Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Demokracia në Maqedoninë e Veriut ka qenë nën sulm serioz për gati një dekadë, dhe tiparet e shtetit të kapur mbeten të dukshme edhe sot në gjyqësi, prokurorinë publike dhe polici. Zbërthimi i konceptit të “shtetit të kapur” është i nevojshëm për t’i kuptuar dobësitë ekzistuese institucionale, por edhe për të zhvilluar strategji për zbulimin e hershëm, parandalimin dhe sanksionimin adekuat të keqpërdorimeve të tilla.

Publikimi “Drejtësia e verbër: Deri në shtet të kapur në Maqedoninë e Veriut – gjyqësia, prokuroria publike dhe policia” përmes shembujve praktikë dhe rasteve nga jeta reale i tregon manifestimet konkrete të një kapjeje të tillë dhe pasojat e saj. Hulumtimi i paraqitur në këtë publikim identifikon disa mënyra në të cilat u ndikua politikisht mbi sistemin gjyqësor në një shtet të kapur dhe si dobësitë ekzistuese sistemore në fushën e sundimit të ligjit u shfrytëzuan për interesat e partisë në pushtet.

Skemat ose mekanizmat e zbuluar, të përshkruara në pesë analiza të ekspertëve dhe gjashtë storje hetuese, tregojnë se si partia në pushtet e kreu “kapjen e shtetit” dhe se si dobësitë sistemore në gjyqësi e mundësuan procesin e kapjes:

  1. Marrëdhëniet klienteliste midis gjyqësisë dhe elitave politike
  2. Keqpërdorimi i Sistemit informatik për menaxhimin automatik të lëndëve gjyqësore
  3. Kultura e pandëshkueshmërisë absolute të politikanëve në kulm të korrupsionit politik
  4. Keqpërdorimi i amnistisë
  5. Mungesa e përgjegjësisë për prokurorët publikë
  6. Presioni politik dhe ndikimi mbi policinë në fazat fillestare të procedurës penale
  7. Keqpërdorimi i masës së paraburgimit
  8. Keqpërdorimi i institucioneve për persekutimin e organizatave të shoqërisë civile – skenari për desorosoizimin
  9. Mungesa e reformave të qarta afatgjate në gjyqësi, prokurorinë publike, polici dhe shërbimet sekrete

Tekstin e plotë të publikimit “Drejtësia e verbër: Deri në shtet të kapur në Maqedoninë e Veriut – gjyqësia, prokuroria publike dhe policia” mund ta gjeni këtu: https://fosm.mk/wp-content/uploads/2020/07/zaslepena-pravda-za-web.pdf

Hulumtimi i paraqitur në këtë publikim është mbështetur nga Instituti i për Politikat Evropiane pranë Shoqërisë së Hapur, Instituti Evropian pranë Shoqërisë së  Hapur dhe Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, dhe u realizua nga Rrjeti ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) Maqedoni, së bashku me Koalicionin “Të Gjithë për Gjykim të Drejtë”, Instituti për të Drejtat e Njeriut, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

—————————————————

11 Shtator 2020