Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Më 20 dhjetor të vitit 2019, ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski dhe drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Fani Karanfillova-Panovska nënshkruan një memorandum bashkëpunimi.

Memorandumi i bashkëpunimit është një angazhim midis Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) dhe Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni (FSHHM) për të mundësuar pjesëmarrje kuptimplote dhe të strukturuar të shoqërisë civile në reformat kyçe sektoriale, si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE.

Përmes projektit “Dialogu me organizatat qytetare – platforma për pjesëmarrje të strukturuar në integrimin në BE”, FSHM-ja do të implementojë aktivitete për ta rritur dukshmërinë e grupeve sektoriale të punës dhe do ta mbështesë në mënyrë aktive punën e tyre duke siguruar pjesëmarrje kuptimplote dhe të strukturuar të shoqërisë civile, duke i marrë parasysh nevojat specifike të secilit grup sektorial të punës.

FSHHM-ja obligohet ta zhvillojë dhe ta avancojë dialogun strukturor midis institucioneve dhe shoqërisë civile, përmes aktiviteteve të ndryshme, duke zhvilluar një platformë si pikë qendrore për shkëmbimin e informacionit thelbësor dhe të rëndësishëm midis institucioneve dhe organizatave civile, politikave sektoriale dhe proceseve të konsultimit kombëtar; takime koordinimi; konsultime sektoriale; konferenca; ngritja e kapaciteteve; vizualizime të përfundimeve kyçe; transmetimi në internet i seancave të Këshillit për bashkëpunim me dhe zhvillim të sektorit civil; përgatitja e 27 raporteve për punën e grupeve sektoriale të punës dhe aktivitete të tjera.

MSHIA-ja në kuadër të bashkëpunimit dhe partneritetit të vendosur, e në funksion të dialogut strukturor do të prezantojë dhe do të shkëmbejë informacione kuptimplota dhe relevante për shoqërinë civile për pjesëmarrje në politikat sektoriale dhe proceset e konsultimit kombëtar; do t’u mundësojë përfaqësuesve të MSHIA-së të marrin pjesë në punëtori dhe konferenca; do ta mundësojë praninë e përfaqësuesve dhe studiuesve, një pjese të shoqërisë civile në grupet sektoriale të punës, të cilat do të përgatisin një raport vjetor të pavarur për punën e grupit sektorial të punës.

Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedoni ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi edhe me Sekretariatin për Çështje Evropiane, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa në proces të nënshkrimit janë edhe memorandumet me ministritë e tjera të linjës, që janë përgjegjëse për punën grupeve sektoriale të punës.

Projekti “Dialogu me organizatat qytetare – Platforma për pjesëmarrje të strukturuar në integrimin në BE” është i financuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i implementuar nga FSHHM-ja në partneritet me Eurothink – Qendra për Strategji Evropiane, Qendra për Komunikime Qytetare dhe Reaktor – Hulumtimi në aksion, ndërsa bashkëpunëtor është edhe Sekretariati për Çështje Evropiane.

—————————————————

20 Dhjetor 2019