Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Më 9 nëntor të vitit 2022, drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Fani Karanfillova-Panovska, nënshkroi marrëveshje për bashkëpunim me kryetarët e komunave të Dellçevës – Goran Trajkovski, Vallandovës – Pero Kostadinov, Çuçer Sandevës – Sashko Komnenoviq dhe Qendrës së Zhupës – Arijan Ibraim. Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni mori përsipër që përmes një operatori ekonomik të përzgjedhur, të instalojë sisteme diellore fotovoltaike në pesë objekte shkollore, ndërsa komunat u obliguan të marrin përsipër mirëmbajtjen e sistemeve të instaluara, duke i plotësuar kështu nevojat për energji elektrike të këtyre shkollave në të cilat i vijojnë mësimet gjithsej 1.300 nxënës.

Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni (FSHHM), gjatë vitit 2022, ka realizuar vizita në disa lokacione në vend me qëllim të identifikimit të shkollave në vendbanime më të vogla, rurale dhe urbane, në të cilat ka mundësi adekuate teknike për realizimin dhe instalimin e sistemeve diellore fotovoltaike. Pas kësaj, FSHHM-ja nga fondet e veta dhe si pjesë e iniciativës rajonale të zbatuar në Shqipëri, Serbi dhe Kosovë, i zgjodhi katër komunat – Dellçevë, Vallandovë, Çuçer Sandevë dhe Qendra e Zhupës – për realizimin e donacionit.

Pesë objekte shkollore, nga të cilat dy qendra të shkollave të mesme – SH.M.Q. “Goce Dellçev” në Vallandovë dhe SH.M.Q. “Metodi Mitevski Britso” në Dellçevë, dhe tri shkolla fillore në zonat rurale – SH.F.Q. “Strasho Pinxhur” – fshati Josifovë, Vallandovë, SH.M.Q. “Shën Kiril dhe Metodi” – fshati Kuçevishtë, Çuçer Sandevë dhe SH.M.Q. “Nexhati Zekiria” – fshati Novakë në Qendrën e Zhupës, janë pjesë e këtij projekti.

Qëllimi i projektit është të mundësojë shfrytëzimin e energjisë diellore dhe shfrytëzimin racional të energjisë në shkollat pilot, gjë që do ta mbështesë tranzicionin ekologjik të institucioneve, e njëkohësisht do të synojë të krijojë të ashtuquajtura shkolla të gjelbra përmes edukimit dhe përfshirjes së nxënësve dhe punonjësve për përmirësimin e efikasitetit të energjisë.

—————————————————

9 Nëntor 2022