Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Forumi i Katërt Energjetik i Maqedonisë, me titull “Hartëzimi i së ardhmes energjetike” këtë vit u mbajt më 13-14 shtator 2021 në Shkup dhe u organizua nga Instituti ZIP, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ambasada e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut.

Forumi Energjetik i Maqedonisë është një ngjarje që synon të kontribuojë në një shkëmbim më të larmishëm, gjithëpërfshirës dhe të drejtpërdrejtë të ekspertizës, praktikave dhe planeve për sektorët energjetikë të Evropës, Ballkanit Perëndimor dhe të Maqedonisë dhe përparimin e tyre drejt një tranzicioni të drejtë energjetik dhe përmbushjes së Qëllimit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 7 (QZhQ 7), në kuadër të agjendës së OKB-së për vitin 2030.

Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, duke e njohur rëndësinë e hartëzimit të së ardhmes energjetike, i dha mbështetje organizimit të edicionit të katërt të forumit energjetik, i cili mundësoi pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e ekspertëve të ndryshëm në një model hibrid. Forumi është veçanërisht i rëndësishëm pasi ofron një platformë të larmishme të nivelit të lartë, ku palët e interesuara nga sektorë, rajone dhe prejardhje të ndryshme në fushën e energjisë do të diskutojnë për sfidat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në arritjen e një tranzicioni të drejtë energjetik dhe sigurimin e qasjes në energji të përballueshme, të sigurt, të qëndrueshme dhe moderne për të gjithë. Temat e paneleve ishin të ndryshme: tranzicioni energjetik në përgjithësi dhe sfidat e rajonit për të arritur këtë trend evropian; bashkëpunimi potencial komunal në kuadër të Paktit të kryetarëve të komunave me qytetet fqinje; udhërrëfyesi për vendet e Ballkanit Perëndimor drejt një tranzicioni të drejtë energjetik; projektet e rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike; zbatimi i Marrëveshjes së Gjelbër të Be-së dhe QZhQ 7.

Forumi gjithashtu ofroi edhe përmirësim të bashkëpunimit ndërsektorial dhe rajonal në politikat energjetike, përmirësim të dialogut ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile, si dhe rekomandime gjithëpërfshirëse për politikat e qeverisë së Maqedonisë të bazuara në diskutimet dhe gjetjet e forumit në fushën e tranzicionit energjetik dhe rezistencës ndaj klimatik.

Për më shumë informacion rreth Forumit Energjetik të Maqedonisë, vizitoni ueb-faqen e Institutit ZIP.

—————————————————

28 Shtator 2021