Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Në Komunën e Shuto Orizarit, 1.200 fëmijë dhe 4.000 të rritur janë lënë pa kujdesin shëndetësor bazë. Pas pensionimit të dy mjekëve amë nga poliklinika, qytetarët e Shuto Orizarit kanë mbetur pa kujdes shëndetësor për më shumë se dy muaj. Përveç kësaj, mjekët ekzistues amë në këtë komunë kanë arritur kufirin e numrit të pacientëve dhe mund të pranojnë vetëm një numër të kufizuar të pacientëve të rinj. Pas pensionimit të mjekes së vetme që ofronte kujdes shëndetësor për fëmijët, aktualisht janë regjistruar vetëm 250 fëmijë, ndërsa pjesa tjetër kanë mbetur pa të drejtën e kujdesit shëndetësor bazë. Në të njëjtën kohë, shërbimi kujdestar në poliklinikën e Shuto Orizarit ka mungesë të mjekëve dhe për këtë arsye funksionimi është i ndryshueshëm, gjegjësisht ndonjëherë ka shërbim kujdestar, por shumë shpesh ambulanti kujdestar, nuk punon. Dhe e gjithë kjo në mes të pandemisë.

Institucionet i injorojnë problemet e qytetarëve të Shuto Orizarit. Shoqatat që punojnë çdo ditë në terren me banorët e komunës ka kohë që bëjnë thirrje për situatën alarmante, dhe sot, më 24 mars, për ta tërhequr vëmendjen e publikut, organizuan edhe një aksion kreativ përmes të cilit Poliklinikës në Shuto Orizari ia ndanë çmimin e parë botëror për poliklinikën më të keqe.

Çmimi u vendos në një format të madh para hyrjes së Poliklinikës në Shuto Orizari, me të cilin shoqatat donin të theksonin faktin se poliklinika është një institucion shëndetësor që ofron shërbime me cilësi jashtëzakonisht të ulët dhe ku qytetarët thjesht nuk mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre të kujdesit shëndetësor.

Si pjesë e aksionit, të nxitur nga situata e keqe shëndetësore në Shuto Orizari, shoqatat organizuan një pikë me një peshk të artë që i plotëson dëshirat, duke shpresuar se nëse jo institucionet, të paktën peshku i artë do t’ua përmbushë dëshirat e tyre për kujdesin shëndetësor bazë dhe qasjen në shërbime cilësore të kujdesit shëndetësor.

Aksioni u organizua nga Shoqata IRIZ – Iniciativa për Zhvillimin dhe Inkluzionin e Bashkësive nga Shkupi, Shoqata për Zhvillim dhe Avancimin e Komunitetit Rom – Romano Çaçipe, Qendra Kombëtare e Romëve dhe Shoqata për Edukim Ligjor dhe Transparencë – STACIONI P.E.T. Aksioni është i mbështetur nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

—————————————————

24 Mars 2021