Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve publike ndaj qytetarëve është në një nivel jo të kënaqshëm. Nga gjithsej 89 institucione publike të monitoruara, nga të cilat 15 ministri, më pak se gjysma, gjegjësisht 35 iu përgjigjën mbi 90% të kërkesave për qasje në informatat me karakter publik. Për më tepër, nga 25 institucione të analizuara, asnjë prej tyre nuk i ka publikuar të gjitha dokumentet në lidhje me shpenzimet buxhetore, në përputhje me Ligjin për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik. Vetëm Qeveria dhe Ministria e Financave publikuan mbi 40% të dokumenteve, ndërsa 23 institucionet e tjera janë jo-transparente në mënyrë proaktive. Këto janë konkluzionet nga hulumtimi mbi transparencën reaktive dhe proaktive në institucionet publike në vitin 2019, i cili u prezantua në debatin e sotëm publik, të organizuar nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE.

Në këtë ngjarje, e cila u mbajt në ditën kur shënohet Dita Ndërkombëtare “Kam të drejtë të di”, foli edhe Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Fani Karanfillova – Panovska. Ajo theksoi se rritja e nivelit të transparencës së institucioneve ka një ndikim pozitiv në drejtim të demokratizimit të vendit, sepse u mundëson qytetarëve t’i kontrollojnë institucionet.

Institucionet llogaridhënëse dhe të hapura për përfshirjen e të gjithë qytetarëve janë një nga komponentet e shoqërisë së hapur. Prandaj, angazhimi strategjik afatgjatë i Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni është të promovojë sundimin e ligjit, dhe vëmendje e veçantë i kushtohet avancimit të llogaridhënies dhe hapjes së institucioneve. Nga hapja ka më shumë përfitime: ajo është kusht për demokracinë, qytetarët marrin informacion dhe njohuri për të marrë pjesë në jetën politike; ekziston liria e mendimit kritik; autoritetet janë përgjegjëse për vendimet e marra; qytetarët janë të lirë të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet për politikat që zbatojnë; ekziston sundim i ligjit, respektohen të drejtat e njeriut. Qëllimi i qasjes në informata është që t’u mundësojë qytetarëve të shohin se si punon pushteti, gjegjësisht të jenë në gjendje të zbulojnë korrupsionin ose keqmenaxhimin në krjimin e politikave, si dhe të jenë në gjendje të marrin vendime të informuara.

“Fondacioni mori pjesë dhe kontribuoi në krijimin e strategjisë kombëtare për transparencë, strategjinë kombëtare për përballje me korrupsionin, zhvillimin e planit aksional për partneritet për qeveri të hapur, i cili mbulon shtatë fusha të rëndësishme, duke përfshirë edhe transparencën fiskale. Në të njëjtën kohë, rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme që FSHHM-ja ua ofron organizatave të shoqërisë civile në mënyrë që të monitorojnë zbatimin e politikave dhe përfaqësimin për ndryshime nuk është më pak e rëndësishme. Ne i mbështesim organizatat në aplikimin e metodologjive të reja dhe inovative për të mundësuar komunikimin midis qytetarëve dhe institucioneve publike, si dhe forcimin e kapacitetit të qytetarëve për të njohur në mënyrë të pavarur shkeljet në këtë fushë dhe për të kërkuar ndryshime. Ne i mbështesim aktivitetet për vlerësimin e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike në fushat që janë thelbësore për jetën cilësore dhe mirëqenien e qytetarëve, siç janë arsimi, shëndeti dhe mjedisi jetësor.

