Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Mbeturinat paraqesin problem global që ndikon seriozisht mbi ekonominë, mjedisin jetësor dhe jetesën e përgjithshme. Modeli mbi të cilin funksionon ekonomia tradicionale – merr, bëje, përdore, hidhe dhe ndot, tashmë po zëvendësohet nga modeli i ekonomisë rrethore, gjegjësisht një proces i mbyllur rrethor që në çdo fazë kujdeset për mbeturinat që duhet të zvogëlohen, riciklohen dhe ripërdoren.

 

Mbeturinat e tekstilit në veçanti, janë një problem serioz ekologjik, me potencial të madh për ripërdorimin e tyre si lëndë e parë për prodhimin e materialeve të reja. Në Maqedoni, me rreth 35.000 të punësuar dhe më shumë se 600 milion euro në eksporte vjetore, industria e tekstilit është një nga industritë kryesore dhe prodhon rreth 700 ton mbeturina në vit. Komuna e Shtipit, me rreth 80 ndërmarrje të tekstilit është komuna me industrinë më të zhvilluar të tekstilit në vend, ku në fakt krijohet sasia më e madhe e mbeturinave të pazgjidhura të tekstilit. Kur bëhet fjalë për mbeturinat e tekstilit, vlen të përmendim edhe mbeturinat e tekstilit që krijohen nga familjet (siç janë rrobat e vjetra), të cilat gjithashtu janë një problem serioz që e ndot mjedisin jetësor. Për këto mbeturina, konkretisht në Maqedoni, nuk ka ndonjë hulumtim dhe informacion përkatës që do të na mundësojnë të zbulojmë se sa i madh është ky problem dhe cilat janë mundësitë për zgjidhjen e tij.

 

Mbeturinat e tekstilit janë në të vërtetë një potencial i madh, sepse ato janë një lëndë e parë e lirë për prodhimin e materialeve të reja me vlerë të shtuar. Por, megjithëse potenciali për riciklim dhe ripërdorim është i madh, ende nuk ka asnjë iniciativë për ta inkurajuar këtë mundësi. Një nga faktorët që ndikojnë në këtë situatë është edhe mungesa e informacionit përkatës se çfarë do të thotë zvogëlimi i sasisë së mbeturinave nga njëra anë dhe cilat janë mundësitë për të gjeneruar fitim prej tyre nga ana tjetër.

 

Fondacioni për Zhvillimin e Komunitetit Lokal, Shtip (FZhKL- Shtip), në projektin e tij të ri “Reduktoni, ripërdorni, ricikloni – modelet e biznesit për përdorimin e mbeturinave tekstile” i mbështetur nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni do të përqendrohet mu në potencialet e mbeturinave të tekstilit edhe atë në nivel lokal, ku gjenerohet edhe sasia më e madhe e mbeturinave të tekstilit, në Shtip.

 

Përmes këtij projekti ata do të eksplorojnë dhe do të promovojnë modele të qëndrueshme për përdorimin e mbeturinave të tekstilit si një mundësi biznesi për grupet e ndjeshme sociale. Duke u nisur nga fakti se nuk ka të dhëna relevante në lidhje me mbeturinat e tekstilit, si ato industriale ashtu edhe ato shtëpiake, FZhKL – Shtip do ta hulumtojë situatën me grumbullimin, përpunimin dhe ripërdorimin e mbeturinave të tekstilit dhe mundësitë që i ofron ripërdorimi në komunën e Shtipit. Në të njëjtën kohë, do të përpiqet të rrisë vetëdijen e qytetarëve për riciklimin përmes mundësive për ripërdorimin e mbeturinave të tekstilit dhe krijimit të produkteve me vlerë të shtuar, por edhe përmes edukimit të popullatës lokale, veçanërisht grave/vajzave, të rinjve dhe njerëzve nga kategoritë e ndjeshme sociale.

 

Përfshirja e kategorive të ndjeshme sociale është veçanërisht e rëndësishme në këtë segment sepse në planin afatshkurtër do të forcojë kapacitetet e tyre për një pozicion më të mirë në tregun e punës, por në planin afatgjatë do të inkurajojë zhvillimin e ndërmarrësisë sociale dhe hapjen e bizneseve të reja të vogla.

 

Ndiqni punën e tyre dhe aktivitetet e projektit në ueb-faqen e tyre dhe në faqen e tyre në Facebook.

—————————————————

27 Prill 2021