Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftimin e Korrupsionit mbajti sot një aktivitet në të cilin i prezantoi analizat e fushave me rrezik për korrupsion në mjedisin jetësor dhe shëndetësi në kuadër të projektit “Monitorimi në fushat me rrezik për korrupsion: shëndetësia dhe mjedisi jetësor”, i financuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni (FSHHM).

Fjalime hyrëse në këtë aktivitet mbajtën Dançe Danillovska – Bajdevska, Drejtor e Programeve në Fondacionin Shoqëri e Hapur – Maqedoni dhe Misha Popoviq nga Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftimin e Korrupsionit.

Danillovska-Bajdevska theksoi se FSHHM-ja ka disa vite që e përkrah Platformën e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftimin e Korrupsionit në zbatimin e aktiviteteve kundër korrupsionit.

“Antikorrupsionin e shohim nga prizmi i qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, por mbi të gjitha si një faktor që ndikon te qytetarët në qasjen në shërbime cilësore dhe të mira publike. Fondacioni ka mbështetur vazhdimisht Platformën e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftimin e Korrupsionit dhe Grupin Blueprint për Reforma në Drejtësi për disa vite. Me mbështetjen tonë, organizatat e shoqërisë civile vazhdojnë të jenë faktorë aktivë në zbatimin e monitorimit të proceseve reformuese lidhur me antikorrupsionin dhe reformat në drejtësi, të cilat ndikojnë edhe në luftën kundër korrupsionit”, tha ajo.

Popoviq theksoi se lufta kundër korrupsionit është një problem shumështresor që kërkon burime politike, institucionale dhe financiare që do të jenë shprehje e angazhimeve deklarative dhe do të kontribuojnë në rezultate të dukshme.

“Në këtë konferencë do të vendosim një dialog ndërmjet organizatave të shoqërisë civile të Platformës, institucioneve përgjegjëse për fushat që i kemi hulumtuar dhe organizatat e shoqërisë civile që punojnë në fushat e mjedisit jetësor dhe shëndetësisë. Kjo ngjarje është një forum i rëndësishëm që nevojitet për një formulim afatgjatë të reformave në këto fusha, të cilat do të ofrojnë jo vetëm zhvillim në kuptim sektorial, por edhe zhvillim në aspektin e integritetit, politikave dhe praktikave në fushat, dokumentet që zbatohen dhe institucionet që punojnë në këto fusha”, tha Popoviq.

Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Hristina Oxhaklievska, i përshëndeti aktivitetet dhe theksoi se për një luftë efektive kundër korrupsionit në mjedisin jetësor dhe në shëndetësi është i nevojshëm një rishikim i detajuar i aktiviteteve të cenueshme që lënë hapësirë për praktika korruptive.

“Analizat e këtij lloji dhe diskutimet transparente janë një mjet i mirë që na mundëson neve si politikëbërës të krijojmë legjislacion të mirë që njëkohësisht do të veprojë edhe në mënyrë parandaluese kundër korrupsionit. Jemi të vetëdijshëm se korrupsioni ka pasoja reale politike, ekonomike dhe sociale kudo. Ai paraqet pengesë për demokracinë dhe sundimin e ligjit, e prish shpërndarjen e burimeve, e zvogëlon produktivitetin dhe investimet dhe sigurisht ne gadalëson rritjen ekonomike”, shtoi Oxhaklievska.

Përfaqësues të Platformës së Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftën kundër Korrupsionit Aleksandar Cekov nga Qendra për Hulumtime dhe Krijim të Politikave dhe Darko Avramovski nga Koalicioni Të Gjithë për Gjykim të Drejtë, i prezantuan gjetjet nga projekti me fokus në mjedisin jetësor.

Cekovi e prezantoi analizën “Hartëzimi i rreziqeve të korrupsionit në mjedisin jetësor” dhe i prezantoi gjetjet kryesore. Hulumtimet mbi perceptimin e prevalencës së korrupsionit e konfirmojnë faktin se korrupsioni është një problem serioz në vend.

