Për çdo nxënës, pavarësisht se cilit komunitet i përket dhe në cilën gjuhë e ndjek mësimin, pavarësisht nëse jeton në qytet apo fshat, mëson në shkollë qendrore ose periferike, duhet të sigurohen kushte të përshtatshme për mësimdhënie cilësore. Shoqata për Analiza dhe Hulumtime-ZMAI me mbështetje financiare nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni zhvilloi hulumtim për analizën e nevojave për investime për infrastrukturë dhe teknologji në 48 shkolla fillore në 10 komuna në RMV. Si produkt përfundimtar i hulumtimit, ZMAI përgatiti një publikim “Metodologjia për rishpërndarjen e buxheteve komunale për shkollat fillore”.
Publikimi përfshin gjetje që mundësuan krijimin e një pasqyre gjithëpërfshirëse të situatës aktuale në 48 shkolla në 10 komuna për sa i përket situatës me infrastrukturën, pajisjet teknike dhe teknologjike dhe mjetet mësimore. Në të njëjtën kohë, ai përmban një analizë të detajuar të projekteve prioritare në shkolla, si dhe të nevojave për financimin e tyre. Analiza përfundon me përcaktimin e situatës aktuale me financimin e arsimit fillor nga qeveria qendrore dhe pushteti lokal dhe përfshin rekomandime për shpërndarje më efektive të fondeve komunale.
Promovimi i publikimit u bë më 6 nëntor 2020, me fillim në orën 12:30 në Klubin e Deputetëve, ku folën Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Fani Karanfillova – Panovska, Kryetari i ZMAI-t, Viktor Mitevski dhe Viktor Stojkovski, hulumtues në ZMAI. Promovimi ishte i hapur për të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në platformën ZOOM.
Milla Carovska theksoi se për arsim cilësor, përveç programeve të mira mësimore, nevojiten edhe ambiente moderne në të cilat do të zhvillohet mësimdhënia.
“Është fakt që rreth 30 për qind e ndërtesave shkollore në vend janë në gjendje të keqe. Mirëmbajtja dhe investimi në shkolla është lënë pas dore për dekada. Është fakt që prej vitesh nuk është investuar në ndërtimin e shkollave të reja dhe rindërtimin dhe rehabilitimin e atyre ekzistuese, por angazhimi ynë është ta ndryshojmë këtë situatë dhe ne tashmë jemi duke punuar për këtë. Kjo është arsyeja pse e ndryshojmë plotësisht mënyrën dhe metodologjinë për investime duke bërë investime kapitale në arsim dhe po krijojmë një ndërtim të planifikuar sipas nevojave reale” – tha Carovska.
Fani Karanfillova-Panovska theksoi se nga vizitat e realizuara në 48 shkollat fillore, pyetësorët e hollësishëm të analizuar dhe raportet vjetore për punën e shkollave fillore, si dhe nga takimet me personat përgjegjës në komuna, mund të konkludohet se shkollat fillore kanë inventar të vjetëruar të shkollave. fasada joefikase, teknologji të vjetëruar, tualete të vjetra ose jofunksionale, mungesë palestrash dhe terrenesh sportive, mungesë mjetesh ndihmëse dhe mjetesh mësimore.
“Rezultatet tregojnë qartë se drejtuesit dhe punonjësit e shkollave dhe administrata komunale bëjnë përpjekje maksimale për të përmirësuar kushtet në shkollat fillore, por fondet me të cilat disponojnë ato nuk janë të mjaftueshme për të siguruar një zhvillim të balancuar dhe mësimdhënie që do t’i ndjekë trendet moderne. Në vazhdimësi, ka një kërkesë nga komunat dhe palët e interesuara për ndryshime në metodologjinë sipas së cilës shpërndahen dotacionet për arsimin fillor nga qeveria qendrore tek pushteti lokal. Për t’i bërë këto ndryshime, është e nevojshme të përfshihet jo vetëm qeveria qendrore dhe pushteti lokal, por edhe koordinimi i vazhdueshëm dhe qasja e integruar për planifikim me institucionet financiare ndërkombëtare, komunitetin e donatorëve dhe sektorin privat” – tha Karanfillova-Panovska.
“Në ZMAI ne besojmë se kjo analizë dhe metodologjia e propozuar mund ta përmirësojnë financimin e shkollave. Rezultatet u përdorën për të identifikuar projektet prioritare, e po ashtu janë përgatitur edhe plane aksionale për realizimin e atyre investimeve. Është me të vërtetë e rëndësishme që ministresha është këtu, sepse ne besojmë se analizat tona janë vetëm pjesë e sistemit për përmirësimin e kushteve. Vetëm kur ka bashkëpunim me institucionin, këto projekte mund të realizohen dhe së bashku mund t’i përmirësojmë kushtet e të mësuarit në arsimin fillor ”- theksoi Viktor Stojkovski.
Analizën “Metodologjia për rishpërndarjen e buxheteve komunale për shkollat fillore” mund ta gjeni KËTU.
Ngjarjen mund ta ndiqni këtu:
—————————————————
9 Nëntor 2020