Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Sindikata e Pavarur Akademike (SPA) më 21.11.2021 (e diel) në Hotelin “Karposh”, organizoi prezantim publik të dokumentit të politikave publike “Cilësia e mësimdhënies në arsimin e lartë dhe në shkencë dhe kushtet për standarde më të larta”. Dokumenti i politikave publike me titull “Cilësia e mësimdhënies në arsimin e lartë dhe në shkencë dhe kushtet për standarde më të larta” është përgatitur në kuadër të projektit “Cilësia e mësimdhënies në arsimin e lartë” nga ekipi i ekspertëve të Sindikatës së Pavarur Akademike (SPA). Autorë të dokumentit janë Prof. Dr. Petar Atanasov, Prof. Dr. Bojana Naumovska dhe Doc. Dr. Jovan Bliznakovski.

Në kuadër të promovimit fjalën hyrëse e mbajti Prof. Dr. Petar Atanasov, i cili e theksoi rolin thelbësor të sferës akademike për stabilitetin e vendit dhe për zhvillimin shoqëror.. Dokumenti u prezantua nga Prof. Dr. Bojana Naumovska dhe Doc. Dr. Jovan Bliznakovski me ç’rast u theksua se në kuadër të projektit hulumtues “Cilësia e mësimdhënies në arsimin e lartë”, janë realizuar disa aktivitete analitike dhe hulumtuese si: anketa, fokus grupe dhe hulumtime krahasuese. Temat që u hulumtuan i mbulojnë aspektet më të rëndësishme të arsimit të lartë dhe veprimtarisë shkencore. Nga kuadri akademik u anketuan 400 profesorë dhe asistentë nga fakultetet dhe 51 profesorë nga institutet shkencore dhe entet shkencore publike nga katër universitete shtetërore dhe një universitet privat.

Sipas rezultateve të hulumtimit, kuadri ynë akademik i kushton shumë kohë punës hulumtuese-shkencore dhe mësimdhënies (ligjëratave, ushtrimeve dhe konsultimeve), ndërsa më pak punës administrative. Shumica e profesorëve dhe asistentëve që japin mësim në ciklin e parë punojnë me grupe deri në 30 studentë për një lëndë, kurse një e treta e tyre zakonisht punojnë edhe me grupe më të mëdha prej 31 deri në 100 studentë.

Për sa i përket disponueshmërisë së literaturës profesionale, më së paku alokime ka nga ana e shtetit, pasuar nga universiteti dhe njësia, gjë që tregon se pjesa më e madhe e literaturës së nevojshme sigurohet plotësisht nga vetë profesorët (69,2%).

Siç tregoi edhe hulumtimi, gjendja me financimin e projekteve shkencore, aplikative dhe artistike nga shteti dhe sektori privat mbetet e dobët. Fakti që 77.9% e stafit akademik nga veprimtaritë artistike në 5 vitet e fundit nuk kanë realizuar asnjë projekt artistik është dëshpërues. Në kontekstin e asaj që kërkohet si arritje dhe asaj që ofrohet si mundësi dhe kushte, pikëpamja e përgjithshme është se sigurohet vetëm mediokriteti, ndërsa suksesi dhe arritjet më të mëdha, si dhe motivimi më i madh, kërkojnë investim shumë më të madh dhe angazhim përkatës nga ana e shtetit.

Sipas hulumtimit, një nga çështjet më të rëndësishme të cilës duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje në vazhdimësi është kujdesi për ndërtimin e kuadrit të ri mësimor dhe shkencor: punësimin e tyre, trajnimin, avancimin, financimin e hulumtimeve të tyre, mbështetjen për botimin e punimeve të tyre, si dhe promovimin e tyre në një pjesë të rëndësishme dhe të vlefshme të realitetit tonë akademik dhe shoqëror.

Shikuar nga aspekti i përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies, në përputhje me rezultatet e marra nga të gjitha aktivitetet hulumtuese, ishin disa përfundime dhe sugjerime konkrete:

  1. Përfundim: Mosekzistenca e financimit të vazhdueshëm të vendeve të reja të punës dhe shuarja e një vendi të punës me largimin e një profesori në pension rezulton me mbingarkesë të stafit ekzistues dhe ulje të cilësisë së mësimdhënies në arsimin e lartë.