Për FSHHM-në, veçanërisht të rëndësishme janë dhe kujdesemi të sigurojmë mbështetje për forcimin e qytetarëve që janë të margjinalizuar dhe të pafuqishëm për t’u përballë me pamundësinë për të pasur qasje institucione dhe për t’i ushtruar të drejtat e tyre dhe qasjen në shërbimet themelore publike. FSHHM-ja mbështet aktivitete për edukimin e qytetarëve për të njohur parregullsitë dhe padrejtësitë, si dhe ngjarjet publike që nxjerrin në pah problemet në këtë fushë, propozojnë dhe kërkojnë zgjidhje për t’i kapërcyer ato. Ne jemi shumë krenarë për iniciativën dhe mbështetjen që u dhamë studentëve nga Fakulteti i Drejtësisë në Shkup. “Për t’i edukuar ata në lidhje me të drejtën për qasje të lirë në informata, ne avokuam për krijimin e një lënde zgjedhore mbi këtë çështje, ne mbështetëm një mjet mësimor dhe një klinikë ligjore për qasje falas, për t’u siguruar studentëve punë praktike.”

Në të njëjtën kohë, Fani Karanfillova – Panovska theksoi faktin se Fondacioni e nxit, e inkurajon dhe merr pjesë në krijimin dhe funksionimin e disa rrjeteve, platformave dhe koalicioneve për paraqitje të përbashkët para institucioneve, të tilla si – Rrjeti i Organizatave të Partneritetit për Qeveri të Hapur, Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi ose Rrjeti për luftë kundër korrupsionit.

“Ekziston një ngecje kyçe në vitin 2019 krahasuar me vitin 2018 në marrjen e përgjigjeve përmes një procedure të rregullt, gjegjësisht kjo është zvogëluar nga 87 për qind në 80 për qind të kërkesave të parashtruara. Kjo do të thotë që institucionet e respektojnë më pak ligjin, gjegjësisht sigurojnë më pak informata në procedurë të rregullt. “Ekziston gjithashtu një ngecje në periudhën mesatare për marrjen e përgjigjes, e cila është rritur nga 68 në 74 ditë” – tha Darko Antiq, koordinator i programeve në ESE.

“Nuk është i disponueshëm as informacioni bazë,  e disa institucione nuk kanë as ueb-faqe. Shembulli më i fundit është konvikti i studentëve “Pelalgonia”, ku ne kërkuam informacion në lidhje me hulumtimin tonë mbi standardin e studentëve dhe pamë se ai nuk ka ueb-faqe ku do të mund t’i gjejmë të dhënat e nevojshme” – tha Petar Barllakovski, koordinator i programeve në FAR.

Pjesëmarrësit në debat theksuan se avancimi i transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes në punën e sektorit publik është thelbësor për zhvillimin e ardhshëm të vendit, veçanërisht për të përmbushur kriteret që janë pjesë e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Pandemia e KOVID-19 ka treguar një moment të ri përsa i përket transparencës fiskale, gjegjësisht rritje të mbikëqyrjes civile dhe kontrollit mbi fondet buxhetore, nëse ato janë shpenzuar për qëllimin e synuar dhe nëse kanë arritur deri te përdoruesit përfundimtarë për të cilët ishin dedikuar,” deklaroi Helen Turek, Koordinatore Kryesore Rajonale e PQH-së për Evropën.

Pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në punën e institucioneve presin përmirësim në këtë segment, duke pasur parasysh masat e marra në vitet e fundit, në mënyrë që të rritet transparenca para qytetarëve.

“Më e vështirë është të ndryshosh kulturën e punës në institucione. Është një sfidë e madhe t’u shpjegosh zyrtarëve për të cilët ky nuk është detyrimi i tyre kryesor i punës se këto informacione nuk i përkasin ministrisë, por qytetarëve. Megjithatë, ne kemi qasje strategjike, dëshirë të artikuluar me fjalë të shkruar që mund të ndiqet dhe në fund të fundit këtu është Strategjia e Transparencës që duhet t’i mbulojë të gjitha fushat” – tha Gordana Gapiq Dimitrovska, Këshilltare Shtetërore në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Rekomandimet kryesore të ESE për të inkurajuar hapjen e institucioneve janë rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kësaj çështjeje midis punonjësve të sektorit publik, por edhe midis qytetarëve dhe kompanive, si dhe marrja e hapave për të rishikuar masat qeveritare për të përmirësuar transparencën e institucioneve.

Projekti për vlerësimin e transparencës së institucioneve publike është i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

—————————————————

29 Shtator 2020