Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Më 18 shkurt 2020, u mbajtën dy ngjarje me qëllim të përfshirjes aktive dhe transparente dhe kontribuimit të  shoqërisë civile në ndërtimin e autoriteteve të hapura, transparente dhe gjithëpërfshirëse.

Takimi i grupit të punës me të gjithë palët e interesuara për zbatimin e Planit Kombëtar Aksional për Partneritet për Qeveri të Hapur 2018-2020

Qëllimi i takimit ishte të diskutohen dhe të përcaktohen hapat e ardhshëm në përputhje me udhëzimet e Sekretariatit për PQH. Anëtarët e grupit punues të të gjithë palëve të interesuara për zbatimin e Planit Kombëtar Aksional për Partneritet për Qeveri të Hapur 2018-2020 diskutuan për – statusin e zbatimit të planit aktual aksional 2018-2020 dhe aktivitetet dhe dinamikën e procesit të bashkë-krijimit të planit të ri të pestë aksional për PQH 2020-2022.

Koordinatorja kombëtare për Partneritet për Qeveri të Hapur nga MSHIA-ja, Gordana Gapiq Dimitrovska, e prezantoi kornizën kohore të planifikuar për aktivitetet e ardhshme për PQH dhe modelin e strukturës së re të koordinimit dhe monitorimit të procesit të PQH. Sunçica Kostovska-Petrovska, këshilltare për shoqërinë civile nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni (FSHHM) e prezantoi procesin e krijimit të Rrjetit të Organizatave të Shoqërisë Civile për Partneritet për Qeveri të Hapur, i cili synon të koordinojë dhe të forcojë zërin e organizatave të shoqërisë civile që angazhohen për pjesëmarrje, hapje dhe llogaridhënie të autoriteteve.

Në takim morën pjesë 34 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe të institucioneve. Pjesëmarrësit dhanë sugjerime dhe udhëzime për specifikimin e modelit të strukturës së re të koordinimit dhe monitorimit të procesit të PQH. Procedura për krijimin e Këshillit për Qeveri të Hapur dhe mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të përbërjes së përkohshme të Këshillit shkaktuan interesin më të madh. Është arritur një marrëveshje për dinamikën e takimeve të grupeve të punës për emërimin dhe zgjedhjen e përfaqësuesve në Këshill gjatë 10 ditëve të ardhshme.

Takimi themelues i Rrjetit të organizatave qytetare për Partneritet për Qeveri të Hapur (PQH)

Përfaqësuesit e 54 organizatave të shoqërisë civile që aplikuan për të marrë pjesë në rrjet, dhe 10 organizatat – anëtarët e Këshillit iniciativ për formimin e rrjetit ishin të ftuar në takimin themelues të rrjetit të organizatave të shoqërisë civile për PQH.

Qëllimi i takimit ishte të shpallet krijimi i rrjetit, të njihen në mes tyre organizatat anëtare, të shkëmbehen informacione dhe të diskutohet procesi i Partneritetit për Qeveri të Hapur – tendencat, planet dhe mundësitë e reja, si dhe roli i rrjetit në ato procese.

Fani Karanfillova-Panovska, drejtore ekzekutive e FSHHM-së, e hapi takimin, duke theksuar nevojën dhe procesin e krijimit të një strukture të re për konsultim dhe koordinim në shoqërinë civile dhe midis autoriteteve, organizatave të shoqërisë civile, qytetarëve dhe palëve të tjera të interesuara për të hartuar, zbatuar, mbështetur, promovuar dhe monitoruar prioritetet dhe iniciativat për PQH:

“Për të rritur pjesëmarrjen e shoqërisë civile në proceset e Partneritetit për Qeveri të Hapur, ne përpiqemi në bashkëpunim me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, institucionet e tjera të përfshira në Partneritetin për Qeveri të Hapur, Këshillin iniciativ të rrjetit të organizatave të shoqërisë civile dhe tani të gjithë rrjetin e organizatave të shoqërisë civile, të krijojmë mekanizma të qartë, të strukturuar dhe të qëndrueshëm për dialog të përhershëm midis shoqërisë civile dhe autoriteteve. Struktura e re duhet ta përmirësojë praktikën ekzistuese dhe burimet e angazhuara. Ajo përfshin krijimin e një rrjeti (pro)aktiv të organizatave të shoqërisë civile që do ta rrisë interesin, njohuritë dhe organizimin e organizatave të shoqërisë civile për të marrë pjesë në proceset e Partneritetit për Qeveri të Hapur dhe formimin e një organi kombëtar ose të ashtuquajturin Këshill i Partneritetit për Qeveri të Hapur me një numër të barabartë përfaqësuesish nga institucionet (në një nivel të lartë) dhe organizatat e shoqërisë civile. Këshilli do ta koordinojë dhe monitorojë procesin e përgatitjes dhe zbatimit të planit aksional.”

