Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Sot, më 14 tetor të vitit 2022, u prezantuan rezultatet e projektit trevjeçar “Të rregullt në orë: aksioni për përfshirjen e romëve në arsimin fillor”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni (FSHHM) në partneritet me Shoqatën Qendra për Mbështetje Arsimore “Dendo Vas” dhe Fondacionin për Iniciativa Arsimore dhe Kulturore “Hap pas Hapi”

Projekti u realizua në periudhën prej tetorit të vitit 2019 deri në tetor të vitit 2022, me qëllim të sigurojë qasje të barabartë në arsim për fëmijët romë dhe t’i motivojë fëmijët të jenë të rregullt në orë, por gjithashtu edhe t’u ndihmojë shkollave të sigurojnë një mjedis inkluziv për mësim, ku respektohet diversiteti dhe ku të gjithë fëmijët ndihen të mirëpritur dhe të stimuluar në mënyrë të barabartë për të pasur sukses.

Në kuadër të ngjarjes përfundimtare u prezantuan rezultatet e projektit përmes videove të shkurtra, broshurës dhe fjalimeve të disa nga përfituesit dhe bashkëpunëtorët që morën pjesë në të.

Ngjarjen e hapi Ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri, duke theksuar se një nga qëllimet kryesore të strategjisë dhe planit të punës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është ndërtimi i një sistemi arsimor gjithëpërfshirës që do të ofrojë mundësi për arsim cilësor për të gjithë qytetarët, me theks të veçantë për ata që vijnë nga grupet e cenueshme shoqërore dhe sociale. Edhe projekti “Të rregullt në orë” është pjesë e aktiviteteve për ngritjen e nivelit të gjithëpërfshirjes së sistemit arsimor kombëtar, ndërsa rezultatet konkrete të aktiviteteve të përgjithshme të Ministrisë që synojnë përfshirjen e pjesëtarëve të komunitetit etnik rom tregojnë se është rritur përfshirja në shkollat fillore, është rritur rregullsia gjatë orëve dhe është rritur përqindja e kalimit të suksesshëm në klasat e ardhshme.

Projekti “Të rregullt në orë” ka ofruar mbështetje për 645 nxënës romë përmes 1.515 bursave për tre vitet e fundit shkollore. Bursistët vijnë nga 74 shkolla fillore dhe 33 komuna nga i gjithë vendi.

Fani Karanfillova-Panovska, drejtoresha ekzekutive e FSHHM-së, theksoi se ky ishte një projekt vërtet i jashtëzakonshëm, jo vetëm sepse me mbi 1.500 bursa studimi për tre vite akademike i stimuloi financiarisht dhe i inkurajoi familjet më të varfra rome, përfituese të ndihmës sociale nga shteti, që t’i regjistrojnë dhe rregullisht t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë, por u ka ndihmuar të qëndrojnë në shkollë në kushtet e vështira të pandemisë. Ky projekt ka treguar se nëse fëmijët romë e marrin mbështetjen e nevojshme financiare dhe mbështetjen tjetër, ata mund të përparojnë në mësime po aq mirë sa edhe bashkëmoshatarët e tyre jo-romë.

Gjithsej 60 asistentë për mbështetjen e komunitetit rom i ndihmuan prindërit për të siguruar të gjitha dokumentet e nevojshme për regjistrimin në shkollë, për t’i motivuar fëmijët për të shkuar në shkollë dhe për t’i kryer detyrimet e tyre shkollore, si dhe punuan për të forcuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin midis familjeve rome dhe shkollave. Përmes 20 tryezave të rrumbullakëta me institucionet lokale, shkollat dhe prindërit në 17 komuna, u inkurajua bashkëpunimi mes shkollave, autoriteteve lokale dhe prindërve dhe u motivuan prindërit që t’i regjistrojnë fëmijët në shkollë dhe të ndjekin rregullisht mësimin edhe në kushte të pandemisë.

Asistenti për përkrahjen e komunitetit, Ramadan Rustemov nga Manastiri tha se projekti ka ndihmuar shumë familje në mbarë Maqedoninë që të mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë më rregullisht dhe të paktën të harrojnë pak gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen. Njëkohësisht, ai e theksoi nevojën e mbështetjes së mëtejshme nga institucionet dhe sektori joqeveritar për të zbatuar programe dhe projekte të ngjashme me këtë që do t’i ndihmojnë drejtpërdrejt fëmijët dhe familjet e grupeve të cenueshme.

Në këtë ngjarje fjalim mbajtën edhe përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Nafi Saraçini dhe drejtori i shkollës fillore “Vëllezërit Ramiz-Hamid” nga Shuto Orizareja, Alvin Salimovski.

Në kuadër të projektit janë ndarë grante të vogla në vlerë prej 2.500 eurosh për 47 shkolla fillore për realizimin e iniciativave dhe projekteve, të cilat, përmes lojës dhe pjesëmarrjes së përbashkët në aktivitetet mësimore jashtëshkollore, synonin të nxisnin ndërveprimin dhe shkëmbimin e njohurive ndërmjet nxënësve. Deklaratat e pjesëmarrësve të projektit të paraqitura përmes një videoje dëshmuan se mbështetja e shkollave, komunitetit dhe bursat për nxënësit janë mbështetja kryesore për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë nxënësit, krijimin e një klime pozitive në shkollë dhe krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës dhe stimulues për mësim, ku çdo fëmijë do të ndihet i pranuar, i motivuar dhe do të ketë mundësi të zhvillojë potencialin e tij për të mësuar dhe për të përparuar.

Ngjarjen e pasuruan paraqitjet e nxënësve të shkollës fillore “Vëllezërit Ramiz-Hamid” dhe të grupit muzikor “Roma Rock School”. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues nga shkollat fillore të përfshira në projekt, përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare dhe lokale që punojnë në fushën e zhvillimit dhe edukimit të fëmijëve, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore në fushën e arsimit dhe avancimit të të drejtave të komuniteteve më të vogla etnike.

—————————————————

14 Tetor 2022