Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Në Maqedoninë e Veriut, parimet e barazisë dhe të mbrojtjes nga diskriminimi janë pjesë e rendit kushtetues të vendit, dhe korniza e gjerë ligjore e përbërë nga ligjet kombëtare, strategjitë, programet dhe planet aksionale, të cilat i rregullojnë drejtpërdrejt çështjet e mundësive të barabarta, pjesëmarrjen e grave në tregun e punës dhe ndalimin e diskriminimit. Rregullativa ligjore e këtyre dy parimeve u forcua në vitin 2010, me miratimin e Ligjit për Parandalimin e Diskriminimit (Gazeta Zyrtare 50/10), i cili e ndalon çdo diskriminim të drejtpërdrejtë ose indirekt, thirrje dhe nxitje për diskriminim dhe veprim diskriminues në bazë të: gjinisë, racës, ngjyrë së lëkurës, përkatësisë etnike, gjuhës dhe karakteristikave të tjera individuale. Puna dhe marrëdhëniet e punës janë fusha e parë ku ky ligj duhet të zbatohet nga organet e administratës shtetërore dhe asaj lokale, dhe të gjithë personat juridikë dhe fizikë.

“Finance Think”, në kuadër të projektit “Barazia gjinore në vendin e punës: Monitorimi në nivelin lokal”, bëri një analizë që synon të përshkruaj barazinë e grave dhe të burrave në tregun e punës në Maqedoninë e Veriut dhe një analizë cilësore të qëndrimeve të punëdhënësve dhe të përvojave të punëtorëve për diskriminimin gjinor gjatë punësimit dhe në vendin e punës, dhe mekanizmat për parandalimin e tyre.

Analiza tregon se ekziston një qasje e pabarabartë midis burrave dhe grave në Maqedoninë e Veriut në tregun e punës, si dhe diskriminim gjatë punësimit dhe në vendin e punës. Dallime të mëdha gjinore në qasjen në tregun e punës vërehen për sa i përket aktivitetit të burrave dhe grave, me ç’rast më shumë se gjysma e grave të afta për punë janë joaktive, ndërsa shkalla e aktivitetit të meshkujve është në nivelin e BE-së. Arsyet e mosaktivitetit të grave janë të shumta, por arsyeja kryesore është kujdesi për shtëpinë dhe familjen, si dhe angazhimi si punëtorë të papaguar në familje.

Për më shumë informacion mbi situatën në vend, kornizën ligjore, si dhe gjetjet, përfundimet dhe rekomandimet, lexoni analizën “Burrat dhe gratë në tregun e punës – pjesëmarrje dhe trajtim i (pa)barabartë”

“Barazia gjinore në vendin e punës: Monitorimi në nivel lokal” është njëri nga 15 projektet e organizatave të shoqërisë civile të mbështetura nga FSHM-ja për zbatimin e aktiviteteve që do të kontribuojnë për ta kuptuar më mirë procesin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

—————————————————

29 Maj 2020