Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit, sot në Dhomën Publike në Shkup, e prezantoi “Raportin e parë për punën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit”.

Raporti është pjesë e projektit “Monitorimi i performancës së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit”, të mbështetur nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedonia.

Temë e analizës ishin vendimet e marra nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në periudhën midis marsit të vitit 2019 dhe shtatorit të vitit 2019, dhe përgjigjet ndaj kërkesave për qasje në informatat me karakter publik, të dërguara në KSHPK.

Martina Ilievska, hulumtuese në IDSCS, vuri në dukje se KSHPK-ja, që nga zgjedhja e anëtarëve të rinj, prej shkurtit të vitit 2019 deri në shtator të vitit 2019  ka mbajtur 22 seanca dhe ka marrë 273 vendime në përputhje me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktin e Interesave. Pothuajse një e katërta e tyre (65) përmbajnë dispozitë për vazhdimin e procedurave, ndërsa shumica (208) janë pezulluar për arsye të ndryshme.

“Vendimet e marra nga KSHPK-ja në periudhën që i nënshtrohet analizës, kryesisht i referohen lëndëve në fushën e shërbimeve publike 28% dhe arsimit 24%. Kur bëhet fjalë për llojin e shkeljeve që janë shënuar në raportime, KSHPK-ja kryesisht ka marrë vendime për procedurat e punësimit dhe kontrollin e interesit “ – tha Ilievska.

Sipas raportit, kohëzgjatja mesatare nga fillimi i procedurës e deri në marrjen e vendimit të KSHPK-së është 2 muaj e 18 ditë. Nëse merret parasysh fakti se procesi përfshin mbledhjen e të dhënave nga institucionet përkatëse, shqyrtimin e të dhënave dhe marrjen e vendimit, kjo tregon se Komisioni vepron relativisht shpejtë dhe se ka bashkëpunim të mirë me institucionet e tjera nga të cilat duhet të merren informacione të nevojshme për procedurën.

Misha Popoviq, drejtuesi i Qendrës për qeverisje të nirë në kuadër të IDSCS-së, mendon se duhet t’u caktohet prioritet lëndëve me të cilat merret Komisioni kundër korrupsionit.

“Si Platformë kemi konstatuar se numri i madh i lëndëve me të cilat është ballafaquar Komisioni kundër korrupsionit që nga fillimi i mandatit të tij, po aq sa është sinjal i besimit të qytetarëve te Komisioni, është edhe një sfidë. Burimet e kufizuara që i ka në dispozicion KSHPK-ja nuk u mundësojnë që t’i përpunojnë të gjitha lëndët dhe t’u kushtojnë kohë të mjaftueshme. Ajo për të cilën ne angazhohemi është nevoja për t’u dhënë prioritet shqyrtimit të lëndëve edhe pse nuk është e lehtë për t’u bërë” – tha Popoviq.

Gjithë raportin mund ta lexoni këtu.

—————————————————

24 Janar 2020