformMK/videos/152888099789449/

—————————————————

20 Janar 2021