Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Në Komunën e Tetovës nuk ka autobusë, por ka stacione autobusi. Këto stacione janë të vendosura në disa lokacione në qytet, duke filluar nga hyrja e qytetit, qendra (gjykata themelore) deri te rruga e universitetit.

Institucionet këmbëngulin që procesi duhet të shkojë sipas rendit të duhur dhe se nëse nuk vendosen stacione, e pastaj (ose ndërkohë) të blihen autobusët, funksionaliteti i vetë procesit vihet në pikëpyetje. Kryetarja e Komunës së Tetovës thotë se tendenca e komunës është që në mënyrë paralele të furnizohen autobusët, të kompletohen stacionet e autobusëve dhe të fillojë me punë ndërmarrja e transportit publik që i gjithë sistemi të jetë aktiv deri në fund të vitit.

Por megjithatë, duke u bazuar në përvojën e deritanishme, shtrohet pyetja nëse stacionet e autobusëve do të arrijnë t’i presin autobusët. Kjo është arsyeja pse një grup aktivistësh nga Tetova, vendosën autobusë fantazmë përpara stacioneve të pritjes, të cilat do t’u shërbejnë qytetarëve të Komunës së Tetovës deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij procesi.

Ky aksion është realizuar pa asnjë kontakt të drejtpërdrejtë midis anëtarëve të grupit, gjegjësisht është realizuar në faza dhe në mënyrë sekuenciale nga ana e autorëve të ndryshëm. Aksioni “Për herë të parë në botë, autobus fantazmë!” është i mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

—————————————————

11 Nëntor 2020