Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi organizuan ngjarjen e parë të përbashkët publike për t’i prezantuar kushtet dhe sfidat me të cilat përballet Komisioni dhe për ta forcuar rolin e tij në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vendin tonë. Videoja e të gjithë ngjarjes është në dispozicion këtu, dhe më poshtë paraqesim disa nga deklaratat e folësve hyrës dhe panelistëve nga të dy sesionet.

Në konferencën online morën pjesë përfaqësues të sektorit të shoqërisë civile, i cili prej kohësh ka avokuar për avancimin e parandalimit dhe mbrojtjes nga diskriminimi duke e ndryshuar kornizën ligjore dhe duke krijuar një Komision të ri për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Pjesëmarrësit, përfaqësuesit e pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, shprehën mbështetje për punën e Komisionit si dhe vullnetin për të përmirësuar kapacitetet e institucioneve kompetente, për të përmirësuar kornizën ligjore dhe për të mbështetur Komisionin në tejkalimin e sfidave me të cilat përballet.

Në fjalën e saj hyrëse, Dragana Dërndarevska nga Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe nga Koalicioni MARGJINAT e hapi konferencën dhe theksoi se: “Së bashku kemi një mundësi të re për të filluar nga fillimi, për të mësuar nga përvojat e mëparshme dhe për të ndërtuar një institucion të cilit qytetarët do t’i besojnë. Si një institucion i ri, KPMD-ja përballet dhe do të përballet me një numër sfidash. Është thelbësore që Komisioni të ketë mbështetjen politike për të arritur qëllimet e tij, që autoritetet t’i respektojnë dhe t’i zbatojnë mendimet dhe rekomandimet e tij. Një organ i pavarur i barazisë është një organ, puna e të cilit jo gjithmonë do t’u pëlqejë autoriteteve dhe partive politike, një organ që do ta zbatojë ligjin, që do ta kritikojë punën e institucioneve dhe që do të kontribuojë në avancimin e tij. Autoritetet do të duhet t’i respektojnë rekomandimet e Komisionit, madje edhe atëherë kur ato nuk janë në përputhje me qëllimet dhe agjendat e tyre politike. Në këtë mënyrë, ata duhet të heqin dorë nga një pjesë e fuqisë së tyre në emër të respektimit të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe ndërtimit të një shoqërie më të barabartë dhe më demokratike.”

Në panelin hyrës, fjalën e mori Kire Milovski nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni dhe deklaroi se: “Rrjeti i organizatave të shoqërisë civile për mbrojtjen nga diskriminimi përmes aktiviteteve të tij të projektit, të mbështetura nga Fondacioni, vazhdimisht bën përpjekje për të afirmuar punën e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi; e zhvillon praktikën e brendshme duke ofruar ndihmë juridike falas për qytetarët në rastet e diskriminimit; e paralajmëron publikun dhe hartuesit e politikave për shkeljet; avokon për avancimin e mekanizmave mbrojtës kundër të gjitha formave të diskriminimit. Për ne janë veçanërisht të rëndësishëm dhe kujdesemi të ofrojmë mbështetje dhe ndihmë ligjore për qytetarët të cilët janë të margjinalizuar dhe të pafuqishëm për t’u përballë vetë me diskriminimin ndaj të cilit janë të ekspozuar.”

Kryetarja e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Vesna Bendevska, nga ana tjetër, theksoi se ata përballen me sfidën e ndërtimit të një institucioni të ri dhe se janë të vetëdijshëm për pritjet e larta nga Komisioni i ri. Ajo tha se janë duke i përgatitur aktet nënligjore, protokollet për bashkëpunim me partnerët kryesorë, njoftoi krijimin e njësisë analitike në kuadër të Komisionit, hartimin e një Rregulloreje për vendimmarrje dhe nënshkrimin e Memorandumit të bashkëpunimit me Rrjetin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe aktorë të tjerë kryesorë në këtë fushë. “KPMD-ja do të fillojë bashkëpunimin në të gjitha nivelet, gjegjësisht me të gjitha komisionet e Kuvendit, siç është Komisioni për Mundësitë e Barabarta për Burrat dhe Gratë, Komisioni i Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarëve, me organizatat e shoqërisë civile, partnerët ndërkombëtarë që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut, etj.”