Gordana Gapiq Dimitrovska, koordinatore kombëtare për Partneritet për Qeveri të Hapur nga MSHIA-ja e përshëndeti formimin e rrjetit dhe e theksoi nevojën, mundësitë dhe qëllimin e MSHIA-së për ta përfshirë rrjetin në aktivitetet e ardhshme për të bashkë-krijuar planin e ri aksional për vitin 2020-2022 (PA 5), si dhe pritjen që përfshirja në rrjet do të kontribuojë në krijimin e një baze më të gjerë për konsultime dhe sigurimin e pjesëmarrjes së palëve të ndryshme të interesit. Në të njëjtën kohë, ajo e prezantoi modelin e strukturës së re të koordinimit dhe monitorimit të procesit të PQH dhe kornizën kohore të planifikuar për aktivitetet e ardhshme për PQH: “Në mars të vitit 2020, do të publikohet korniza kohore për aktivitetet për përgatitjen e PA 5 në periudhën mars-gusht 2020. Aktivitetet do të përfshijnë: pyetësorë në internet, takime tematike, takime rajonale, konferenca, si dhe konsultime me rrjetin e OSHC-ve dhe institucionet qeveritare.”

Qëndresa Sulejmani nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” i prezantoi aktivitetet e planifikuara në bashkëpunim me MSHIA-në – përgatitjen e një platforme për komunikim elektronik dhe takimet këshilluese tematike në komuna të ndryshme për të krijuar propozim-masa për Planin e ri Aksional për vitet 2020-2022. Këto aktivitete ofrojnë mundësi për përfshirje të që organizatave të rrjetit, veçanërisht në nivelin lokal.

Sunçica Kostovska-Petrovska, këshilltare për shoqërinë civile nga FSHHM-ja e paralajmëroi procesin e ardhshëm të ndërtimit të strukturës së rrjetit (formimi i grupeve të punës, Këshilli Drejtues, zgjedhja e koordinatorit/sekretariatit të rrjetit). Pjesëmarrësit ranë dakord se ky proces duhet të udhëhiqet nga Këshilli iniciativ (KI) dhe duhet të zhvillohet paralelisht me përgatitjen e planit të ri aksional. Grupet e punës do të krijohen në përputhje me prioritetet në planin e ri aksional, dhe nga radhët e tyre do të emërohen dhe do të zgjidhen anëtarët e Këshillit Drejtues, si dhe përfaqësuesit në Këshillin e ardhshëm për Qeveri të Hapur. Ndërkohë, në gjashtë muajt e ardhshëm, KI do të ketë rolin e Këshillit Drejtues, ndërsa FSHHM-ja do ta koordinojë rrjetin. KI do t’i përgatisë kushtet, kriteret, procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të KD dhe koordinatorit, si dhe detyrimet e tyre, mandatin, mënyrën e vendimmarrjes dhe konsultimin e anëtarëve të rrjetit.

Në takimin themelues morën pjesë 53 përfaqësues nga 42 organizata.

Organizatat anëtare të rrjetit kërkuan më shumë informacion në lidhje me iniciativën për Partneritet për Qeveri të Hapur dhe shprehën shpresë dhe interes që të përfshihen në procesin e përgatitjes, zbatimit dhe monitorimit të planit aksional, të informohen rregullisht, të konsultohen për çështje me rëndësi më të gjerë për shoqërinë civile, qytetarët dhe palët e tjera të interesuara. Ata e theksuan nevojën për transparencë të rritur, pjesëmarrje dhe llogaridhënie të institucioneve në nivelin lokal dhe shprehën interes për fushat e tyre të veprimit dhe punën me qytetarët për të kontribuar në ndërtimin e vetëdijes publike për rëndësinë e Partneritetit për Qeveri të Hapur dhe për ndikimin e hapjes institucionale në cilësinë e jetës së qytetarëve.

Përfaqësuesit e Qendrës për Hulumtime dhe Analiza Juridike e prezantuan procesin e krijimit të planit aksional për Gjyqësinë e Hapur, i cili është në rrjedhl e sipër dhe do të kontribuojë në planin e ardhshëm aksional 2020-2022.

Rrjeti i OSHC-ve për PQH është përfaqësues dhe përfshin organizata që punojnë me grupe të ndryshme: gra, të rinj, romë dhe komunitete të tjera jo-shumicë, njerëz me aftësi të kufizuara dhe grupe të tjera; në tema të ndryshme: anti-korrupsion, transparencë, teknologji informacioni, barazi gjinore, politika rinore, mbështetje për grupet e cenueshme, mjedisin jetësor, zhvillimin rural, të drejtat e njeriut, drejtësinë, integrimin evropian, financat publike, zhvillimin socio-ekonomik, mbrojtjen shëndetësore dhe sociale, kulturë, etj.; dhe në vende të ndryshme (Shkup, Tetovë, Kumanovë, Manastir, Prilep, Kavadar, Strumicë, Shtip, Veles, Dellçevë), si dhe në komunitetet rurale.

—————————————————

2 Mars 2020