             Propozimi: Me daljen në pension të anëtarëve të stafit mësimor-shkencor, nuk duhet të shuhen vendet e tyre të punës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të vazhdojë të financojë një pozicion të caktuar menjëherë pasi mësimdhënësi i ri ta marrë detyrën,  i cili do ta pasojë kolegun që ka dalë në pension.

 

  1. Përfundim: Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për një periudhë të gjatë kohore ndahen buxhete të mëdha për bursa jashtë vendit për të tre ciklet e studimeve dhe njëkohësisht asnjë bursë për arsimin në vend. Si pasojë e kësaj politike një numër i madh i të rinjve po largohen nga vendi.

             Propozimi 1: Futja e bursave për studimet e ciklit të dytë dhe të tretë për studentë të talentuar në të gjitha fushat.

             Propozimi 2: Sigurimi i bursave të plota për stafin e ri shkencor-hulumtues të punësuar në universitete.

 

  1. Përfundim: Kushtet e punës, sipas të dhënave nga pyetësori i anketës si dhe nga fokus grupet e realizuara, janë shënuar si të papërshtatshme/të pamjaftueshme. Përveç kushteve elementare të punës, në pjesën më të madhe mungojnë edhe pajisjet specifike mësimore.

             Propozimi: Sigurimi i kushteve bazë dhe pajisjeve specifike për mësimdhënie.

 

  1. Përfundim: Të dhënat nga krahasimi i segmenteve të ndryshme të procesit arsimor, para dhe në kushtet e pandemisë, tregojnë një rënie të ndjeshme në cilësinë e mësimdhënies pothuajse në të gjitha aspektet në kushtet e pandemisë.

             Rekomandimi 1: Marrja e të gjitha masave në dispozicion për rivendosjen e kushteve që nënkuptojnë realizimin e mësimdhënien me prezencë fizike.

             Rekomandimi 2: Nëse disa fakultete dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë online për arsye praktike, të përcaktohet minimumi i mësimdhënies me prezencë fizike (50-60%).

 

  1. Përfundim: Alokimet për shkencën nga ana e shtetit janë të papërshtatshme. Qasja në literaturën përkatëse profesionale dhe pjesëmarrja në konferenca është kryesisht përgjegjësi e stafit akademik.

             Rekomandimi 1: Financimi i detyrueshëm i punës hulumtuese-shkencore nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qeveria.

             Rekomandimi 2: Krijimi i një fondi për financimin e punës hulumtuese-shkencore nga ekonomia.

 

  1. Përfundim: Stafi i arsimit të lartë nuk është aspak i kënaqur me alokimet për rrogat e tyre nga shteti. Vlerësimi adekuat i stafit mësimor-shkencor dhe bashkëpunëtor është parakusht për mësimdhënie dhe shkencë cilësore.

             Rekomandim: Rritja e rrogave për punonjësit e arsimit të lartë (dhe barazimi i rrogave të personelit akademik të Maqedonisë së Veriut me rrogat e personelit akademik në vendet e rajonit).

 

Në kuadër të projektit “Cilësia e mësimdhënies në arsimin e lartë” të drejtuar nga SPA-ja, janë përgatitur tre dokumente të politikave publike, si më poshtë: (1) dokumenti i politikave publike me titull “Përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë – perspektiva studentore” që u prezantua publikisht në promovimin e mbajtur në Hotelin “Karposh” të enjten, më 18.11.2021. duke filluar nga ora 11.00, (2) dokumenti i politikave publike “Cilësia e mësimdhënies në arsimin e lartë dhe shkencën dhe kushtet për standarde më të larta”, i cili u prezantua publikisht në promovimin që u mbajt në Hotelin “Karposh” të dielën, më 21.11.2021. duke filluar nga ora 11.00 dhe (3) dokumenti i politikave publike “Prania në publik e personelit akademik dhe institucioneve të arsimit të lartë dhe ndikimi i tyre në komunitet”, i cili do të prezantohet publikisht në promovimin që do të mbahen në Hotelin “Karposh” ditën e shtunë, më 27.11.2021 me fillim në orën 11.00. Projekti “Cilësia e mësimdhënies në arsimin e lartë” financohet nga Fondacioni Shoqëri e Hapur Maqedoni, dhe zbatohet nga ekipi i ekspertëve të SPA-së.

—————————————————

23 Nëntor 2021