“Nga një notë maksimale prej 10, prevalenca e korrupsionit ka marrë notën mesatare prej 9,27, që tregon nevojën për një qasje më sistematike në luftën kundër korrupsionit, sepse padyshim, qasja aktuale, e cila bazohet në reformat ad hoc në fusha të caktuara, nuk e jep rezultatin e dëshiruar. Lidhur me temat/problemet më shqetësuese në këtë fushë, nga ato të ofruara, si problematikë më urgjente me notën mesatare prej 9,21, qytetarët e veçuan problemin me të ashtuquajturën “mafi e ndërtimit apo mafi urbane”, theksoi Cekov.

Avramovski, i cili e prezantoi “Rishikimin antikorrupsion të Ligjit për Mjedisin Jetësor”, nënvizoi se ku janë rreziqet kryesore të korrupsionit brenda këtij ligji:

“Ministri i Mjedisit Jetësor ka diskrecion të madh për të përcaktuar procedurat për dhënien e lejeve të ndryshme dhe krijimin e planeve dhe dokumenteve të mjedisit jetësor, ka liri për të përshkruar formën e aplikimeve, procedurën e dhënies së lejeve, formimin e komisioneve, autorizimin e personave juridikë dhe fizikë, dhënien e lejeve dhe të marrë vendime të tjera në procedurat e parapara me Ligj”, theksoi Avramovski.

Në kuadër të panelit të dytë për rreziqet e korrupsionit në shëndetësi, foli Zëvendësministri i Shëndetësisë, Vlladimir Rendevski, i cili më parë dhe si drejtor i Klinikës së Neurologjisë ka qenë i përfshirë në luftën kundër pandemisë.

“Ne patëm problem me sigurimin e pajisjeve mbrojtëse personale (kapele, maska, doreza) sepse pandemia filloi në Kinë me Wuhanin. Shumë nga këto blerje të pajisjeve mbrojtëse vinin nga Kina dhe pati një ngadalësim të madh në dërgesat e pajisjeve mbrojtëse personale. Jo vetëm që u ngadalësuan në aspekt të kohës, por filluan të rriteshin dhe të ndryshonin ndjeshëm edhe çmimet e shitjes me pakicë, dhe për fat të keq shkuan në një nivel jashtëzakonisht të lartë. Madje ato ishin disa herë më të shtrenjta se para fillimit të pandemisë. Më tej, me zbutjen paksa të numrit të infektimeve, çmimet nuk u kthyen në normalitet, por ato çmime tepër të larta që i kishim në fillim, filluan të ulen. Shumë varet nga mënyra se si do të blihet një produkt dhe në çfarë sasie. A do t’i blinte Ministria për një popullsi prej 2 milionë banorësh apo çdo institucion duhet t’i blinte me prokurime individuale. Sa i përket kësaj, sigurisht që do të kishte dallime në arritjen e çmimeve, disa nga ato prokurime janë bërë nga vetë institucionet, disa i kemi bërë në mënyrë qendrore nga Ministria e Shëndetësisë. Personalisht, si ide e imja, mendoj se do të arriheshin çmime më të ulëta nëse shteti do të merrte rolin e blerjes në emër të të gjitha institucioneve, dhe pastaj t’i shpërndajë ato në mënyrë të barabartë”, theksoi Rendevski.

Marko Mitevski nga Qendra për Komunikime Civile e cila është pjesë e Platformës së Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftimin e Korrupsionit, si autor i “Analizës së barazisë së shërbimeve shëndetësore të ofruara në qendra të ndryshme të KOVID-it” në këtë ngjarje i prezantoi disa nga gjetjet.

“Në Qendrat e Kovid-it, mesatarisht, ka vdekur një pacient në çdo gjashtë pacientë të shtruar në spital. Gjithashtu, 94,8% e prokurimit të barnave janë bërë me procedura të hapura, ndërsa pjesa tjetër 5,2% me procedurë me negocim, pa shpallje paraprake të thirrjes për prokurim. Megjithatë, transparenca nuk është reflektuar në mënyrë adekuate në konkurrencë dhe çmime”, prezantoi Mitevski.

Konferencën e plotë mund ta ndiqni në këtë  video.

—————————————————

24 Shkurt 2022