Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Më 13 prill të vitit 2021, në seancën e rregullt të Qeverisë, një pikë e veçantë e rendit të ditës iu kushtua Iniciativës së Partneritetit të Qeverisë së Hapur. Në këtë seancë foli Drejtori i Përgjithshëm i PQH-së, Sanxhaj Pradhan, i cili i adresoi qëllimet kryesore që duhen arritur me Planin e ri të pestë kombëtar për PQH në Maqedoninë e Veriut për periudhën 2021 – 2023.

“Qëllimi i parë është ndërtimi i besimit te qytetarët. Në nivel global, besimi i qytetarëve tek qeveritë ka rënë në nivelin më të ulët në histori. Sipas Indeksit të Perceptimit të Demokracisë për vitin 2020, 57% e qytetarëve që jetojnë në shtete demokratike besojnë se qeveria e tyre e zgjedhur rrallë ose kurrë nuk vepron në interesin publik. Besimi i qytetarëve në mbarë botën ra edhe më tej gjatë pandemisë. Qasja e Partneritetit për Qeveri të Hapur mund të ndihmojë në krijimin e besimit tek institucionet. Qëllimi i dytë është ndërtimi i besimit te investitorët, që është me rëndësi thelbësore për ringjalljen e ekonomisë. Qeveritë e hapura duhet të luftojnë korrupsionin dhe të ofrojnë mundësi të barabarta për punë për sektorin e biznesit. Qëllimi i tretë ka të bëjë me agjendën për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. “Parimet e PQH-së mund të jenë me rëndësi jetike për përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara në Programin Operacional 2020-2024 për avancimin e anëtarësimit në BE”, theksoi Pradhan.

 

Në fjalimin e tij në këtë seancë, Kryeministri Zaev e potencoi bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe arritjet që janë rezultat i tij: “Qasja e qeverisë për bashkëpunim me shoqërinë civile shprehet edhe përmes bashkëpunimit me Fondacionin Shoqëri e Hapur – Maqedoni dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile, të cilat me mbështetjen e Sekretariatit për Partneritet për Qeveri të Hapur dhe Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës e avancojnë procesin e përfshirjes strukturore të organizatave të shoqërisë civile në bashkë-krijimin, zhvillimin dhe monitorimin e Planit të ri Kombëtar Aksional 2021-2023. Përmes këtij bashkëpunimi me shoqërinë civile, të koordinuar nga Fondacioni, u krijua Këshilli për Koordinimin dhe Monitorimin e procesit të PQH-së, i cili është modeli i parë i partneritetit dhe barazisë në vendimmarrje në vendin tonë. Përmes Këshillit të PQH-së, u krijua një mekanizëm i strukturuar për dialog të vazhdueshëm midis autoriteteve dhe shoqërisë civile,” theksoi Zaevi.

 

Partneriteti për Qeveri të Hapur është një nismë ndërkombëtare vullnetare që synon të sigurojë angazhime konkrete nga qeveritë për qytetarët e tyre, për ta promovuar transparencën, për ta nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve, për ta luftuar korrupsionin dhe për t’i shfrytëzuar teknologjitë e reja për ta përmirësuar qeverisjen/udhëheqjen e mirë.

—————————————————

13 Prill 2021