Duke folur për parakushtet për funksionalitetin e KPMD -së, komisioneri Kire Vasilev, vuri në dukje se për shkak të pengesave dhe mangësive ligjore, KPMD-ja është përballur me sfida teknike dhe administrative për një kohë të gjatë, të cilat anëtarët e Komisionit presin të zgjidhen në periudhën e ardhshme, së bashku dhe në bashkëpunim me shërbimet parlamentare. Punësimi në shërbimin profesional, realizimi i furnizimeve publike, pajisja e ambienteve për punë si dhe krijimi i ueb-faqes janë hapat e ardhshëm, të cilat duhet të realizohen në afat sa më të shkurtër kohor. Ai deklaroi se: “Puna për zgjidhjen e diskriminimit është një sfidë e madhe, por me gatishmërinë dhe punën e vendosur të anëtarëve të Komisionit, do të ketë përparim. Komisioni tashmë është duke punuar në krijimin e një bashkëpunimi shumëpalësh me institucionet vendase, organizatat e shoqërisë civile, organizatat e huaja, etj., në mënyrë që të intensifikojmë së bashku përpjekjet për të zgjidhur sa më shpejt të jetë e mundur problemet me të cilat ballafaqohet Komisioni.”

Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Cvetanka Ivanova, foli për rolin e Kuvendit në mbështetjen e punës së KPMD-së, e gjithashtu iu referua edhe buxhetit të vogël që është në dispozicion të KPMD -së: “Komisioni duhet të ketë një buxhet më të madh për punën e tij dhe komisionerët duhet të marrin pjesë aktivisht në planifikimin e buxhetit në të ardhmen. Nuk duhet të lejohet që Komisioni të humbasë kohë dhe të mos punojë me efikasitet në dobi të qytetarëve për shkak të problemeve teknike.” Ivanova bëri thirrje për bashkëpunim thelbësor me Kuvendin, organet parlamentarë të punës dhe grupet joformale ndër-parlamentare që punojnë për të avancuar të drejtat e grupeve të ndryshme të margjinalizuara, siç janë romët, personat LGBTI, dhe personat me aftësi të kufizuara. “Shumëllojshmëria është potencial për zhvillim, e jo bazë për diskriminim,” theksoi ajo.

Deputetja Gordana Siljanovska-Davkova, Kryetare e Komisionit për Mundësi të Barabarta në fjalimin e saj mbi sfidat kryesore të cilave duhet t’i përgjigjet KPMD-ja, e shprehu kënaqësinë e saj me punën aktive të Komisionit, i cili tashmë i jep mendimet e tij publikisht. Siljanovska-Davkova theksoi se pret që Komisioni të jetë i pavarur, profesional dhe i vendosur në luftën për barazi. Ajo theksoi se Komisioni duhet të angazhohet për të siguruar respektimin e integritetit fizik dhe moral, veçanërisht në kontekstin e njerëzve LGBTI, të cilët në shekullin 21 në vendin tonë ende nuk mund të shprehen lirshëm dhe pa frikë. “Komisioni duhet të punojë në reputacionin e tij, llogaridhënien dhe duhet të jetë proaktiv, dhe jo të veprojë vetëm në bazë të ankesave të parashtruara nga qytetarët, por edhe me iniciativën e tij” – tha Siljanovska-Davkova.

Stojan Mishev nga Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Shoqata ESE, duke folur për mandatin ligjor të Komisionit dhe parakushtet për transparencë, llogaridhënie dhe efikasitet, theksoi se është e nevojshme: “Sigurimi i transmetimit publik të seancave të KPMD-së (duke e respektuar dhe mbrojtur privatësinë dhe të dhënat personale), përgatitja e strategjive dhe programeve të punës me përfshirjen e të gjithë aktorëve, punë transparente përmes informimit të rregullt, përdorimi i mjeteve për edukimin e publikut, promovimi i barazisë dhe i punës së tij, sigurimi i formulareve lehtësisht të arritshme për raportimin e diskriminimit, informimi për mjetet e shpenzuara dhe për shkallën e aktiviteteve të realizuara.”

Komisioneri Igor Jadrovski foli për nevojat dhe mënyrat e bashkëpunimit të KPMD -së me aktorët kryesorë për mbrojtjen dhe promovimin e barazisë dhe të drejtave të njeriut dhe deklaroi se: “Prioritet tani është funksionaliteti i Komisionit, përmes sigurimit të ambienteve për punën e tij, stafit, rritjes së kapaciteteve njerëzore dhe teknike, punësimeve në shërbimin profesional dhe krijimit të një baze të dhënash elektronike”; dhe më pas njoftoi se është ende e nevojshme të hapet një shpallje e re për emërimin edhe të një anëtari të KPMD -së. Ai theksoi se është e rëndësishme që të ketë bashkëpunim të mirë me Avokatin e Popullit, me gjykatat, me Parlamentin, me organizatat e shoqërisë civile, me inspektoratet dhe ministritë kompetente. Jadrovski shprehu kënaqësinë me ambientet që i janë ofruar Komisionit, të cilat janë të arritshme për personat me aftësi të kufizuara, dhe shprehu përkushtim për të siguruar qasshmërinë e shërbimeve dhe aktiviteteve të Komisionit për personat me aftësi të kufizuara.

