Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Pandemia e shkaktuar nga KOVID-19 e përkeqësoi më tej qasjen në drejtësi dhe qasjen në institucione për qytetarët e grupeve të cenueshme, për shkak të së cilës gjithnjë e më shumë qytetarë u drejtohen shoqatave për ofrimin e ndihmës juridike dhe parajuridike falas.

Gjatë 11 muajve të fundit, që kur filloi implementimi i projektit “Qasja në drejtësi për më të margjinalizuarit”, më shumë se 1.000 qytetarë nga grupet e rrezikuara iu drejtuan organizatave të shoqërisë civile dhe kërkuan ndihmë juridike dhe para-juridike. Ndihma juridike sigurohet nga avokatët, ndërsa ndihma parajuridike sigurohet në terren, nga ana e parajuristëve, të cilët janë pjesë e komuniteteve që ata i përfaqësojnë dhe janë të trajnuar dhe kanë njohuri për ofrimin e ndihmës dhe këshillimit.

Shoqata HOPS – Opsione për Jetë të Shëndetshme Shkup, siguron ndihmë falas juridike dhe parajuridike për punonjësit dhe punonjëset e seksit, për përdoruesit e drogës, si dhe për familjet e tyre. Që nga marsi i vitit 2020, HOPS është shoqatë e autorizuar për të siguruar ndihmë juridike primare falas për të gjithë qytetarët, e cila, përveç këshillimit ligjor, u mundëson atyre të aplikojnë për avokat falas në Ministrinë e Drejtësisë.

Shoqata për Edukim Ligjor dhe Transparencë – “Stacioni P.E.T.” nga Prilepi siguroi 752 shërbime për familjet në rrezik social, personat nga komuniteti rom dhe nga zonat rurale. Shoqata ofron udhëzime dhe ndihmë ligjore përmes juristëve dhe parajuristëve të saj që punojnë në territorin e Prilepit dhe zonave rurale përreth.

Qytetarët shpesh kërkojnë ndihmë juridike në fushën e mbrojtjes sociale, punësimit, strehimit dhe bujqësisë, ndërsa tek parajuristët kërkojnë ndihmë në lidhje me shfrytëzimin e masave ekonomike për t’u marrë me krizën, arsimin, kujdesin shëndetësor, mbrojtjen sociale dhe marrjen e dokumentacionit personal.

Janë ofruar 473 shërbime për përdoruesit e drogës, në lidhje me mbrojtjen sociale dhe masat ekonomike për mbështetjen e qytetarëve, divorcin, pezullimin e rrjedhjes së afateve për mjetet juridike në procedurat gjyqësore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, diskriminimin për shkak të varësisë, lëvizjen gjatë kohës së ndalimit, por edhe këshilla për kundërvajtje dhe vepra penale. Punonjësve të seksit u është ofruar ndihmë juridike në 1.571 raste, më së shpeshti për mbrojtje nga dhuna në familje, dhunë nga klientët ose policia, divorci dhe të drejtat prindërore, si dhe për dokumentet personale të parregulluara, masat ekonomike për të mbështetur qytetarët dhe të ngjashme.

Shërbimet ofrohen në përputhje të plotë me protokollet dhe gjatë kësaj merren masa për të mbrojtur qytetarët, juristët dhe parajuristët.

***

Projekti “Qasja në drejtësi për më të margjinalizuarit” mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian, dhe zbatohet nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, HOPS – Opsione për Jetë të Shëndetshme, Shkup dhe Shoqata për Edukim Ligjor dhe Transparencë – “Stacioni P.ET.” nga Prilepi.

—————————————————

24 Dhjetor 2020