Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Filloi projekti i ri “Të rregullt në orë: aksion për përfshirjen e romëve në arsimin fillor” i zbatuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni në partneritet me Fondacionin për Iniciativa Arsimore dhe Kulturore “Hap pas hapi” dhe Shoqatën – Qendra për Mbështetje Arsimore “Dendo Vas”, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Projekti, i cili do të zbatohet deri në tetor të vitit 2022, ka për qëllim të sigurojë qasje të barabartë në arsim për fëmijët romë, por gjithashtu do t’i motivojë fëmijët ta vijojnë mësimin rregullisht dhe të regjistrohen në klasat e ardhshme. Në të njëjtën kohë, projekti ka për qëllim të sigurojë një mjedis mësimor gjithëpërfshirës (inkluziv), ku respektohet diversiteti dhe ku të gjithë fëmijët ndjehen të mirëpritur dhe të stimuluar në mënyrë të barabartë për të pasur sukses.

Përmes projektit do të sigurohen bursa për fëmijët romë të regjistruar në klasën e parë, gjë që do të mundësojë përfshirjen e sa më shumë fëmijëve romë në arsimin fillor, e njëkohësisht do të ulen shpenzimet financiare të familjeve rome që lidhen me shkollimin e fëmijëve të tyre.

Paralelisht me këtë aktivitet, projekti do të mundësojë gjithashtu edhe mbështetje për komunitetin rom, duke siguruar asistentë në komunat me komunitetin më të madh rom, të cilët do të bashkëpunojnë ngushtë me familjet rome dhe shkollat. Ata do të ndihmojnë në procesin e identifikimit të fëmijëve që janë jashtë sistemit arsimor, regjistrimin e tyre në shkolla, pastaj vijimin e rregullt të mësimit, si dhe kalimin me sukses në klasat e ardhshme.

Mbështetja për shkollat si një nga komponentët e projektit do të sigurojë shndërrimin e klasave në një mjedis më gjithëpërfshirës mësimi, ku do të respektohet diversiteti dhe do të stimulohet zhvillimi i të gjithë fëmijëve në mënyrë të barabartë. Aktivitetet e planifikuara përfshijnë zbatimin e projekteve të vogla në shkollat e identifikuara, të cilat përmes lojërave dhe pjesëmarrjes së përbashkët në aktivitetet shkollore do ta stimulojnë ndërveprimin dhe shkëmbimin e njohurive ndërmjet nxënësve, si dhe trajnime për arsim dhe drejtësi sociale për mësimdhënësit.

Si pjesë e projektit janë planifikuar edhe disa ngjarje edukative dhe shpërndarje e materialeve, si dhe një fushatë edukative mediatike, e cila do të ketë për qëllim t’i informojë dhe t’i inkurajojë familjet rome t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollë, të cilën do ta vijojnë rregullisht, si dhe t’i promovojë përfitimet e përgjithshme nga arsimi mbi cilësinë e jetesës.

—————————————————

1 Nëntor 2019