Për bashkëpunimin midis Parlamentit dhe KPMD -së, deputetja dhe koordinatorja e Grupit Ndërparlamentar LGBTI, Maja Moraçanin, theksoi se: “Buxheti i alokuar është i vogël, por është e nevojshme të veprohet kur do të planifikohet rebalanci  i buxhetit, me çka do të sigurohej mbështetje për rritjen e buxhetit të KPMD-së”; dhe vuri në dukje se hapja e deritanishme për bashkëpunim me grupet joformale në Parlament është dëshmuar si një mekanizëm që sjell rezultate të suksesshme. Ajo informoi se Kuvendi aktualisht është duke punuar në marrjen e vendimit për shpalljen e një konkursi për zgjedhjen dhe emërimin edhe të një anëtari tjetër, me çka do të kompletohet përbërja e Komisionit.

Gjyqtarja Hilda Meshkova nga Gjykata Themelore Shkup 2, foli për mbrojtjen gjyqësore kundër diskriminimit dhe bashkëpunimin midis gjyqësisë dhe KPMD -së dhe e theksoi rolin e Komisionit si jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe sugjeroi që ai të veprojë për të rritur edukimin e qytetarëve për diskriminimin. Meshkova theksoi se është e nevojshme t’u sigurohet qytetarëve lidhje me shërbimet e ndihmës juridike falas nga të cilat ata mund të marrin mbështetje dhe përfaqësim adekuat ligjor në rastet e diskriminimit. “Gjykata është e hapur për bashkëpunim të mëtejshëm, e tani ka mundësi edhe për të vepruar, pasi ka një numër ligjesh që mbrojnë në mënyrë eksplicite nga diskriminimi” – tha Meshkova. Ajo gjithashtu iu referua institutit të “kalimit të barrës së provës”, si një mjet kyç dhe i nevojshëm për mbrojtje efektive nga diskriminimi, sepse në këto raste paditësi është në një situatë më pak të favorshme sepse provat zakonisht janë në duart e të paditurit.

Duke folur për avancimin e bashkëpunimit midis sektorit të shoqërisë civile me mekanizmat për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, Drejtoresha Ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Uranija Pirovska theksoi se në vendin tonë vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet gjuhës së urrejtjes, e cila është e përhapur gjerësisht, që është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së mbrojtjes gjyqësore. Ajo theksoi se KPMD-ja duhet të veprojë në mënyrë parandaluese ndaj këtyre fenomeneve dhe është veçanërisht e rëndësishme që përbërja e re e këtij Komisioni është e sensibilizuar dhe ka njohuri për trajtimin e diskriminimit. “KPMD-ja duhet të veprojë në përputhje me kompetencat e tij, dhe të mos punojë vetëm në bazë të ankesave. Sektori i shoqërisë civile duhet të perceptohet si partner, por edhe si korrektues dhe kritik i trajtimit joadekuat dhe mosveprimit nga autoritetet.” Pirovska gjithashtu iu referua edhe Avokatit të Popullit dhe kërkoi bashkëpunim më të madh nga ky institucion me sektorin civil, si dhe ringjalljen përfundimtare të mekanizmit të Avokatit të Populliut Plus për kontroll të jashtëm mbi punën e policisë.

Zëvendës Avokati i Popullit, Vaska Bajramovska Mustafa, deklaroi se: “Avokati i Popullit e hap bashkëpunimin me KPMD-në e re në disa nivele, në bashkëpunimin për lëndët, në mbledhjen e të dhënave statistikore, përmirësimin e kornizës ligjore, informimin e publikut, raportimin tek organet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, etj.” Sipas saj, Ligji i ri për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi jep një qasje të re në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por gjithsesi ka nevojë për një qasje më serioze, më të ndjeshme në punën me ankesat e qytetarëve dhe në nxitjen e marrëdhënieve multisektoriale.

Anëtarët e Komisionit informuan se do të fillojnë me zhvillimin e ueb-faqes së KPMD-së, ndërsa faqja në Facebook tashmë është e disponueshme në këtë link. Pjesëmarrësit në konferencë gjithashtu diskutuan edhe për detyrimin për zbatimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi nga secila ministri, duke i forcuar kapacitetet e administratës, inspektorateve dhe harmonizimin e legjislacionit për mbrojtjen dhe parandalimin e diskriminimit. Një nga përfundimet kryesore është edhe nevoja për ringjalljen përfundimtare të Komisionit të Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarëve si një mekanizëm kryesor që duhet të diskutojë në mënyrë aktive çështjet në fushën e (jo)diskriminimit, të nxjerrë përfundime, ta monitorojë zbatimin e tyre dhe ta mbikëqyrë respektimin e të drejtave të njeriut nga ana e pushtetit ekzekutiv.

—————————————————

23 Prill 2021