Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Në një kohë kur e gjithë bota po përballet me pandeminë e COVID-19, nevoja për ndihmë juridike e qytetarëve, e veçanërisht për ata nga bashkësitë e cenueshme dhe të margjinalizuara, është më e theksuar se kurdoherë më parë. Masat kufizuese që i ndërmori qeveria, ndikojnë mbi të gjithë qytetarët, por veçanërisht janë të prekura grupet e varfra dhe të cenueshme. Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni (FSHHM) vazhdon me përpjekjet e tij për qasje në drejtësi për të gjithë qytetarët dhe është në komunikim dhe koordinim të përditshëm me grantistët dhe partnerët e tij që ofrojnë ndihmë juridike dhe parajuridike falas, dhe në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme gjejnë mënyra alternative për t’ua ofruar shërbimet e tyre qytetarëve.

Duke i ndjekur rekomandimet e qeverisë, një numër i madh shoqatash i mbyllën përkohësisht zyrat e tyre dhe filluan të punojnë nga shtëpia, duke mbetur të përkushtuar për të siguruar qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët. Juristët dhe parajuristët janë në dispozicion të qytetarëve përmes mjeteve online që gjenden në ueb-faqet e tyre, si dhe përmes mediave sociale, ndërsa qytetarët mund të kërkojnë dhe të marrinë ndihma dhe këshilla edhe përmes telefonit.

Edukimi dhe informimi i qytetarëve mbetet një nga format kryesore të forcimit ligjor të qytetarëve, veçanërisht në një periudhë kur shteti është në gjendje të jashtëzakonshme dhe Qeveria sjell Dekrete me fuqi ligjore, të cilat shpesh janë të paqarta për qytetarët. Duke e përdorur e teknologjinë dhe disponueshmërinë e rrjeteve sociale, shoqatat i informojnë qytetarët për masat e shpallura nga Qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera relevante. Gjithashtu, për qytetarët janë në dispozicion edhe broshurat informative online që janë të përgatitura nga shoqatat, me qëllim të informimit në kohë të qytetarëve për simptomat e KOVID-19, por edhe për masat e mbrojtjes.

FSHHM-ja mbështet 14 shoqata që ofrojnë ndihmë juridike dhe parajuridike falas, si dhe Klinikën juridike për grupe të cenueshme pranë Fakultetit të Drejtësisë “Justiniani I” në Shkup dhe gjatë kësaj kohe të krizës janë aktive dhe në dispozicion të qytetarëve për probleme urgjente juridike. FSHHM-ja gjithashtu e zbaton edhe projektin “Qasje në drejtësi për më të margjinalizuarit” të financuar nga Bashkimi Evropian. Ndihma juridike dhe parajuridike falas u ofrohet qytetarëve të varfër, romëve, punonjësve/punonjëseve seksuale, përdoruesve të drogës, viktimave të dhunës në familje, punonjësve/punonjëseve të tekstilit dhe grupeve të tjera të margjinalizuara.

 

Qasje online në informata dhe këshilla ligjore

Përmes ueb-faqes www.pravnozajakni.mk qytetarët kanë qasje në informata dhe këshilla juridike, materiale edukative dhe burime të tjera që lidhen me fuqizimin juridik, si dhe informacione për parandalimin dhe mbrojtjen nga COVID-19. Gjithashtu, në faqen e Qasjes në drejtësi në Facebook, ka informacione dhe materiale, si dhe mundësi që qytetarët të kërkojnë këshilla juridike dhe informacione online.

 

Informacione juridike për grupet e cenueshme

Klinika juridike e Fakultetit të Drejtësisë “Justiniani i Parë” – Shkup ofron informacione juridike për qytetarët për pyetjet e bëra përmes faqes së tyre në Facebook https://www.facebook.com/pravnaklinikazaranlivigrupi/ si dhe përmes mesazheve elektronike, duke siguruar vazhdimësi në mbështetjen dhe ndihmën e tyre për qytetarët për probleme urgjente juridike.

 

Platforma për e-mësim për fuqizimin juridik për juristët e rinj dhe studentët

Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë përmes platformës së zhvilluar për e-mësim, për fuqizimin juridik në fushën e të drejtave të njeriut, siguron vazhdimësi në arsimimin e juristëve të rinj dhe studentëve të drejtësisë. Në platformë mund të gjenden publikime, trajnime, por dhe lëndë të cilat juristët e rinj dhe studentët e drejtësisë mund t’i konsultojnë.

 

Mbështetje për viktimat e dhunës në familje

Në gjendjen e krizës në të cilën gjendet shëndeti publik, nevoja për ndihmë juridike për viktimat e dhunës në familje, është veçanërisht e dukshme. Organizata Edukative-Humanitare EHO nga Shtipi ofron ndihmë të vazhdueshme juridike dhe mbështetje për viktimat e dhunës në familje përmes telefonit dhe nëse është e nevojshme edhe në zyrë.

 

Mbështetje psikologjike për punonjësit seksualë

HOPS – Opsione për jetë të shëndoshë nga Shkupi ofron ndihmë psikologjike për punonjësit seksualë.

 

Funksionimi alternativ i qendrave DROP IN të HOPS-it për zvogëlimin e dëmit

Shoqatat që punojnë me qytetarë veçanërisht të cenueshëm, të cilët jetojnë në margjinat e shoqërisë dhe nuk kanë qasje në internet, përdorin mënyra alternative të komunikimit që u mundësojnë atyre të jenë të disponueshëm për qytetarët që kanë probleme urgjente. Edhe pse qendrat për zvogëlimin e dëmit DROP IN të HOPS-it janë të mbyllura, megjithatë ato janë akoma në dispozicion të përdoruesve, sepse çdo shërbim ka një numër të veçantë të telefonit dhe person për kontakti që u përgjigjet nevojave të klientëve.

—————————————————

3 Prill 2020