Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni së bashku me organizatën partnere FOKIM “Hap pas hapi”, edhe gjatë kohës së pandemisë dhe gjendjes së jashtëzakonshme në vend, vazhdoi t’i mbështesë komunitetet për mësim që u formuan gjatë vitit 2019 në dhjetë shkolla të projekteve.

Komunitetet për mësim janë një formë inovative e zhvillimit profesional të kontekstualizuar dhe u mundësojnë mësimdhënësve të punojnë në përmirësimin e praktikës së tyre të përditshme pedagogjike përmes punës dhe hulumtimit të pavarur, por edhe përmes diskutimit dhe shkëmbimit me kolegët. Në atë proces mësimi, mësimdhënësit shkëmbejnë informacione të llojeve të ndryshme, duke mundësuar një rrjedhë më të mirë të informacionit në vetë shkollën, por edhe individualisht midis mësimdhënësve. Në këtë mënyrë, hapet mundësi për t’i konstatuar më shpejt dhe për t’i zgjidhur më lehtë shumë çështje që lidhen me punën e përditshme, por edhe me shkollën në përgjithësi.

Siç kërkonin kushtet, takimet tradicionale të mentorimit me kuadrin mësimdhënës, të lehtësuara nga trajnuesit me përvojë, i zëvendësuam me takime të mentorimit në internet, të cilat i realizuam gjatë muajit maj. Qëllimi i këtyre takimeve ishte të shqyrtohet zbatimi i aktiviteteve të zhvillimit dhe portofolet e zhvillimit, aktivitet ky që e kemi filluar vitin e kaluar, por edhe më shumë për të diskutuar për mënyrën e zhvillimit të mësimit online, sfidat me të cilat përballen mësimdhënësit dhe kuadri mësimor, si dhe nevojat që i kanë për realizimin më të lehtë të këtij lloji të mësimdhënies.

Ne i shfrytëzuam takimet online për të diskutuar për rolin e komuniteteve për mësim në këtë periudhë dhe sa aftësitë e fituara për bashkëpunim dhe mësim kolegjial u kanë ndihmuar atyre gjatë periudhës së veçantë të kaluar. Në të njëjtën kohë, i shfrytëzuam ato për bisedë të hapur dhe të sinqertë me mësimdhënësit, dhe arritëm në përfundimin se edhe pse pa paralajmërim dhe pa përgatitje paraprake nga pikëpamja teknike dhe pedagogjike për këtë mënyrë të realizimit të procesit arsimor, mësimdhënësit që punojnë në zonat rurale kanë qasje të mirë me nxënësit. Ata përpiqen t’i inkurajojnë që t’i pasurojnë njohuritë e tyre, por gjithashtu edhe t’u ofrojnë mbështetje në sfidat e jetës së përditshme.

Është një kënaqësi e madhe për ne që rreth 80 anëtarë të komunitetit për mësim, pas themelimit, vazhduan të punojnë përmes kësaj forme të mësimit kolegjial dhe zhvillimit profesional. Komunitetet për mësim ofrojnë mundësi për punë të pavarur dhe hulumtime, diskutime me kolegët dhe përmirësim të praktikës së përditshme pedagogjike për secilin mësimdhënës-anëtar të komunitetit.

Komunitetet për mësim janë të organizuara në kuadër të konceptit “Arsimi i bashkësive më të vogla etnike” të Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

—————————————————

8 Qershor 2020